A lejohet biseda pasi të thirret ikameti?

A lejohet biseda pasi të thirret ikameti?

0 2022


Pyetje: Hoxhë i nderuar na tregoni për ata që vazhdojnë bisedën në xhami edhe pasi është bërë ikameti dhe imami ka filluar namazin, a e kanë në rregull këtë veprim?

Përgjigje: Ndonjëherë ndodh që shejtani ua zbukuron disave bisedat e iu duken aq të rëndësishme, se sa edhe namazi, kështu që muezini e bën ikametin e ata e vazhdojnë bisedën e tyre. Hyjnë të fundit në xhami dhe dalin të parët. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, e ka ndaluar edhe namazin nafile të falet, nëse bëhet ikameti. Ai salallahu alejhi ue selem, ka thënë: Kur të bëhet ikameti, nuk ka më namaz, përpos namazit farz. E përcjell Muslimi 710. Pra, nënkuptohet se edhe gjërat e tjera duhet të ndërpriten në vend dhe besimtari t’u bashkohet safeve e të fillohet me namaz. Po ashtu ajo bisedë i pengon ata që kanë filluar namazin. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë secili prej jush flet me Zotin e tij, prandaj mos e pengoni njëri tjetrin dhe mos e ngrini zërin ndaj tjetrit me lexim (të Kuranit) [apo ka thënë] në namaz.” E përcjell Ebu Davudi dhe Ahmedi. Meqë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, i bën këto vërejtje për besimtarët, që mos të pengojnë njëri-tjetrin kur janë në namaz, atëherë jashtë namazit qortimi duhet të jetë edhe më i rreptë.

Nga rastet më të shëmtuara që kam hasur është rasti kur kam takuar në oborr të xhamisë disa njerëz duke biseduar, në kohën kur faleshin sunetet e para farzit. Pastaj është bërë ikameti dhe ka filluar farzi. Pas faljes së farzit kur jemi kthyer i kemi parë ata se si ngrihen ta vazhdojnë namazin edhe një rekat që u kishte ikur. Këta njerëz janë të dëmshëm për xhematin. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem, ka porositur të largohemi nga të tillët. Ai ka thënë: “Në kohët e fundit do të ketë njerëz të tillë, që rrinë në xhami rrathë-rrathë (grupe-grupe), imam kanë dynjanë, mos rri me ata, se Allahu nuk ka nevojë për ta.” Silsile Sahiha nr. 1163. Ne sot po i shohim këto shenja nëpër xhamitë tona, ku zhvillohen biseda të tilla mes atyre që falen derisa përleshen në xhami, se nuk e kanë ndarë drejt atë, që e kanë vjedhur së bashku (duke u bazuar në fetvatë e atyre “hoxhallarëve” që thonë se bën të vidhet pasuria e jobesimtarëve), bëhet përgojim, shpifje dhe biseda të tjera, Allahu na ruajt.

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM