Pas fitores së Erdoganit dhe partisë së tij në zgjedhjet legjislative që u zhvilluan më 13 Qershor shumë zëra izraelitë bënë thirrje për domosdoshmërinë e krijimit të marrëdhënieve të mira me Turqinë, në mënyrë të atillë që t’i shërbejnë interesave izraelite në rajon dhe sidomos në përballjen e Izraelit me Iranin. Gjithashtu në shumë artikuj janë komentuar ambiciet e Erdoganit për të ringjallur Perandorinë Osmane, që e ka udhëhequr botën islame dhe kjo nëpërmjet ndryshimit të kushtetutës për t’i shtuar asaj disa tipare islamike, që e dallojnë nga kushtetuta laike dhe nëpërmjet ndryshimit të sistemit drejt një sistemi presidencial që i jep atij mundësinë për të ecur në drejtim të ideve dhe koncepteve të tij.
Përveç kësaj shtypi izraelit ka trajtuar krijimin e marrëdhënieve të reja që lidhin Asadin me Erdoganin, që kanë të bëjnë me largimin e Turqisë nën udhëheqjen e Erdoganit nga Asadi dhe regjimi i tij dhe duke hedhur shikimin drejt një regjimi të ri në Siri në të ardhmen.
Një iniciativë e re
Shumë shkrime të ndryshme izraelite kanë bërë thirrje drejt një domosdoshmërie që është krijuar në lidhje me “hapjen e një faqeje të re” në marrëdhëniet me Turqinë pas fitores së Erdoganit në zgjedhjet legjislative, duke vënë theksin në shumë shkaqe dhe faktorë që qëndrojnë pas rëndësisë së madhe që ka rikthimi i aleancës turko-izraelite, e cila ka qenë prezente në periudhën para Erdoganit.
Në një artikull që mbante titullin “Një iniciativë e re me Turqinë” më datë 15 Qershor në gazetën “Israel Hajoum” Jusi Belin vë theksin se është e domosdoshme, që Izraeli të punojë për interesat madhore kombëtare dhe të rishikojë edhe një herë me seriozitet marrëdhëniet e tij me Ankaranë, sepse bota nuk është e ndërtuar mbi bazat e marrëdhënieve reciproke, por është ndërtuar mbi bazat e interesave. Për këtë arsye Izraeli duhet të bëjë më shumë për t’u afruar më Turqinë.
Belini e arsyeton këtë gjë, duke theksuar faktin se demokracia turke është ajo me më shumë rëndësi në botën islame (përkrah Indonezisë) dhe se Izraeli duhet që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Turqinë pasi Egjipti i ktheu shpinën Izraelit pas rënies së Mubarekut dhe në kushtet kur Irani konsiderohet një armik i përbetuar i Izraelit që nga vitet 70’. Në këtë mënyrë Izraeli nuk ka përpara alternativë tjetër përveç aleancës me Turqinë edhe një herë tjetër.
Autori shton se me Turqinë duhet të ulemi për të biseduar për të koordinuar qëndrimet dhe kjo nuk përbën nënshtrim dhe dorëzim për Izraelin. Përkundrazi kjo është një përpjekje për t’i kuptuar çështjet në thellësi. Gjithashtu ambasadori turk duhet të kthehet në Izrael dhe turqit duhet të pranojnë emërimin e një ambasadori të ri izraelit.
Autori e mbyll artikullin duke theksuar se partia e Erdoganit nuk arriti që në këto zgjedhje të merrte një shumicë dërrmuese që arriti të merrte në zgjedhjet e shkuara. Si e tillë është e dyshimtë që ai të realizojë ëndrrën e tij për ta transformuar Turqinë në një vend ku sundon presidenti, apo që të kandidojë për këtë post të kërkuar për shumë vite në të ardhmen.
Si rrjedhojë, është e mundur që pasi të kthehet në realitet Erdogani do të ketë nevojë edhe një herë tjetër, që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Izraelin dhe në këtë mënyrë qeveria izraelite do të arrijë lehtësisht që të gjejë një koordinim të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillim i cili përbën interes turk, por po ashtu edhe izraelit.
Doktor Chilo Rozenberg, në artikullin e tij të datës 13 Qershor, thekson se Turqia përbën alternativën e vetme të mundshme para Izraelit në përballjen e tij me Iranin, i cili ndjek një medh’heb shumë fanatik të Islamit dhe ngre parulla për zhdukjen e SHBA dhe të botës perëndimore, duke konfirmuar kështu se ky përbën shkakun kryesor që e nxit Izraelin për të gjetur një rrugë pajtimi me Turqinë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet e tij me të pas fitores së Erdoganit në zgjedhje.
Autori shton se zhvillimet e fundit që ka dëshmuar Turqia, në lidhje me sistemin qeverisës apo në politikën e saj të brendshme, të bëjnë të kuptosh se Turqia dëshiron të transformohet në një fuqi të madhe rajonale, gjë të cilën e ndihmon edhe pozita e saj gjeografike. Nëse SHBA do të dalë nga Iraku, atëherë mejdani do të jetë tërësisht bosh para Perandorisë së re Osmane.
Autori e mbyll artikullin e tij duke konfirmuar faktin se Izraeli duhet të shpejtojë për të bërë hapa përpara në afrimin e tij me Turqinë dhe të ndalet para çdo hapi që shkakton zemërimin “e forcës së madhe në rritje”. Izraeli duhet të gjejë kanalet e përshtatshme për të mbërritur në zemrën e institucionit mbizotërues në Turqi. Sa më shumë të qëndrojë Turqia përkrah Izraelit, aq më mirë do të ishte për këtë të fundit.
Ndryshimi i kushtetutës
Vihet re që analizat izraelite janë marrë me fitoren e Erdoganit në zgjedhjet turke dhe me dëshirën e këtij të fundit për të ndryshuar kushtetutën në atë formë, që do të bënte të mundur ndryshimin e imazhit dhe themelit të pushtetit në Turqi (e cila konsiderohet një shtet laik), në mënyrë që të jetë e mundur që të transformohet në një vend islamiko- demokratik, gjë e cila do të ndikonte negativisht mbi Izraelin.
Autorja Jalja Lindshtoras në artikullin e saj, që u botua në Qendrën Kërkimore Izraelite të Sigurisë Kombëtare më datë 13 Qershor me titull “Erdogani, por i kushtëzuar” vë theksin në faktin se Erdogani ka dëshirë të fusë reforma dhe korrigjime të shumta në kushtetutën turke deri në atë masë, që i shërben ideologjisë së tij dhe që i jep fesë një rol më të madh në jetën politike dhe ditore të vatanit turk.
Ajo parasheh se pavarësisht se votimet turke përqendroheshin më tepër në çështjet e brendshme, dëshira e Erdoganit ishte që ndryshimet të bëheshin për qëllime të jashtme. Revolucionet arabe dhe ndikimet e tyre të njëpasnjëshme në situatën e Lindjes së Mesme dhe në normalizimin paqësor të konfliktit arabo-izraelit e shtynte Erdoganin dhe partinë e tij për të formuluar një kushtetutë të re, që i jepte mundësinë për ta afruar shtetin e tij me regjimet islamike të reja që janë në ngjitje e sipër në vendet e prekura nga revolucionet.
Nga ana e tij profesor Ijal Sizer, në artikullin e tij në “Israel Hajoum” të botuar më datë 12 Qershor mendon se ai që do të paguajë më shtrenjtë çmimin e ndryshimit të kushtetutës në Turqi do të jetë Izraeli, duke e shpjeguar këtë me faktin se Erdogani e dëshiron ndryshimin e kushtetutës, në mënyrë që të ketë mundësi të ndryshojë sistemin e qeverisjes duke e kthyer atë në një sistem presidencial ashtu si në SHBA. Në këtë mënyrë pas një ose dy vjetësh Erdogani do të konkurrojë për të arritur postin e presidentit, duke u kthyer në udhëheqësin e Turqisë pa asnjë kontestim apo kusht.
Autori mendon se suksesi i Erdoganit në këto zgjedhje do t’i japë atij mundësinë për ta ndryshuar kushtetutën në përputhje me vizionin e tij dhe të partisë së tij, parisë së “Drejtësisë dhe Zhvillimit”. Baza e këtij vizioni është ndarja nga trashëgimi i themeluesit të Turqisë moderne të Ataturkut laik dhe përkrahës i Perëndimit, duke e kthyer këtë shtet në një vend islam, që e sheh shtetin osman si shembull të inspirimit dhe të fuqisë së saj.
Sizeri shton se Erdogani ka pasur sukses në dobësimin e forcës së ushtrisë dhe të dimensioneve të tij politike, një institucion ky që për vite me radhë ka përfaqësuar mbrojtësin e laicizmit ataturkist në Turqi. Gjithashtu Erdogani ka arritur të dobësojë shumë forcën e të gjitha elitave laike në Turqi, të cilat kanë luftuar me forcë deri në këto momente në mbrojtje të Turqisë, si një vend laik, që ka hedhur shikimin te Perëndimi dhe dëshiron që të bëhet pjesë e pandarë e Evropës. Autori mendon se ndryshimi i kushtetutës bëhet për t’i dhënë Turqisë një ngjyrë islamike pas së cilës Erdogani synon që ta kthejë Turqinë një fuqi rajonale që gëzon një përkrahje të gjerë në vendet arabe dhe islame, gjë e cila e bën Izraelin të ndihet i shqetësuar dhe tepër i kujdesshëm. Për këtë autori jep një shembull për të vërtetuar se Turqia pas fitores së Erdoganit nuk ka ndërmend të qëndrojë duarlidhur në konfliktin mes regjimit laik të Beshar Asadit, që ndihmohet nga regjimi shi’it (Irani dhe Hizbullahi) dhe opozitës së këtij regjimi që i përkasin rrymës sunite nën udhëheqjen e “Vëllazërisë Muslimane”. Për sa i përket qëndrimit të partisë së Erdoganit, “Vëllazëria muslimane” konsiderohen shumë të rëndësishëm kudo që të ndodhen, në Palestinë (Hamasi) apo në Siri, sepse ata janë vëllezër në doktrinën e tyre dhe aleatë politikë në të ardhmen.
Erdogani dhe Asadi
Gazeta izraelite Haretz e datës 16 Qershor thekson se Siria ka zënë vendin e Gazës në listën e përparësive të Erdoganit dhe të partisë së tij në pushtet dhe shton se Erdogani parashikon dërgimin e disa goditjeve të fuqishme të regjimit të Asadit mbi zonat kurde në Siri, në mënyrë të atillë që kurdët e Sirisë të emigrojnë në brendësi të Turqisë dhe t’i bashkëngjiten bashkëatdhetarëve të tyre në Turqi, të cilët i dhanë një goditje të fortë Erdoganit në zgjedhjet e fundit.
Gazeta thekson se Asadi është kthyer në kohët e fundit nga një mik i ngushtë në një person të padëshirueshëm për Turqinë, për shkak se Turqia është më se e sigurt se ajo nuk mund të ketë pozita të forta vetëm nëse mbështet revolucionet arabe, duke synuar kështu marrjen e udhëheqjes së botës islame në të ardhmen.
perktheu: Genc Plumbi

Izraelitë duan hapjen e një “faqeje të re” me turqinë

