PËRKUFIZIMI I AKIDES DHE TEVHIDIT SI DHE LIDHJA MES TYRE

PËRKUFIZIMI I AKIDES DHE TEVHIDIT SI DHE LIDHJA MES TYRE

0 1798

             Përkufizimi i akides në aspektin gjuhësor

            Akideja në aspektin gjuhësor do të thotë nyje, lidhëse, shtrëngim, etj., pra akideja është vendim i një të bindurit që nuk pranon mëdyshje, kurse akideja (besimi) në fe është ajo me të cilën synohet dogma e kredoja, pa vepër, si p.sh. akideja (besimi) në ekzistimin e Allahut dhe dërgimin e të Dërguarve të Zotit. Pra akide është ajo me të cilën njeriu bindshëm e lidhë zemrën, pa marrë parasysh a është ajo akide e vërtetë apo e kotë. Pra ky është aspekti gjuhësor.[1]

            Përkufizimi i akides në terminologjinë e përgjithshme

            Në këtë përkufizim, akide është: Çështje të cilat obligohesh t’i besosh me zemër e të qetësohet me to shpirti, derisa të bëhet bindje e rrënjosur, e cila bindje nuk përzihet me dyshim e hamendje, pra besim për të cilin ai që e beson nuk ka lëkundje e mëdyshje, sikurse obligohet të jetë në përputhshmëri me realitetin, gjë që nuk pranon dyshime e supozime, andaj në rast se dituria nuk arrin të jetë në gradën e një bindjeje të fortë, të rrënjosur e të vendosur, atëherë nuk mund të quhet dot akide.[2]

            Përkufizimi i akides islame

            Akideja islame është: Besimi i vendosur e i prerë në rububijen, uluhijen dhe emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Allahut, në melaiket, librat e Zotit, të dërguarit të Zotit, në kader (i mirë apo sherr), gjithashtu besimi në gjithçka që është vërtetuar nga çështjet e gajbit, në bazat e fesë, në atë çka janë pajtuar të gjithë të parët tanë të mirë, gjithashtu t’i dorëzohemi plotësisht Allahut dhe ta rrespektojmë Atë, urdhërin dhe vendimin e Tij, dhe në këtë akide përfshihet edhe pasimi i të Dërguari të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-.

            Akideja islame kur përmendet është për qëllim akideja e Ehlu Sunetit dhe xhematit, ngase mu kjo akide është Islami, të cilin e deshi Zoti dhe e përcaktoi të jetë fe për robërit e Tij, dhe më saktësisht kjo akide është akideja e tri gjeneratave të para e të dalluara, pra e sahabëve, tabiinëve dhe ata që i kanë pasur me të mirë.[3]

            Përkufizimi gjuhësor dhe terminologjik i Tevhidit

            Tevhidi (njësimi) në aspektin gjuhësor është i marrë nga rrënja vahade, që është ekuivalente me fjalën njësoj (në gjuhën shqipe), që do të thotë të bësh diçka një. Kurse në Sheriat, tevhid do të thotë: “Veçimi i Allahut, -subhanehu ue te’ala!-, me rububije, uluhije dhe emrat dhe cilësitë e Tij!”[4]

            Kolosi Ibën Kajjimi, -rahimehullah!-, ka thënë: “Nuk është tevhidi veç të pranosh e besosh se Allahu është Krijuesi, Zoti dhe Mbreti i gjithçkaje, ngase kësisoj besonin edhe adhuruesit e idhujve, por megjithatë mbetën mushrikë. Por Tevhidi përmban gjithashtu edhe dashurinë ndaj Allahut, përuljen dhe nënshtrimin para Tij, bindjen ndaj Tij duke e rrespektuar dhe duke e bërë adhurimin vetëm për Të, duke synuar Fytyrën e Tij me të gjitha veprat dhe fjalët, po ashtu edhe kur duam diçka apo urrejmë, kur japim apo s’japim, krejt këto i bëjmë për Fytyrën e Allahut, e që kjo e shtyen muvahidin që t’i shmanget rënies dhe insistimit në mëkate, e kush e kupton këtë, arrin të kuptojë fjalën e të Dërguarit të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-: “Allahu ia ka bërë haram zjarrit (personin) që thotë: ‘La ilahe ilAllah’, e me këtë ka synim Fytyrën e Allahut!”[5]

 

            Lidhja mes tevhidit dhe akides

            Dija e akides dhe ajo e tevhidit janë sinonime tek Ehlu Suneti, mirëpo dija e tevhidit u emërtua si shkencë e akides, duke u bazuar në frytin që pritet nga kjo, i cili rezultat është dorëzimi i zemrës me një dorëzim të prerë i cili nuk pranon shthurrje e këputje.[6]

            Mund të kenë dallime në aspektin terminologjik, në kuptimin që shkenca e tevhidit është një dije me anë të së cilës arrin të besosh e të vërtetosh kredo fetare me argumente, kurse shkencës së akides krahas kësaj i shtohet gjithashtu tematika e kundërpërgjigjeve ndaj dyshimeve dhe mposhtja e “fakteve” të kundërshtarëve, pra akideja dhe tevhidi bëhen bashkë në atë se të dyja janë për njohjen e së vërtetës, porse akideja është më e përgjitshme se sa tevhidi ngase kjo e vërteton të vërtetën me argumente dhe i kundërpërgjigjet dilemave, mëdyshjeve dhe hamendjeve të kundërshtarëve, sikurse në këtë vazhdë gjithashtu edhe i debaton fetë dhe sektet e tjera. Tek të parët tanë ka qenë traditë që librat e tyre në tevhid dhe iman t’i quajnë akide, siç ka vepruar kësisoj Ebu Uthman Es-Sabuni, -rahimehullah!-, në librin e tij: “Akidetus-Selef Es’hab el-Hadith”, apo edhe El-Lalikaij, -rahimehullah!-, në librin e tij: “Sherh usul iëtikad ehlis-suneti vel-xhemah”.[7]

  

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

           

[1] Shih: Abdulhamid El-Etherij, El-Vexhiz fi akidetis-selef, f. 29

[2] Shih: Po aty, f. 30

[3] Shih: Po aty

[4] Shih:  Muhamed bin Salih El-Uthejmin, El-Kavlul-mufid ala kitabit-Tevhid, 1/11

[5] Shënon Buhariu (425), Muslimi (33), e të tjerë.

[6] Shih: Ibrahim bin Muhamed El-Burejkan, El-Medkhal li-dirasetil-akideti el-islamije ala medh’hebi ehlis-sune, f. 10

[7] Shih: Muhamed Jusri, Ilmul-akideti inde ehlis-suneti vel-xhemaah, f. 129

GJITHASHTU NË ALBISLAM