
Luftërat dhe konfliktet e armatosura kanë qenë gjithmonë një betejë propagande tek të cilat format e komunikimit dhe të dezinformimit, si dhe të ndikimit të mendimit (opinionit) kanë luajtur rolin më të rëndësishëm. Të gjitha gjërat që ne shohim për momentin na tregojnë se në kohën e rrjeteve globale të komunikimit, të transmetimeve satelitore dhe raportimit në kohë reale, ne do të kemi mundësinë të përjetojmë luftëra të tjera, të cilat do të jenë të udhëhequra jo nga diçka tjetër, por vetëm nga Media.
Lufta e Irakut nga kjo pikëpamje ka arritur një kualitet të ri. Edhe kjo luftë ishte me bomba dhe granata, por konceptet për udhëheqjen mediatike të luftës kanë qenë pjesë përbërëse e integruar dhe shumë e rëndësishme e planeve ushtarake. E njëjta gjë vlen edhe për sigurimin e një fushate, e cila do të mund të “arsyetonte” (të fajësonte diktatorin irakian dhe ta nxirrte Amerikën shpëtimtare të popullit irakian) përballë botës. Me këtë gjë, kjo luftë na ofron shijen se si do të duken luftërat e komunikimit në shekullin që jetojmë. Po përmend disa pika të rëndësishme nga ky aspekt:
- Koncepti i Public Diplomacy na tregon një profesionalizim të propagandës shtetërore. Konfliktet e ndryshme në të ardhmen do të kenë tendencën e inskenimit dhe dramatizimit të rregullave të masmediave, që do të thotë se edhe për mediet do të bëhet shumë më e vështirë për të zbuluar arsyet reale të konfliktit apo luftës. Së pari vendoset një temë në agjendë dhe kjo temë problematizohet në të gjitha fushat dhe sferat, dhe dikur si bazë të kësaj kemi fillimin e një lufte.
- Termi i informacionit mbi betejën është i plotë në pretendimin e tij. I plotë ngaqë ai së pari nuk ka si qëllim popullin e shtetit që bën luftën (pra, popullin amerikan), as popullin e shtetit ku bëhet lufta (popullin irakian), ose aleatët e ndryshëm, por si për çudi ka si qëllim popullatën e të gjithë botës dhe së dyti me termin Informacion nuk mendohet vetëm njoftimet e përhapura nga masmediat, por strukturën totale dhe gjithëpërfshirëse të komunikimit të kundërshtarit, që do të thotë rrjete të dhënash, si për civilë ashtu edhe për ushtarakë, të gjitha infrastrukutrat e komunikimit si dhe masmediat.
- Propaganduesit konfrontohen sot me një publik global dhe me një gazetari të lidhur në rrjet me të gjithë globin. Një kontroll i plotë i fotove dhe i mesazheve, që qarkullojnë nëpër rrjetin global nuk është e mundur dhe kjo vlen edhe për raportimin nga vendet e ndryshme, për ngjarje të ndryshme. Nga ky aspekt të gjitha strategjitë duhet të kthehen dhe të aktivizohen nëpër media dhe qëllimi kryesor është që mediet të jenë partnerët më të mirë të bashkëpunimit. Në qoftë se kjo gjë është e suksesshme, nga pikëpamja ushtarake krijohen potenciale të reja ngaqë atëherë mediet mund të përdoren në mënyrë të qëllimshme për qëllime të ndryshme ushtarake.
Mediet dhe publiku në të ardhmen me tendencë në rritje do të jenë pjesë e manipulimeve dhe instrumentalizimeve ushtarake e politike. Këtu shtrohet pyetja se: a ka mundësi që në të ardhmen të kundërshtohet dhe t’i kundërvihet e gjithë bota këtij “agjenti të ideve dhe mendimeve” dhe: a do të ketë mundësi dhe a do të ketë një shans real që një problem qoftë ai i vogël apo i madh të përpunohet dhe të trajtohet në një diskurs të lirë?
Fakti është se mediet mësojnë nga çdo manovër mashtruese, të cilën e kanë kaluar njëherë, por problemi qëndron te taktikat e reja, të cilat i përdor ushtria dhe ekipet e ndryshme që punojnë natë e ditë vetëm e vetëm për të gjetur strategji të reja me të cilat mundet të manipulojnë me forma të reja jo vetëm mediet, por edhe popullin nëpër të gjithë botën. Siç po shikohet kohët e fundit (fatkeqësisht me vonesë), që të gjitha arsyet se përse Amerika ka filluar luftën nëpër vende të ndryshme janë gënjeshtra të pastra. Deri tani akoma nuk është vërtetuar me saktësi asnjë lidhje ndërmjet Sadam Huseinit dhe Al Kaedës dhe as nuk janë gjetur fakte për një program bërthamor të Irakut dhe as nuk u gjetën bomba biologjike me rrezikshmëri shumë të lartë të ashtuquajturat B dhe C.
Për nga besueshmëria, politika e informimit në Amerikë ka filluar të ketë pasoja. Ka mjaft persona, të cilët kanë reaguar lidhur me politikën amerikane nëpër shtetet e tjera, mirëpo këto persona si zakonisht nga mediet e ndryshme nuk publikohen, për shkak të kritikave të tyre. Po përmend vetëm 2 nga personat, që kanë reaguar në lidhje me politikën amerikane të informimit: Hans Ulrich Wehler thotë se: “inskenimi i luftës në Irak ishte një gënjeshtër” dhe gjithashtu thotë që në qoftë se do të kishte ndonjë fjalë që e përshkruan më mirë gënjeshtrën, ai do ta kishte përdorur pa e menduar. Gjithashtu diplomati amerikan Joseph Wilson ka reaguar në lidhje me luftën në Irak dhe ka thënë: “Në qoftë se qeveria amerikane falsifikon fakte dhe i paraqet ato në mënyrë të gabuar vetëm për të justifikuar luftën e gabuar, atëherë nuk dua të mendoj se për çfarë po na gënjen ajo më?” Kjo do të thotë se qeveria nuk duhet të besohet më assesi. Statistikat e fundit që janë nxjerrë nga sondazhet me popullin tregojnë se besueshmëria e qeverisë amerikane ka rënë shumë. Kjo tregon se qeveria duhet të riorganizohet dhe të mendojë diçka tjetër. Me këtë gjë ka mundësi që riorganizimi i ardhshëm i aparatit propagandues nuk do të jetë më nën idenë e përmirësimit të efektivitetit, por qëllimi duhet të jetë përmirësimi dhe kthimi i besueshmërisë.
(autori është ligjërues në UEJL)