
(me rastin e albumit të ri nga Adem Ramadani)
I Dërguari i Allahut, paqja dhe lëvdatat e Zotit qofshin mbi të, thotë: “Vërtetë zemrat e njerëzve janë mes dy gishtave të Allahut, Ai i rrotullon ato si të dojë.”
Disa njerëz e kanë provuar shfrenimin, qoftë pak apo shumë, kanë provuar shumë gjëra me të cilat Allahu nuk është i kënaqur, të gjitha këto gjëra i kanë vepruar duke menduar se ashtu duhet shijuar jeta apo duke menduar se ajo është kënaqësia.
Por pas atyre gjërave kanë parë se të gjitha ato janë kotësi dhe vetëm se e zhysin më tepër shpirtin në fundërrinat e humbjes dhe të vuajtjeve të tij. Këto vuajtje kanë qenë shkak i fillimit të hulumtimit të së vërtetës dhe kënaqësisë së saj, një e vërtetë e cila shëron dhe gëzon çdo shpirt të vuajtur dhe të mjeruar. Më pas qoftë herët apo vonë këta njerëz e gjetën të vërtetën, e gjetën kënaqësinë që u mungonte dhe të cilën e kërkonin kah mot. Nga të gjitha shtresat e njerëzve pati nga këso persona, që e kërkuan të vërtetën, disa ishin të pasur, ca të tjerë të varfër, personalitete, të famshëm, artistë, këngëtarë etj., të gjithë këta Allahu me mëshirën e Tij i udhëzoi tek e vërteta. Pranimi i Islamit, apo fillimi i praktikimit të rregullave të tij nga ana e tyre u bë burim krenarie dhe kënaqësie për myslimanët, të cilët gjithmonë mirëpresin diçka të tillë. Ata pasi u udhëzuan, me ndihmën e Allahut, nuk u mjaftuan vetëm me kaq, por menduan ta ndihmonin dhe të kontribuonin për Islamin, secili nga drejtimi i tij, me aq sa kishte mundësi. Vepruan kështu, që me këto punë të mira që po bënin të ishin shkak që Allahu me mëshirën e Tij t’ua falte gabimet e bëra shumë herët para udhëzimit. Ky ishte inspirimi i tyre dhe shkaku pse ndryshuan nga e keqja në të mirë, ku edhe pastaj u vërejtën rezultatet e punës së tyre nga e cila patën dobi si ata vetë; po ashtu edhe besimtarët.
Nëse dikur ishin shembull dhe frymëzim për keq, më vonë u bënë shembull për mirë, me ta lavdëroheshin injorantët pastaj filluan të lavdërohen besimtarët.
Njëri ndër këta njerëz është edhe ish-këngëtari, Adem Ramadani, i cili ka qenë ndër këngëtarët më të njohur të kohës së tij. Por deshi Allahu dhe e udhëzoi me mëshirën e Tij. E pranoi të vërtetën, jo pse pat dështuar në karrierën e vet si këngëtar, por për arsye se Allahu ia deshi të mirën, sepse ishte prej atyre që filluan ta kërkonin të vërtetën.
Ky udhëzim u mirëprit nga besimtarët e me të shpresojmë të jenë gëzuar edhe banorët e qiellit, por pati nga ata që u mërzitën me këtë gjë, nuk u erdhi aspak mirë, bile edhe filluan të flisnin aty-këtu kundër tij. Disa edhe shpifën gjëra interesante, ku ndër ato që më kujtohet është shpifja e disa personave se Adem Ramadani ka vdekur. Shpesh ndodhte që vëllezërit në qytetin tonë më pyesnin se, a është e vërtetë që Adem Ramadani ka vdekur? Unë ua ktheja se Ademi nuk ka vdekur, përkundrazi ai prej ditës së udhëzimit ka lindur me të vërtetë, kurse shpifësit e tij në të vërtetë janë të vdekur, edhe pse ecin në mesin e të gjallëve.
Udhëzimi i tij është shembulli më i mirë që duhet ndjekur nga çdo këngëtar, ish-koleg i tij, si dhe çdo njeri tjetër. Ky gjest me të vërtetë është për t’u përmendur, por ajo që unë desha ta theksoj më tepër është çështja se Adem Ramadani përveç kthesës në jetën e tij, ai bëri një kthesë akoma më të madhe edhe në profesionin e tij, ku nga këngëtar kaloi në këndues të ilahive, i cili me to arriti një sukses të dukshëm. Ai përveç kësaj me ilahitë e tij arriti të bashkojë mes ndjenjave fetare dhe ato kombëtare, ku këto të fundit nuk janë aspak në kundërshtim me mësimet fetare. Këtë më qartë e vërejmë sidomos në produksionin e tij të fundit, ku shumë këngë të kënduara me dhjetëra e qindra vite me radhë nëpër odat tona, që kanë qenë vendmësimi i shqiptarëve, ai arriti t’i këndojë në një stil krejt të ri, i cili realizohet ndoshta për herë të parë në këto treva. Ai arriti që këngët patriotike në të cilat flitet për trimëritë dhe bëmat e myslimanëve shqiptarë t’i këndoj në stilin e ilahive të pashoqëruara me muzikë. Kjo vepër për të cilën duhet falënderuar ky njeri, i cili me ilahitë e tij pushtoi veshët e zemrat e shumë njerëzve, të cilët më parë dëgjonin muzikë. Në fund lus Zotin e Madh, që me mëshirën e Tij ta udhëzojë njerëzimin tek e vërteta dhe t’i largojë nga devijimi. Gjithashtu i lus të gjithë këngëtarët, që ta ndjekin rrugën e Adem Ramadanit, si në udhëzim ashtu edhe në këtë stil të ri të këndimit të ilahive, ku përmes tyre arriti të bashkojë mes komponentes fetare dhe tjetrës kombëtare, të cilat tek populli ynë kanë qenë gjithmonë të bashkuara! Le të mbetet ky njeri, ai që do të shënojë një kthesë pozitive në traditën e çdo këngëtari, i cili shpresojmë të pasohet nga të tjerët, e “kush mbjell një traditë të mirë do të shpërblehet për punën e bërë, ashtu siç do të shpërblehet për punën e çdo pasuesi të tij, duke mos u munguar këtyre të fundit nga shpërblimi i tyre asgjë”, thotë i Dërguari i Allahut, paqja dhe lëvdatat e Zotit qofshin mbi të.
Lus Allahun Fuqiplotë, që ta udhëzojë në fe, ta forcojë, ta ruajë nga mendjemadhësia e devijimi dhe mos t’ia marrë shpirtin ndryshe veçse si mysliman.

2008 

