ÇËSHTË ISIHAREJA?
Në etimologji ka kuptimin; të kërkosh zgjedhje në diç. Thuhet: Kërko zgjedhje nga Allahu dhe Ai ta jep atë.
Ndërsa në terminologjinë fetare ka kuptimin: Të kërkosh më të mirën e dy gjërave për të cilën ti ke nevojë për njërën prej tyre. (Ibn Haxheri në “Fet’hul Bari”)
DISPOZITA E KËTIJ NAMAZI
Të gjithë dijetarët janë unanim se namazi i istihares është sunet, argument për të është hadithi që e transmeton Buhariu (1166) nga Xhabir ibën Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të!, se i dërguari, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, ua mësonte duanë e istihares për çdo çështje, sikurse ua mësonte suret e Kuranit dhe thoshte: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thotë: “O Zot, me diturinë Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e une jam i dobët”. (Siç do e përmendim më pas duanë e istihares)
KUR ËSHTË NJERIU I NEVOJSHËM PËR NAMAZIN E ISTIHARES
Njeriu gjatë jetës së tij kalon në sprova dhe vështirësi, ngel në mes të rrugëve dhe nuk gjen dot një zgjidhje. Në këto momente ka nevojë që të drejtohet tek Zoti i tij, Krijuesit të qiejve dhe i tokës, t’i lutet Atij duke i ngritur duart, duke kërkuar prej Tij, e duke shpresuar nga Ai, t’ia dorëzon çështjen vetëm Atij, duke kërkuar orientimin në vepra të mira dhe të dobishme, qoftë kur dëshiron të blejë veturë, apo dëshiron të martohet, apo të merr një vend pune, apo dëshiron të udhëtojë, etj.
Shejh Islam ibn Tejmije ka thënë: “Nuk i bie pishman ai që kërkon zgjedhje prej Allahut, konsultohet me njerëzit, dhe përqendrohet në punët e tija.”
Allahu i Madhëruar thotë: “Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Allahu për ta, konsultohu me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Allahu. Se Allahu me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.” Ali Imran 159.
Katadeja ka thënë: Saherë që njerëzit janë konsultuar, duke vepruar kështu vetëm për hir të Allahut, ata vetëm se janë udhëzuar për çështjen më të drejtë.
Neveviu kur flet për istiharen dhe konsultimin thotë: Isihareja është me Allahun, ndërsa konsultimi me njerëzit e mençur dhe të mirë, sepse njeriu në vete është i paaftë e i mangët, është i dobët, mund që atij t’i vështirësohen gjërat, e të bie në mëdyshje, se çfarë të vepron?
DUAJA E ISTIHARES
“All-llahume inní estehíruke bi ‘ilmike ue estakdiruke bi kudretike ue es`eluke min fadlikel ‘adhim, fe inneke takdiru ue la akdiru, ue ta’lemu ue la a’ëlemu ue ente al-lámul gujúb. All-llahume in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru (e emërton nevojën që ke) hajrun lí fi diní ue me’áshí ue ‘ákibeti emrí ue ‘áxhilihi ue áxhilihi fakdirhu lí ue jessirhu lí thumme barik lí fihi. Ue in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru (e emërton nevojën e tij) sherrun lí fi diní ue me’áshi ue ‘ákibeti emri ue ‘áxhilihi ue áxhilihi, fasrifhu anní uesrifní anhu uakdir lí el-hajre hajthu kane thumme erdiní bihi.”
“O Zot, me diturinë Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e une jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton këtu dëshirën, hallin, etj.) është mirësi për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko!
E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hajrin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të!”
FORMA E NAMAZIT ISTIHARE
- I fal dy reqate namaz (si çdo dy reqate të namazit vullnetar), është prej sunetit që në reqatin e parë të lexohet sureja “Kafirun” pas “Fatihas” ndërsa në reqatin e dytë sureja “Ihlas”.
- Pasi që jep selam në fund të namazit, i ngreh duart me përulësi ndaj Allahut, duke kujtuar madhështinë e Tij, fuqinë, e duke medituar në lutje.
- Në fillim të lutjes, nisë me falënderim ndaj Allahut, e më pas dërgon salavate mbi të dërguarin e Allahut.
- Më pas lexon lutjen e istihares, ku përmend nevojën që ke.
- Pastaj dërgon salavate mbi të dërguarin e Allahut, siç veprove më herët.
Kështu namazi i istihares ka përfunduar, duke lënë çështjen tënde në duar të Allahut, e duke iu mbështetur Atij.
FORMAT E ISTIHARES
Forma e parë: Të kërkosh ndihmë nga Zoti i botëve, i Cili e di atë që ka qenë, atë që ndodh, dhe atë që nuk ka ndodhur, po të kishe ndodhur si do të ndodhte.
Forma e dytë: Konsultimi i njerëzve të mençur, të besueshëm e të drejtë. Allahu thotë: “konsultohu me ta.”
Kjo fjali i është drejtuar të dërguarit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, Allahu thotë: “Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Allahu për ta, konsultohu me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Allahu. Se Allahu me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.” Ali Imran, 159.
Ai, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!, ishte njeriu më mendim drejtë, më i saktë, konsultohej me shokët e tij në disa çështje që i vështirësoheshin atij, njashtu edhe halifet konsultoheshin me të tjerët.
GJËRA QË DUHET T’I KEMI PARASYSH
- Mësoje veten që ta falësh namazin e istihares për çdo çështje edhe nëse është e vogël.
- Të jesh i sigurtë se Allahu do të të jep sukses për atë që është më e mirë. Përqendrohu kur të bësh dua dhe medito në kuptimet e saja të mëdha.
- Nuk vlen që ta bësh duanë e istihares pas namazit farz, por, patjetër duhet të falësh dy rekatë nafile të veçanta.
- Nëse dëshiron që ta bësh duanë e istihares pas syneteve të namazeve; pas namazit të duhasë apo pas nafileve të tjera, lejohet me kusht që ta bësh nijet para se të fillosh namazin. Por, nëse ke filluar namazin dhe nuk e ke bërë nijet, duaja e istihares pas këtyre nafileve nuk është e vlefshme.
- Nëse ke nevojë që të falësh namazin e istihares në kohët që janë të ndaluara për të falur namaz, bëj durim derisa të mbarojë koha e ndalesës. Kur puna nuk pret deri atëherë, lejohet të falesh edhe gjatë kësaj kohe.
- Nëse të pengon të falësh namazin e istihares një arsye, siç janë menstruacionet për gratë, prit derisa të mbarojë kjo pengesë, por kur e ke të nevojshme në ato momente, atëherë vetëm bëje duanë e istihares pa falur namazin e saj.
- Kur nuk e ke mësuar duanë e istihares përmendësh, atëherë lexoje nga një letër apo libër, por më e mira është që ta mësosh përmendësh.
- Lejohet që duanë e istihares ta bësh para se të japësh selam, ashtu siç lejohet pas selamit. Është pyetur Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) për këtë çështje dhe është përgjigjur: “Nëse e bën duanë e istihares para apo pas selamit lejohet, por më e mira është para selamit.”
- Kur të falësh namazin e istihares vepro si të duket më e drejtë dhe mos prit të shikosh ndonjë ëndërr për këtë.
- Nëse nuk je i qartësuar se cili veprim është më mirë për ty, lejohet përsëritja e namazit të istihares më shumë se një herë.
- Mos thuaj dua tjetër përveç duasë së istihares, as mos e lë të mangët atë, por përmbaju tekstit të kësaj duaje profetike.
- Mos i jep përparësi epshit tënd për atë që përzgjedh, sepse ndoshta më e dobishmja për ty është kundërshtimi i tij.
- Mos harro që të konsultohesh me njerëzit e ditur e të mençur dhe bashko mes istihares dhe konsultimit me të tjerët.
- Lejohet ngritja e duarve për dua, pas faljes së namazit të istihares.
- Namazi i istihares është për diçka të dyshimtë dhe që je i lëkundur në të, por nëse je i sigurtë, nuk falet namazi i istihares. Mbështetju Allahut dhe vepro “Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.”Ai Imran, 159.
- Nuk falet namazi i istihares për të kryer detyrimet apo jo, sepse duhet të kryhen patjetër dhe s’është i nevojshëm namazi i istihares.
- Nuk lejohet falja e namazit për dikë tjetër, por vetëm për vete.
- Nëse dyshon për një çështje dhe fillon të falësh namazin e istihares, por gjatë namazit të largohet dyshimi, atëherë bëje nijet për nafile.
- Kur je i lëkundur për disa çështje, lejohet që të falësh vetëm një namaz istihare, por më e mira është që të falësh për secilën çështje nga një namaz.
- Nuk falet namazi i istihares për të bërë gjëra të papëlqyera, aq më tepër për harame.
Përktheu dhe përshtati: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com