BESIMTARI I FUQISHËM ËSHTË MË I MIRË DHE MË I DASHUR

BESIMTARI I FUQISHËM ËSHTË MË I MIRË DHE MË I DASHUR

0 2647

HADITHI:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell dhe thotë: i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e që në të dy prej tyre ka hajr. Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut e mos u ndal (lodh), nëse të godet diç mos thuaj: po të kisha vepruar kështu do t’ishte kështu e kështu, por thuaj: Caktim i Allahut dhe çfarë dëshiron Ai vepron, sepse fjala (po të) hap dyert për të vepruar shejtani.”[1]

KOMENTI:

(Besimtari i fuqishëm), i fuqishëm në iman, i fuqishëm në vendosmërinë dhe qëllimin e tij, ekziston tek ai një synim, një fuqi e seriozitet në të vërtën, ky është më i mirë se besimtari i dobët, me vullnet e synim të dobët.

(e në të dy prej tyre ka hajr), besimari i fuqishëm dhe ai i dobët, tek të dytë ka hajr, por që tek besimtari i fortë hajri është më i madh se tek besimtari i dobët, sepse dobia e besimtarit të fortë është më e gjërë, me besimin e tij ai i bën dobi të tjerëve, ndërsa besimtari i dobët me imanin e tij nuk mund t’i bëjë dobi askujt tjetër, ky është aspekti i dallimit mes këtyre dyve, që të dytë janë me iman, por ai që imanin e tij e ka të fortë është më i mirë.

Sikur që është shembulli i Omerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) në fuqinë e tij, seriozitetin dhe vendosmërinë, prej tij kanë përfituar muslimanët shumë, nga imani i tij i fortë, saqë nëse ai merrte një rrugë shejtani merrte rrugë tjetër, nuk bëheshin bashkë në një rrugë[2], për këtë ai çliroi vendet, përhapi islamin në lindje e në perëndim me ndihmën e Allahut e pastaj me fuqinë e vendosmërinë e tij.

Muslimanët përfituan nga besimi i fortë i Ebu Bekrit që kur vdiq i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ishte i palëkundur sikur se malet, e nuk dobësohej, kjo nga fuqia e madhe e imanit të tij, kur ndodhi renegata dhe arabët u larguan pas vdekjes së profetit, ai përqendroi dhe nuk u lëkund aspak që t’i luftojë derisa i nënshtroi në fenë e Allahut, dhe kjo ishte si shenjë e besimit të fortë, dhe Allahu stabilizoi fenë përmes tij. Kur profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në fund të jetës së tij përgatiti një ushtri në krye me Usameh ibën Zejdin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe para se ushtria të nisej prej Medines ndërroi jetë profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe kështu sahabët i thanë Ebu Bekrit: Mos e dërgo këtë ushtri, por le të qëndrojnë tek muslimanët të jenë në dobi për ta. Ai tha: Jo, pasha Allahun, nuk e zbres një flamur që e ngriti i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).” Ishte i vendosur që ushtria të shkonte, kështu ushtria u nis nën udhëheqjen e Usames, një të riu prej sahabëve fisnikë, saherë që kalonte pranë një vendi të arabëve vetëm se i godiste frika kur shihnin ushtrinë dhe thonin: Kjo ushtri është shumë e fuqishme, dhe kur romakët kuptuan se ushtria po vinte u frikuan dhe u kthyen mbrapa, dhe ushtria muslimane u kthye fitimtarë e të shëndoshë, kjo ishte nga fuqia e fortë e imanit të Ebu Bekrit, nga vendosmëria dhe përqendrimi i tij.

Ky është kuptimi i fjalës së tij: “Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se sa besimtari i dobët, e që në të dy ka hajr.”

Pastaj tha: (kujdesu për atë që të bën dobi), që nënkupton veprimin e shkaqeve, dhe se njeriu vepron shkaqet e lejuara e nuk bëhet i paaftë e dembel, e nuk i le shkaqet. (Kujdesu), forma urdhërore që shpreh një konfirmim shtesë që të jesh i kujdesur për gjërat që të bëjnë dobi, e t’i marrësh shkaqet, duke kërkuar furnizim, mos u përkufizo vetëm në një shkak, por kërko ndihmën e Allahut duke vepruar shkaqet e ndryshme dhe duke u mbështetur në Allahun, kërko ndihmën e Allahut dhe nuk mbështetesh në shkaqet që i ke ndërmarrë edhe nëse është shkak i fortë, mos iu mbështet atij, por ndihmën e Allahu kërko.

 (Mos u bë i paaftë), është një ndalesë nga paaftësia që është dobësi e plogështi, për këtë i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kërkoi mbrojtje nga paaftësia dhe tha: “O Allah! Unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga paaftësia, dembelia, nga frika e kopracia, nga zhytja në borxhe dhe nënçmimi i njerëzve.”[3]

Paaftësia e cila është përtaci e dembeli është gjë e ndaluar, përpos paaftësisë që është pamundësi, i falet njeriut.

Pastaj nëse i ndërmerr shkaqet dhe e braktis paaftësinë e dembelinë dhe nuk të realizohet dëshira, apo të godet diç që ti e urren, mos e fajëso veten, dhe mos u pikëllo për atë që të ka goditur e mos thuaj: po të kisha vepruar kështu do ishte kështu e kështu, por thuaj: Caktim i Allahut, Ai vepron çfarë të dojë. Ti i ndërmore shkaqet dhe nuk ke lënë diç mangu, ndërsa arritja e rezultatit është çështje e Allahut, nëse nuk e arrin atë mos u mërzit dhe mos iu kthe vetes me fajësim, ngase po të ishte e caktuar për ty do të ndodhte, por, pasi që Allahu nuk e bëri caktim nuk ndodhi, e mos të ndal kjo në vazhdimësinë e kërkesës, por vazhdo në kërkim të së mirës, në kërkim të furnizimit, kjo është rruga e besimtarëve, ata i marrin të gjitha shkaqet dhe i mbështeten Allahut, nga Ai mbrojtje kërkojnë, e nëse nuk ndodh asgjë që ata dëshironin besonin në caktimin dhe gjykimin e Allahut, vazhdonin në kërkim të riskut dhe të mirësive, nuk e humbnin shpresën e nuk dëshpëroheshin nga mëshira e Allahut.

Ndërsa hipokritët dhe ata me iman të dobët nëse nuk arrijnë atë që synojnë fillojnë të fajësojnë, hidhërohen, sikur që thanë hipokritët për betejën e Uhudit për ata që ranë dëshmorë aty: “Atyre që nuk luftuan e u thanë vëllezërve të vet: “Sikur të na dëgjonit neve nuk do të mbyteshit”, thuaju: “Prapsojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!.” Sureja Ali Imran, 168.

O besimtarë! – mos bëni si mohuesit që u thonin vëllezërve kur (këta) niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, nuk do të vdisnit as nuk do të vriteshi”.” Sureja Ali Imran, 156.

Kështu është kur nuk beson në Caktimin dhe Gjykimin e Allahut, kështu është kur pas fjalës (po të) përfshihet hidhërimi ndaj caktimit, por nëse fjala (po të) është në kuptimin e keqardhjes për humbjen e një pune të mirë, s’ka gjë të keqe, i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë:

“Po ta dija të ardhmen e asaj që kam vepruar nuk do ta mirrja kurbanin me vete.”

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I PESËDHJETË E KATËR

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Muslimi me numër (2664).

[2] Dijetari i nderuar ka për qëllim hadithin të cilin e shënon Buhariu (3683) dhe Muslimi (2396) se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha atij: “… pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im, saherë që shejtani të takon në një rrugë ikën dhe merr rrugë tjetër nga rruga jote …”.

[3] E shënon Buhariu me numër (2893) dhe Muslimi me numër (2706). 4. E shënon Buhariu me numër (7229) dhe Muslimi me numër (1211).

GJITHASHTU NË ALBISLAM