KËSHILLA U BËN DOBI BESIMTARËVE

KËSHILLA U BËN DOBI BESIMTARËVE

0 4749

Me te vërtetë lavdia i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë prej Allahut të na mbrojë nga sherri i vetes tonë dhe të këqijat e veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu, s’ka kush e devijon dhe atë që e devijon, s’ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka Zot që meriton adhurimin, përpos Allahut të vetmit të pa shoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)! “ Ali Imran 102

“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju. “ Nisa 1

“O ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Allahut dhe thuani fjalë të drejta. * Ai (Allahu) iu mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen juve mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh “ Ahzab 70, 71

Fjala më vërtetë është fjala e Allahut, …

O ju besimtarë, Allahu i Madhëruar ka thënë në Librin e tij famëlartë:

 “Vazhdo me këshillë, sepse këshilla besimtarëve u bën dobi”. Dhariat 55

Të nderuar besimtarë, e falënderojmë Allahun me falënderime që i takojnë madhërisë tij. Atë e falënderojmë për të gjitha begatitë në përgjithësi dhe e falënderojmë për begatinë e fesë islame në veçanti. E falënderojmë në mëngjes dhe në mbrëmje, në vetmi dhe shoqëri dhe Atij i takon falënderimi.

Ne jemi krijesa me cilësi të ndryshme. Prej cilësive që i kemi është edhe harresa. Nuk ka njeri, prej të parëve e të sodit që nuk harron. Shpesh kemi nevojë që ndonjëherë ti përkujtojmë disa gjëra se me kalimin e kohës, ato harrohen. Në ajetin e theksuar më parë, Allahu i madhëruar e porositë të dërguarin e tij Muhamedin, që këtë ta bëjë me besimtarët, sepse Allahu i gjithëdijshëm i di krijesat e tija dhe Ai e di se çfarë ata kanë nevojë.

Së pari e porositë që ti këshillojë besimtarët dhe atë në imperativ:

 “këshilloi … “

Se këshilla është një shtyllë subjektive e shoqërisë, por mjaft e fuqishme. Ajo është shkak që të mbijetojë një shoqëri shembullore me moral të ngritur.

Ibn Kethiri, rahimehullah, ka thënë në tefsirin e tij:

“të kenë dobi zemrat e tyre”, d.m.th zemrat e besimtarëve.

Së dyti: pasi e ka urdhëruar Allahu i madhëruar pejgamberin, sal-Allahu alejhi ve selem, të këshillojë, I ka treguar se këshilla u bën dobi besimtarëve, d.m.th nënkuptohet se duhet t’i këshillojë besimtarët. Poashtu ka thënë se besimtarëve këshilla u bën dobi dhe atë zemrave të tyre.

Dijetarët, në studimin e zemave dallojnë tre lloj zemra:

  1. Zemra e gjallë
  2. Zemra e sëmurë dhe
  3. Zemra e vdekur

1 – Zemra e gjallë është ajo zemër e pastër nga mëkatet që e përmend Allahun dhe ndikohet nga përmendja e Tij.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet Allahu u rrëqethen zemrat e tyre, të cilëve kur u lexohen ajetet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre. “ Enfal, 2

Pra, kur Allahu i Madhëruar tregon për cilësitë e besimtarëve, e përmend ndikim e zemrave të tyre prej përmendjes së Allahut dhe leximit të Kuranit.

Zemrat e këtyre besimtarëve ndikohen edhe nëse ndodh që të bëjnë ndonjë mëkat edhe shumë të vogël.

Transmeton Ibn Asakiri se Harith ibn Suvejd ka thënë: hyra te Abdullahu ta vizitoj se ishte i sëmurë dhe ai na i tregoi dy hadithe, njërin për vete dhe tjetrin nga i dërguari i Allahut i cili ka thënë:

“ الْمُؤْمِنُ يَرَى ذُنُوبَهُ كَأَنَّهُ فِي أَصْلِ جَبَلٍ يَخَافُ أَنْ يَقَعَ عَلَيْهِ ، وَإِنَّ الْفَاجِرَ يَرَى ذُنُوبَهُ مِثْلَ ذُبَابٍ مَرَّ عَلَى أَنْفِهِ فَذَبَّ عَنْهُ. “

Besimtari i sheh mëkatet si të jetë në rrëzë të malit dhe frikësohet se mos pi bien mbi, ndërsa i shfrenuari i sheh mëkatet si ndonjë mizë i vjen në hundë dhe pastaj ikë nga ai.”

2 – Zemra e sëmurë është ajo zemër që ka bërë mëkate dhe pronari i saj e ka neglizhuar dhe as nuk kujdeset për pastrimin e tyre. Personi më kësi zemre varet nga shoqëria me të cilën është. Ai nëse ndodhet me shoqëri të mirë, i aktivizohet ana e mirë e tij dhe ka gjasa të përmirësohet, por kur ndodhet me shoqëri të keqe, ai bën si ata dhe ka mundësi ti keqësohet gjendja.

Njerëzit me këtë lloj zemre janë të shumë shtresave sipas sasisë së sëmundjes së zemrës.

Disa nga këto zemra (nëse jo të gjitha) janë zemrat e munafikëve.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “Në zemrat e tyre kanë sëmundje … “ Bekare 8

3 – Zemra e vdekur është ajo zemër që është nxirë e tëra nga mëkatet dhe ka arritur në një gjendje që më nuk dallon të mirën nga e keqja, udhëzim nga devijimi, të vërtetën nga e kota.

Kjo zemër nuk është në disponim të bëjë mirë dhe kur mëkaton, nuk shqetësohet, por – Allahu na ruajt – kënaqet, sepse i është nënshtruar epsheve.

Shembulli i kësaj zemre është si shembulli i njeriut të vdekur. Nëse njeriun e vdekur e shpon me gjilpërë, ai nuk do të reagojë, sepse është i vdekur. Kështu është puna me zemrën e vdekur, ajo nuk reagon , apo nuk shqetësohet pse ka bërë mëkat. E kundërta e zemrës së gjallë, ajo reagon në mëkate dhe shqetësohet edhe pot ë jetë mëkati i vogël.

Të nderuar vëllezër besimtarë, këto zemra që i kemi në gjokset tona, ushqehen dhe i kanë kanalet e ushqimit. Ato janë veshët dhe sytë.

Varësisht çfarë dëgjojmë dhe çfarë shikojmë, ato depërtojnë në zemër. Ashtu siç kujdesemi për barkun tonë ta ushqejmë me ushqime të shëndosha, poashtu edhe zemrën duhet ta ushqejmë më ushqime të shëndosha. Nëse njeriu han ushqim të prishur, do të sëmuret. Njëjtë ndodh me zemrën, nëse e ushqen me ushqime të dëmshme për të.

Zemra është organi më i rëndësishëm në trupin e njeriut dhe i gjithë trupi varet nga gjendja e zemrës.

I dërguari i Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë:

أَلاَ وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ، وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ. أَلاَ وَهِيَ الْقَلْبُ “. .. “

“ … me të vërtetë në trup ka një copë mishi, nëse ajo është në rregull, i tërë trupi është në rregull, nëse ajo nuk është në rregull, i tërë trupi nuk është në rregull. Ajo me të vërtetë është zemra.

Tra. Buhariu

E lusim Allahun e Madhëruar të na i përmirësojë zemrat.

E them këtë thënie dhe kërkoj prej Allahut ndjesë për mua dhe për ju, andaj kërkoni falje, se do tu falen mëkatet.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, a salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjes së tij dhe sahabët e tij.

“Është e vërtetë se Allahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” Ahzab 56

Zemra e shëndoshë është edhe shkak për të shpëtuar njeriu në Ditën e Kijametit:

Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët. * (bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë. “Shuara, 89

Lutje:

* O Zot ynë, na jep në dynja të mirën dhe në Ahiret të mirën dhe na mbroj nga zjarri i xhehenemit.

* O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në ditën e llogarisë.

* O Zot ynë, jepja shpirtrave tanë devotshmërinë dhe pastroi se Ti je më i miri që i pastron, ti i ke në kujdes dhe je miku më i mirë i tyre.

* O Allah, na bëj ta shohim të vërtetën dhe na furnizo me pasimin e saj dhe na bëj ta shohim të kotën dhe na furnizo ti largomi asaj.

* O Allah, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët nga ata dhe të vdekurit.

* O Allah forcoi islamin dhe muslimanët dhe shkatërroi shirkun dhe mushrikët.

* Subhane rabbike rabbel-izeti amma jesifun, ve selamun alel-murselin, vel-hamdu lilahi rabbil-alemin.

innallahe je’muru bil-adli ve ihsani ve itai dhil-kurba, ve jenha anil-fahshai vel-munkeri vel-bag-ji, jeidhukum leal-lekum tedhekkerun.

Ali Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM