Përditësimi i fundit07:17:00 PM GMT

Albislam RSS
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Tani je te: Sfida QËNDRIMI NË PARIM

QËNDRIMI NË PARIM

Email Shtyp pdf
QËNDRIMI NË PARIM

Allahu, subhanehu ue teala thotë: "S’ka dyshim se ata që thanë: “Zoti ynë është Allahu”, pastaj nuk u luhatën, atyre u zbresin melekët (në prag të vdekjes dhe u thonë): “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni, keni myzhde Xhenetin që ju premtohej." Fussilet, 30. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, duke e këshilluar pyetësin tha: “Thuaj besoj në Allahun pastaj përqendrohu në atë.”

Parimi është gjëja më e shtrenjtë në jetën e njeriut. Ai është mënyra se si jeton njeriu dhe burimi i fuqisë dhe vullnetit në rrugëtimin e tij jetësor. Fjala parim është emërtimi për  ligjin, i cili drejton veprimtarinë e njeriut, duke mos i vendosur në fokus format e ndryshme të përkatësisë së tij (kombëtare, fetare, racore...). Parimi të cilin e beson, e mbron, ua mëson të tjerëve dhe mundohesh ta stolisësh veten me etikën e tij, nga kjo pikëpamje të debatit, nuk duhet të jetë domosdoshmërish i saktë. Këtë e vërtetojnë edhe shembujt e shumtë që janë aq të shumtë në numër, saqë është e pamundur të numërohen. Në raste të ndryshme kemi parë, kemi dëgjuar dhe lexuar për njerëz, të cilët me jetën e tyre e kanë paguar parimin në të cilin kanë besuar. Është bukur të kesh parime me të cilët krenohesh, të cilët i mbron, por ende më e bukur është kur kemi të bëjmë fjalë për parime, të cilat i ka saktësuar, i ka zbukuruar dhe i ka përforcuar shpallja hyjnore. Parime fetare që nuk janë nën ndikimin e prirjeve dhe dyshimeve të paqëndrueshme e që janë prodhim i natyrës njerëzore.

Ideologjitë e ndryshme, si materializmi, kapitalizmi, socializmi kanë parimet e tyre, si fjala vjen parimet e ndryshme për materien, kapitalin, luftën klasore etj. Në Islam ideja kryesore është që njerëzit ta realizojnë rolin e tyre në këtë jetë, t’i nënshtrohen me adhurim Allahut, subhanehu ue teala. Për këtë shkak Allahu i ka dërguar pejgamberët përgëzues dhe paralajmërues për popuj të ndryshëm.

Dallimi mes muslimanit dhe jomuslimanit nuk është ekzistimi, ose mos-ekzistimi i parimeve. Të dy i kanë parimet e tyre. Dallimi është në thelbin, natyrën dhe esencën e parimeve të tyre. Parimi për të cilin vuajti i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe për të cilin u ballafaqua me padrejtësinë e popullit të tij, me torturat dhe nënçmimin prej anës së tyre.  Vështirësitë me të cilat u ballafaqua për hir të parimit të tij ishin shkak që Ai, sal-lallahu alejhi ue selem, në fund të jetës të falet i ulur. A nuk ia vlen që për këtë parim madhështor, të qenit rob i Allahut dhe lartësimi i fjalës së Tij, ta ofrojmë angazhimin tonë jetësor si një çmim modest. Për këtë parim, besimtarët vriteshin duke ua ndarë trupin në dy pjesë dhe me krehër të hekurt iu ndahej mishi atyre prej eshtrave. Për këtë parim Sumeja dhe Jasiri, prindërit e Amarit, radijallahu anhum e sakrifikuan jetën e tyre, për të njëjtin parim u torturua imami i Ehli Sunetit imam Ahmedi, i cili u kamxhikua dhe pësoi plagë të rënda.  Për këtë parim Bilali i Abisinisë në agoninë e torturës, nën peshën e gurit të nxehtë, trupzhveshur mbi rërën përvëluese, me zërin e bindjes brohoriste Ehadun Ehad. Për këtë parim ia vlen të jetohet dhe me këtë parim ia vlen të vdesim.

Parimi kryesor i Islamit është të ndërtohet një jetë në të cilën do të ripërtërihet lidhja, do të mbrohet dhe do të kultivohet lidhja mes njeriut dhe Krijuesit, Furnizuesit, Allahut në dorën e të cilit është jeta dhe vdekja. Jeta e muslimanit nuk është jetë e cila mbetet në këtë botë. Ajo është jetë në të cilën vazhdimisht përkujtohet edhe ahireti, vendi i shpërblimit dhe dënimit,  urë kalimtare e të cilit është jeta e kësaj bote-dynjaja.

T'u përmbahesh parimeve nuk është edhe aq lehtë. Ajo është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, që kërkon durim, sakrificë, motivim dhe bashkëpunim... Jo rastësisht i Dërguari i Allahut, shpeshherë e përsëriste lutjen: “O Allah, që i rrotullon zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.” Ndihmoje veten me përkujtimin, se të mirat e kësaj bote përfundojnë me asgjësim, ndërsa ajo të cilën Allahu ua ka premtuar besimtarëve është e amshueshme dhe s'ka fund. Ahireti është vendbanimi më i mirë, këtë e kanë kuptuar qartësisht të devotshmit.

Kur i Dërguari i Allahut e thirri popullin e tij në Islam, nuk u ofroi atyre asgjë prej të mirave të kësaj bote. U ofroi atyre xhenetin dhe shumë prej tyre e pranuan Islamin dhe filluan të hyjnë në Islam, valë-valë. Shumë prej shembujve nga jeta e muslimanëve të parë, që i lexojmë nëpër libra sot, fatkeqësisht u ngjajnë legjendave. Me siguri keni dëgjuar për rastin e djaloshit Omer ibën Humamit, i cili në fushëbetejë e dëgjon nxitjen e të Dërguarit për sakrificë në rrugën e Allahut dhe nga dora e tij i hedh hurmat në tokë, duke e konsideruar të gjatë kohën e nevojshme për t’i ngrënë. Nxitoi drejt xhenetit dhe ra shehid, durimtari që shpresonte në shpërblimet e Allahut, Allahu qoftë i kënaqur me të. Osmani, radijallahu anhu, i cili përgatiti ushtrinë e muslimanëve e përbërë prej një mijë deveve, me të gjitha harxhimet përcjellëse e meritoi përgëzimin e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili tha: “Asnjë vepër nuk mund t'i bëj dëm Osmanit pas kësaj dite.” Suhejbi, radijallahu anhu, as'habi i nderuar ua ofroi të tërë pasurinë e tij mosbesimtarëve, që ta lejojnë ta vazhdojë hixhretin e tij drejt Medinës. Kur ai arriti në Medine atë e priti me fytyrë të përgëzimit Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili i tha: “Fitove shumë me tregtinë tënde, o Ebu Jahja.”

Historia Islame është e mbushur plot me fragmente të shkëlqyeshme të qëndrimit në parime. Nuk duhet t’i harrojmë e as t’i minimizojmë edhe rreziqet e kësaj bote në të cilën kemi parë, kemi dëgjuar për njerëz, të cilët njiheshin si të devotshëm, të përqendruar në rrugën e drejtë, të cilët i mashtroi bukuria apo kënaqësia kalimtare.  Parimi është sikurse pishtari, i cili e ndriçon rrugën dhe i udhëzon ata që janë në huti. Parimi i përforcon ata që ecin në rrugën e kënaqësisë së Allahut. Kështu durimi, përqendrimi, kënaqësia bëhen virtytet e besimtarit, i cili e vazhdon rrugëtimin e tij drejt xhenetit. Duke iu përmbajtur parimeve hyjnore dhimbja shndërrohet në kënaqësi, pikëllimi në lumturi, varfëria në pasuri, e largëta afatgjatë afrohet, ndërsa e afërta mashtruese largohet. Kështu ecnin dhe do të ecin besimtarët deri sa të vijë dita në të cilën do të dalin në shesh të fshehtat. Nuk është diçka e pamundur të gabojmë, madje të qenit gabimtar është pjesë e natyrës njerëzore. Dështimi fillon kur mundohemi ta arsyetojmë tradhtinë tonë ndaj parimeve hyjnore, kur në vend që të pranojmë gabimin tonë mundohemi ta arsyetojmë më arsye të kota. Aty, mu aty është fillimi i rënies dhe i devijimit. Mundohu të jesh i sinqertë me veten, të mos e mashtrosh veten me arsyetime të pavlefshme, duke e shkatërruar dalëngadalë ardhmërinë tënde. Kujtoja vazhdimisht vetes se dashuria e pakontrolluar ndaj dynjasë dhe mbështetja në të është shkaku i çdo belaje, në dynja dhe në ahiret.

Google könyvjelzőLink megosztása: Del.icio.usTwitterAjánlás a linkter.hu-raFacebookDigg
JP-Bookmark