RREZIKU I KAMATËS

RREZIKU I KAMATËS

0 5180

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” Ali Imran 102.

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju”. Nisa 1.

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore”. Ahzab 70-71.

O ju njerëz, frikohuni Allahut dhe kini kujdes prej depërtimit të kamatës në tregtitë e juaja dhe prej përzierjes së pasurisë tuaj. Ngrënia e kamatës dhe përdorimi i saj është prej mëkateve më të mëdha dhe Allahu ngrënësit dhe atij që punon me të iu kërcënua me zjarr të xhehenemit dhe me luftë prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Allahu, azze ue xhel, thotë: O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vete. Bekare 278-279. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshi mbi të, ka mallkuar atë që e ha kamatën, ai që ushqen kamatën (e jep atë), ai që e evidencon atë si dhe ata që janë në cilësinë e dëshmitarëve në kontratën ku ekziston kamata.” Dhe tha: “Të gjithë këta janë të barabartë”. Nuk është paraqitur kamata dhe imoraliteti në mesin e një popull përveç se është paraqitur tek ata varfëria, sëmundjet e ndryshme dhe zullumi prej sulltanit. Kamata i shkatërron pasuritë dhe ua heq bereqetin: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë”. Bekare 276.

Allahu e theksoi me ashpërsi kërcënimin ndaj ngrënësit të kamatës dhe e konsideroi ngrënien e saj si të shëmtuarën më të fëlliqur dhe mëkatin më të madh, të cilit Allahu i shpalli luftë. Pastaj, qartësoi se ngrënësi i kamatës do të përjeton dënim  në dynja dhe në ahiret. Prej dënimeve të dynjasë është asgjësimi i bereqetit të pasurisë, humbja, shkatërrimi i saj, etj, saqë pronari i asaj pasurie do të bëhet njeriu më i varfër në shoqëri. Shpeshherë dëgjoni për zhdukjen e pasurive të mëdha me djegien e saj, fundosje ose me  shkatërrimin e saj prej vërshimeve të mëdha, saqë banorët e atyre vendeve bëhen më fukaratw në mesin e njerëzve. Në rast se mbetet pasuria e fituar me kamatë në duart e pronarëve të saj, ajo pasuri nuk do t’i bën aspak dobi për shkak se është pa bereqet dhe për të Ditën e Kiametit do të jep llogari dhe do ta pret dënim i dhembshëm. Njeriu që e ha kamatën dhe punon me të është krijesa më e urryer tek Allahu dhe tek krijesat e Tij. Cilësi e këtij njeriu është se vetëm merr e nuk jep, mbledh e nuk shpërndan, nuk shpenzon e nuk jep sadaka, është koprrac e dorështrënguar, zemrat nuk e dojnë dhe shoqëritë e refuzojnë. Kjo është prej dënimeve që e kaplojnë në dynja, kurse dënimi në ahiret do të jetë edhe më i rëndë dhe më i gjatë.

 

Allahu, azze ue xhel, e qartëson në Kuran se çka e pret ngrënësin e kamatës ditën kur do të ngrihet prej varrit për të dhënë llogari dhe thotë: “Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet”. Bekare 275. Edhe atë se njerëzit kur do të ringjallen do të dalin me shpejtësi prej varreve të tyre dhe do të nxitojnë për në Mahsher siç thotë edhe Allahu në Kuran:“Ditën, në të cilën do të dalin nga varrezat duke vrapuar, sikur të ishin duke nxituar drejt një altari”. Mearixh 43. Prej tyre do të veçohet ngrënësi i kamatës i cili ngrihet dhe rrëzohet për toke, gjendja e tij i përngjanë atyre që bëjnë mundje njëri me tjetrin dhe të cilët ngrihen dhe rrëzohen gjatë dyluftimit,  për shkak se ngrënia e kamatës barkun ia ka fryrë dhe ia ka bërë të rëndë dhe çdo herë që tenton të ngrihet e t’i bashkëngjitet të tjerëve rrëzohet për toke, kështu që vonohet dhe nuk mundet t’i zë të tjerët. Kjo, si dënim dhe nënçmim për ngrënësin e kamatës Ditën e Kiametit.

Semure ibën Xhundub transmeton se i Dërguari i Allahut, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kam parë natën e (Miraxhit) dy melekë. Erdhën dhe më nxorën në tokën e shenjtë. Pastaj u nisëm dhe arritëm te një lum prej gjaku. Në këtë (lum) qëndronte një njeri. Ai qëndronte në mes të lumit, e në (breg të lumit) qëndronte një tjetër, përpara të cilit gjendeshin gurë. Sa herë që njeriu në mes të lumit rrihte të dilte, tjetri (nga bregu i lumit) e gjuante me gurë në gojë dhe e kthente në vendin ku qëndronte. Kështu vepronte sa herë që rrihte të dilte, e gjuante me gurë në gojë dhe njeriu kthehej përsëri aty ku qëndronte. Pyeta: Kush është ky? (Meleku) M’u përgjigj: Ai që gjendet në mes të lumit është njeriu që ka ngrënë kamatën”.

Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kamata është shtatëdhjetë lloje mëkatesh, më e lehta është sikur njeriu të martohet me nënën e vet“.

O ju musliman,

Kamata është e ndaluar në të gjitha fetë qiellore. Allahu, azze ue xhel, thotë për çifutët: “Ne ua ndaluam atyre disa ushqime të mira, të cilat ishin të lejuara për ta, për shkak të prapësive që bënë, për shkak se ata pengonin shumë njerëz nga udha e Allahut, për shkak se merrnin kamatë, megjithëse kjo ishte e ndaluar për ta dhe për shkak se përvetësonin padrejtësisht pasurinë e njerëzve”. Nisa 160-161.

Edhe përskaj këtij kërcënimi të ashpër për ngrënësin e kamatës, shumica e njerëzve vazhdojnë të mbledhin pasuri në mënyrë të paligjshme dhe nuk u intereson mënyra se si kanë arritur deri tek ajo pasuri. E rëndësishme tek ata është vetëm mbledhja e pasurisë dhe shtimi i saj. Të ndaluar e konsiderojnë çdo gjë çka nuk munden ta arrin apo të mbërrin deri tek ata, ndërsa e lejuar sipas parimeve të tyre është çdo gjë që ata munden ta arrin edhe atë në çfarë do mënyre. Kjo aludon në mungesën e drojës ndaj Allahut në zemrat e tyre dhe në mosnjohjen e fesë së tyre. Në rast se gjendja e shoqërisë arrin në këtë nivel, atëherë prite dënimin. Nuk ka mirësi në atë jetë që bazohet mbi këtë sistem dhe nuk ka mirësi në atë pasuri që fitohet në mënyrë të paligjshme. Pasuria e grumbulluar në mënyrë të paligjshme i përngjanë kënetës e cila është e formuar prej ujit të fëlliqur të pisët dhe çdo njëri që kalon andej apo gjendet në afërsi të saj dëmtohet prej erës së saj që e nuhat.

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve dhe të qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë,

Sot në mesin e njerëzve janë përhapur shumë biznese e tregti me kamatë të qartë. Muslimani duhet të jetë vigjilent ndaj këtyre transaksioneve dhe këmbimeve që të mos bie nën ndikimin e atyre që punojnë me të. Prej llojeve të kamatës që janë përhapur kohëve të fundit është:Kamata e shtyrjes apo vonesës. Ky lloj quhet edhe “Kamata e borxhit” dhe nënkupton shtimin e kushtëzuar, të cilin e merr huadhënësi nga huamarrësi për shkak të kohës që i ka lënë në dispozicion huamarrësit të paguajë borxhin. Dhe çdo herë që e vonon huamarrësi kthimin e borxhit i rritet borxhi. Ky lloj i kamatës ka qenë prezent dhe shumë i përhapur tek arabët para Islamit dhe kjo është “Riba el-Xhahilije” që do të thotë: “Kamata e injorancës” të cilën e cek Allahu në Kuran: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë. Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit”. Bekare 278-280.

Poashtu prej llojeve të kamatës që janë përhapur kohëve të fundit është: Borxhi me fajde apo dobi. Ky lloj kamate nënkupton dhënien e borxhit, mirëpo me kusht që t’ia kthen borxhin me një sasi të rritur si kompensim për pasurinë që ka huazuar, konform kushteve të caktuara.

Poashtu në rast se huadhënësi e kushtëzon huamarrësin me ndonjë lloj dobie për borxhin e dhënë, si: të banoj huadhënësi një kohë të caktuar në shtëpi të huamarrësit pa qira, ose t’ia shfrytëzon makinën e tij për një kohë të caktuar, ose t’i dhuron dhurata, ose çdo lloj dobie tjetër, kjo është kamatë. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Çdo borxh që tërheq me vete ndonjë dobi është kamatë”. (1)

Dijetarët janë unanim rreth kuptimit që ka të bëj ky hadith.

Poashtu prej llojeve të kamatave është edhe deponimi i të hollave me fajde apo interes nëpër banka, ku banka i pranon ato të holla prej myshteriut dhe punon me to, ndërsa si shpërblim myshteriut çdo muaj i jep përqindje të cilën e quan dobi, por në fakt kjo është kamatë.

Poashtu prej llojeve të kamatës është edhe këmbimi i të hollave mes veti që duhet patjetër të bëhet dorë më dorë në vendin dhe çastin e aktit dhe nuk të duhet të ndahen të dy palët prej vendit të aktit para se t’i kapë çdonjëri të hollat e veta në dorë. E njëjta vlen edhe për blerjen e arit dhe argjendit me të holla prej letre ku duhet patjetër të bëhet dorë më dorë në vendin dhe çastin e aktit dhe nuk të duhet të ndahen të dy palët prej vendit të aktit para se ta kapë çdonjëri mallin e vet në dorë.

Ka edhe shumë pamje dhe lloje të  tjera të kamatës për të cilat nuk ka hapësirë të mjaftueshme të flasim këtu. Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’i largohet të gjitha pamjeve dhe llojeve të kamatës dhe mos të bie kurban i atyre që nuk u intereson fare kjo çështje dhe për çdo gjë që nuk e kupton le t’i drejtohet dijetarëve, për shkak se çështja është shumë e madhe dhe rreziku edhe më i madh.

E lus Allahun të na bëjë dobi mua dhe juve me udhëzimin e Kuranit dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kjo ishte ajo çka dëshiroja ta them. Prej çdo mëkati kërkoj falje tek Allahu për vete dhe për ju dhe për të gjithë muslimanët. Kërkoni falje prej Tij se me të vërtetë Ai është Gjithëfalësi dhe Mëshirëploti.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

 ______________________________________________

(1) Hadithi është i dobët dhe më e sakta është ajo çka e cekin juristët Islam se kjo është një prej rregullave në jurisprudencën Islame dhe dijetarët janë unik në atë se hadithi është i dobët mirëpo kuptimi i hadithit është i saktë.

GJITHASHTU NË ALBISLAM