Gjatë thirrjes së tij, i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, përjetoi sprova të shumta. Megjithatë konsideroj se më e madhja dhe më e ashpra ishte ajo që preki nderin e familjes së tij në ndodhinë që quhet “Shpifja”. Kjo ndodhi e lëkundi shtëpinë e Resulullahut, madje e lëkundi edhe Medinën në tërësi. Duke iu referuar ndodhisë në fjalë Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Me të vërtetë, ata që shpifën, janë një skotë prej jush. Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju. Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë, kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.” (En Nur, 11)
Ajo që më së shumti e tërhoqi vëmendjen tonë është pjesa e ajetit “Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.” pas të cilës në shesh del pyetja si mundet që ndodhia e shpifjes të jetë hair për muslimanët?
E dimë se sa u përket mynafikëve kjo ndodhi vetëm se e ka shtuar të keqen e tyre dhe këtë qartë e pohon ajeti “Çdonjëri prej tyre do të dënohet për atë që ka bërë kurse atë që ka shpifur më shumë, e pret një dënim i madh.”
Gjithashtu jemi të vetëdijshëm për vuajtjet e Aishes, radijallahu anha, pas përhapjes së fjalës së shëmtuar, për vuajtjet e Resulullahut, Ebu Bekrit, nënës së Aishes, sahabëve në përgjithësi, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë, vuajtje kjo e cila zgjati një muaj.
Pjesa e ajetit e cituar më lartë na largon prej hapësirës së vuajtjes në një tjetër hapësirë, më të gjerë, duke na e ndaluar kuptimin e parë që e cyt shejtani kur ballafaqohemi me ndonjë të pakëndshme duke e paraqitur si diçka të keqe. Me përforcim gjuhësor Allahu, subhanehu ue teala, na tregon se një ndodhi kaq e vështirë me gjithë elementet e këqija që e përcjellin është hair (e mirë) për besimtarët.
Ajeti në fjalë është ndoshta shprehja më elokuente për cilësinë e optimizmit me të cilën duhet të stoliset besimtari dhe në të njëjtën kohë skicon metodologjinë islame në komentimin e ndodhive dhe në bashkëveprim me ndodhitë. Kjo metodologji mbështetet në besimin në Allahun, subhanehu ue teala, dhe në caktimin e Tij.
Virtyti i optimizmit nuk ka për detyrë kthimin mbrapa na kohë për të ndryshuar ecurinë e ndodhive. Përkundrazi njeriu u referohet të kaluarave për të fshirë gjurmët e këqija që ato ndodhi kanë lënë në shpirtin e tij, për të meremetuar vetëdijen dhe mënyrën e të menduarit, duke i drejtuar drejt horizonteve të reja.
Në këtë metodologji optimiste duhet të dallojmë mes asaj që ka ndodh dhe asaj që nuk ka ndodh.
Rregulli madhështor mbi të cilin ndërtohet kjo metodologji është dallimi mes kaderit (caktimit) kosmologjik dhe kaderit fetar. Kaderi kosmologjik është ajo që Allahu ka caktuar qe të ndodh pa marr parasysh a bëhet fjalë për diçka që Allahu e do ose nuk e do. Në anën tjetër kaderi fetar është ajo të cilin Allahu e do dhe është i kënaqur me të.
Ndodhia e shpifjes është caktim kosmologjik dhe nuk është caktim fetar. Allahu nuk e do dhe nuk është i kënaqur me atë që ka ndodh, atëherë pse e ka caktuar? Nuk ka dyshim se urtësitë e caktimit të kësaj ndodhie janë të mëdha, dhe mu për këtë shkak Allahu thekson nevojën që besimtarët të dinë se kjo ndodhi është hair për të.
Le të jetë kjo një parim i përgjithshëm që çdoherë kur besimtarët ballafaqohen me kaderin hyjnor kosmologjik në atë moment të kujtojnë ajetin “Mos e quani atë si të keqe për ju. Përkundrazi, kjo është mirë për ju.” (En Nur, 11) si dhe të ngjashmin në kuptim: “…është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” (En Nisa, 19)
Besimtari duhet të vetëdijesohet për mirësinë e sprovës që i ka ndodhur me optimizëm se pas saj, me lejen e Allahut, do të vijon një hair i përgjithshëm, nëse i ndërmarrim angazhimet që shpien drejt tij.
Nga kjo mirësi, sipas kontekstit të ajetit, janë privuar mynafikët dhe për të qenë sprova hair që ngjall optimizëm të bazuar duhet njeriu të mos njolloset me mëkatim. Shejhul Islam Ibën Tejmije qartëson se ai që mëkaton nuk meriton të shpreson në hair derisa të mos pendohet sinqerisht.
Po njeriu duhet të pajtohet me caktimin e Allahut dhe me bindje të jetë optimist së sprova padyshim është hair për të, dhe nga pikënisja e bindjes së tij të paluhatshme dhe optimizmit të saktë të ndërmerr vepra që janë në pajtim me vullnetin e Allahut për ti mënjanuar gjurmët e atij kaderi të papëlqyer.
Prej mjeteve që e ndihmojnë njeriun që ti realizon këto qëndrime dhe të zvogëlojë hidhëtinë e sprovave është madhërimi i Allahut në zemrën e besimtarit. Ky madhërim e lehtëson mënyrën se si bashkëveprojmë me këto sprova, si e vjelim të mirën dhe e pengojmë të keqen duke e fituar mbështetjen dhe udhëzimin e Allahut, subhanehu ue teala, drejtë urtësisë dhe asaj që është e saktë. Kështu do të ndërpriten rrugët e çdo cytjeje.
Mr. Talha Kurtishi
www.albislam.com