Njeriut nuk i ndahen dy cilësi injoranca dhe padrejtësia. Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie)” (Ahzab, 72). Ashtu si natyra e njeriut nuk ndahet nga padrejtësia, po ashtu esenca e tij është injoranca.
Për këtë shkak detyrë e njeriut është të largojë paditurinë duke mësuar fenë e Allahut. Ai detyrohet ta stolis veten me vlerat e diturisë, në veçanti në kohën kur njeriun e vërshojnë gërmadhat e mëdha të dyshimeve, pasioneve dhe epsheve. Në kohën kur këto rreziqe pengojnë udhëzimin e njeriut dhe përfitimin e tij, të gjerave që i bëjnë dobi në dynja dhe ahiret. Zemrat janë të dobëta, dyshimet me lehtësi i mbizotërojnë ato duke shkaktuar konfuzion. Duke i pasuar pasionet njeriu rrëshqet dhe kaplohet nga dehja.
Nëse pyet cila është mënyra më e mirë për ta larguar zullumin dhe padrejtësinë dije se atë e largon durimi dhe kthimi tek Allahu, subhanehu ue te’ala, me vetëdije për mbikëqyrjen e Tij dhe me frikë prej dënimit të Tij. Në këtë rrugëtim ndihmoje veten duke mësuar dispozitat e Sheriatit, urdhrat dhe ndalesat, duke mësuar për Allahun me një dituri që shkakton madhërimin e Tij dhe drojën prej Tij. Të mjafton prej diturisë aq sa të mjafton të jesh i devotshëm.
Rruga më e gjërë që të shpien drejtë udhëzimit është përvetësimi i diturisë fetare, pajisja me njohuri të dinit. Në një hadith sahih, i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: Kujt ia do Allahu të mirën ia mundëson ta kuptojë fenë.
Pas këtij hadithi është i pashmangshëm komenti: Nuk e kupton këtë fe ai të cilit Allahu nuk ia do të mirën. (Mexhmu’ul Fetava, 20/212)
Dija e fesë patjetërson udhëzimin dhe gjurmë e diturisë është përqendrimi (istikameja) dhe mbarësia. Këto pasoja të pashmangshme ndoshta do të mungojnë nëse nuk plotësohen kushtet (e kërkimit të diturisë) apo realizimin e tyre e pengon ndonjë pengesë. (Mexhmu’ul Fetava, 20/212 dhe Miftah Dar Es Seade 1/315)
Nëse dikush mëson dhe kërkon dituri të fesë së Allahut dhe nuk udhëzohet ose nuk është i përqendruar në rrugën e Allahut, atëherë kemi të bëjmë me mosrrënjosje të diturisë dhe mungesë të parafytyrimit të plotë dhe bindës të meseleve të fesë. Dituria e thellë dhe udhëzimi janë pasoja të pashmangshme të përvetësimit të mirë të diturisë.
Këtë mesele, Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, e elaboron mirë duke thënë: Çdo mëkatues është injorant, çdokush që frikohet prej mëkatit është dijetar që i bindet Allahut. Perceptimi i drejtë i asaj prej të cilës frikësohemi patjetërson ikjen prej saj ashtu si perceptimi i drejtë i asaj që e duam patjetërson kërkimin e saj. Nëse nuk ik prej asaj që frikëson dhe nuk e kërkon atë që e dëshiron, kjo tregon qartë se perceptimi i i tij nuk është i plotë dhe i vërtetë. (Kitabul Iman fq. 19)
Shkak i vërtetuar i udhëzimit është edhe duaja dhe shfaqja e nevojës emergjente që e kemi për Allahun. Duaja është rruga më e shkurtë drejt Allahut. Drejtohu Allahut dhe kërko udhëzimin në rrugën e drejtë, shfaqe nevojën që e ke për Allahun dhe Allahu do ti përgjigjet duasë duke të udhëzuar dhe bërë të përqendruar në rrugën e shpëtimit. Në hadithin kudsij të njohur Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: O robërit e mi, gjithë jeni të lajthitur përveç atyre që i udhëzoj, kërkoni udhëzim prej Meje që t’ju udhëzoj.
Lutje e tillë është edhe lutja e Fatihasë: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”, e cila na është obliguar të themi në namaz se paku 17 herë brenda ditës.
Robi në çdo situatë ka nevojë për udhëzimin e Allahut, udhëzim që është i plotë dhe që përfshin gjitha aspektet e jetës dhe veprimtarisë së tij. Atë më së miri e përfiton nëse i drejtohet Allahut, subhanehu ue te’ala, me lutje në të cilën shfaqet nevoja e tij për Zotin e gjithësisë.
Atëherë kur njeriu ndien vështirësi dhe përtesë gjatë lutjes dhe drejtimit kah Allahu le ta dijë se shpëtim prej asaj situate është llogaritja e vetes, gjurmimi pas rrëshqitjeve dhe metave që i ka. Duke llogaritur veten do ta gjej rrugën drejt përuljes dhe vazhdimësisë në përkushtim ndaj Allahut. Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Pastrimi i shpirtit varet dhe kushtëzohet nga vetëllogaritja. Duke e llogaritur veten njeriu i sheh mangësitë dhe të metat që i ka dhe vetëm pasi ti kuptojë dobësitë që i ka i mundësohet angazhimi në përmirësimin e tyre. (Medarixhu Salikin, 2/510)
Nuk ka dëm më të madh për njeriun se sa anashkalimi i vetllogaritjes, se sa vonimi i saj, lehtësimi i çështjes së saj dhe braktisja e saj. Situata e këtillë çon drejt shkatërrimit dhe e tillë është gjendja e të mashtruarve që i mbyllin sytë ndaj pasojave dhe me shpejtësi kalojnë të tashmen. (Igathetu Lehfan,1/136)
Ai që me vëmendje i analizon lajmet e atyre që janë “kthyer mbrapa” do të vëren se prej shkaqeve të lajthitjes është vetpëlqimi, krenaria me aftësitë dhe talentet që i kanë poseduar, vetëmashtrimi me fuqinë që e kanë zotëruar. Kanë qenë të zgjuar por zgjuarsinë e tyre nuk e kanë fisnikëruar, kanë pasur sy, vesh dhe zemra, që nuk u kanë bërë dobi. Kush mbështet dhe lidhet me dikë tjetër pos Allahut patjetër do të ballafaqohet me privim dhe poshtërim.
Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, këtë bukur e shpjegon: Ndoshta është prej më të zgjuarve me mendjemprehtësi të jashtëzakonshme por nuk arrin ti kupton gjërat më të dukshme. Gjithashtu ndoshta është më i ngadalshmi dhe ai që nuk ka mendjemprehtësi por Allahu e udhëzon në të drejtën në çështjet rreth të cilëve janë ndarë mendimet. Ai që mbështetet vetëm në analizën e tij, në argumentet e tij, në arsyen dhe njohuritë që i posedon do të humbë. (Der’u Tearud Bejnel Akli Ven Nakl, 9/34)
Është për tu mërzitur realiteti i cili insiston në aftësitë e njeriut dhe i stërmadhon ato duke shkaktuar vetëbesim dhe bindje të pakufishme në ato që i posedon lloji njerëzor si cilësi (mençuria, zgjuarsia, intelekti etj.).
Gjithashtu prej shkaqeve të dalaletit dhe humbjes janë edhe pasionet që i ka njeriu e që refuzojnë tu nënshtrohen sunetit dhe ligjit të Allahut. Në këto shpirtra që me vështirësi pranojnë sunetin, lehtë pranohen idetë devijuese dhe risitë që nuk kanë qenë të njohura. Për këtë shkak Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: Të mjaftuarit me atë që është e Sunetit është më mirë se sa angazhimi i madh në rrugën e bidatit.
Kur është pyetur Sufjan ibën Ujejne: Pse epshorët i duan aq shumë epshet e tyre është përgjigjur: A e ke harruar ajetin “Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin.” (El Bekare, 93)
Ai që kërkon udhëzimin i nënshtrohet rregullave të fesë dhe i shmanget rrugës së epsheve. Allahu, subhanehu ue te’ala, thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se ata janë skllevër të dëshirave të veta.” (El Kasas, 50)
Ibën Akili Hanbeliu këtë mirë e ka kuptuar dhe ka shkruar: Kur detyrat e fesë u bën të rënda për injorantët dhe tejkaluesit e kufive, u larguan nga dispozitat e Sheriatit dhe filluan të madhërojnë ritet që i kishin shpikur. I konsideruan si gjë e lehtë, ngase fenë e nënshtruan para epsheve të tyre, edhe pse duhej që epshet e tyre ti nënshtrojnë në pajtim me rregullat e dinit. (Telbis Iblis, fq. 455)
Përktheu dhe përshtati: Talha Kurtishi