Në Zvicër Islami është feja e dytë më e përhapur pas krishterimit, por ai nuk është edhe aq i dukshëm. Atje ka gjithsej katër minare, një nga ato është e improvizuar nga një oxhak fabrike ndërsa tani shërben si minare.
Në Zvicër jetojnë afër gjysmë milioni muslimanë, prej të cilëve mbi 50% janë shqiptarë nga vendet ballkanike. Me këtë lirisht mund të themi se shqiptarët janë bartës të Islamit në Zvicër, ata bëjnë organizimin e jetës fetare dhe ata mundohen të sigurojnë kushte modeste për besimtarët për të ushtruar adhurimet ditore, javore apo më të rralla. Në Zvicër, shqiptarët janë ata që më së shumti parashtrojnë kërkesat për të ndërtuar xhami, normalisht me minare.
Mirëpo, minaret si duket i pengojnë dikujt, prandaj Partia Popullore Zvicerane (SVP), forca e djathtë që e paraqiti propozimin për ndalimin e ndërtimit të minareve, thotë se ato janë simbole të forcimit të islamit militant. Ky propozim u përkrahë nga votuesit me 57.5 %, numër ky i cili na bën të dyshojmë në drejtësinë e supozuar zvicerane për të cilën na rrëfenin bashkëkombësit tanë që jetojnë atje. A thua çfarë fshihet pas këtij referendumi? A duhet të supozojmë se mirëseardhja zvicerane vlen vetëm atëherë kur je punëtor i palodhur, pastrues apo shofer autobusi? Subhanalla, ashtu ishim të mirë edhe për sllavët në përgjithësi, a thua s’ka dallim mes tyre?
Ambasadori zviceran në Egjipt mundohet të arsyetojë këtë referendum duke thënë se “Qeveria e vendit të tij respekton demokracinë, ndaj edhe votimi i referendumit për ndalesën e ndërtimit të minareve është në saje të demokracisë së vendit, pra rezulton nga vet populli, sepse fjala e fundit është e tija”. Por, të gjithë e dimë se populli shpeshherë bëhet viktimë e medies, që në këtë rast u manifestua – ndër të tjerash – me pllakatet trishtuese që thirrshin në referendum ndërsa aty dukeshin ca minare të zeza dhe një grua me mbulesë që ishte edhe më e madhe sesa minaret, dhe ashtu bënin të ndihesh sikurse dikush do ta pushtojë, ndërsa vota jote do ta shpëtojë Zvicrën.
Shkelja e të drejtave elementare nuk duket ndryshe përveçse kështu, por padituria bën që njeriu të armiqësojë gjithçka që nuk njeh. Padyshim, minaret luajnë një rol shembullor pasi janë një simbol i dukshëm për xhamitë dhe këndimi i ezanit përhapet më lehtë, më gjerë dhe më shumë. Minaret pra, kanë një qëllim të lëvduar dhe të mirë. Minaret do t’i mundësonin zviceranëve shumë shpejt të kuptojnë mirësitë e kësaj Feje dhe do të mbushnin shpirtrat e tyre me lumturinë, kënaqësinë dhe rehatinë që ndjejnë shpirtrat e atyre që e falin namazin me përulësi.
Ai është qëllimi i minareve, ndërsa namazi i besimtarit mbetet fuqiplotë dhe i saktë pavarësisht falet në xhami ku ka apo s’ka minare. Mungesa e minareve do t’i dëmtojë vetëm zviceranët dhe askënd tjetër.

ZVICRA, REFERENDUM KUNDËR SHQIPTARËVE?!

