Ato kurrë nuk e tradhtojnë shikuesin e rregullt të tyre (vetëm nëse “rastësisht” ka një mungese të energjisë elektrike). Vijnë gjithmonë në orar dhe kryejnë rolin e një doze ditore ilaçi. Është për t’u habitur se me sa zell e dëshire burra, gra e fëmijë mësojnë menjëherë përmendesh oraret dhe stacionet televizive ku transmetohen.
Protagonistët e telenovelave bëhen automatikisht pjesëtare të familjes dhe interesimi ndaj tyre dhe jetës së tyre private bëhet shqetësim i përbashkët i familjes. Në momentin që një telenovelë përfundon, nis gjithmonë një e re, në orarin dhe kohët e njëjta në mënyrë që teleshikuesit të mos i prishet regjimi i tij ditor dhe përfshirja në telenovela e aktorëve të njëjtë shpesh bën që teleshikuesi të mos e dallojë se kur përfundon dhe kur nis një telenovelë e re.
Problemi ama, fillon atëherë kur teleshikuesit dalin në boten e vërtetë, aty ku përballen me jetën pasi ato do donin që jeta te mos ishte kaq e “ndërlikuar” por të ishte e thjeshtë dhe pak serioze pikërisht siç është nëpër telenovela.
Njerëzit stresohen dhe depresioni bën punën e vet duke pasur përballe qenie njerëzore të dobëta edhe pse i përkasin moshave të ndryshme. Pa vetëdije, teleshikuesi rregullt i telenovelave nuk mendon asnjëherë se çfarë do përfitojë nga gjithë kjo kohë që i kushton shikimit te tyre dhe fatkeqësisht përgjigja është se gjithmonë është një kohë e çuar kot, shumë kot.
Rreziku fillon atëherë kur teleshikuesit (në këtë rast Shqiptarët pasi ky fenomen po behet gjithmonë e më shumë serioz, gati më duket si problemi i plehrave, ku në këtë rast po i importojmë nga e gjithë bota), rreziku fillon atëherë kur njerëzit nisin e mendojnë se jeta nuk ka më kuptim, atëherë kur njerëzit mendojnë se nuk kanë asnjë arsye të vlefshme për të cilën ja vlen të ndërpresësh dozën ditore të helmimit.
Tani po të kthehemi në aspektin njerëzor dhe fetar të kësaj dukurie çnjerëzore…
Me anë të telenovelave po zhduken vlerat e vërteta të jetës dhe ato dukuri të cilat deri dikur na dukeshin si të pavlera dhe të turpshme tani po bëhen më se normale. Më shumë mundësi kjo është pjesa e egër dhe djallëzore e cila fiton mbi atë njerëzore, është një luftë e brendshme e vazhdueshme mes të mirës dhe të keqes ku e keqja triumfon. Dhe kur e gjitha kjo ndodh njeriu ndjen keqardhje, por është i pafuqishëm dhe nuk është në gjendje të kërkojë as ndihmë pasi shumica e njerëzve përreth tyre janë në të njëjtën gjendje, në mos më keq.
Njerëzit janë të gatshëm të diskutojnë për ngjarjet (e pakuptimta) që ndodhin nëpër telenovela me një kënaqësi të dukshme në fytyrë por sapo tu ndërrosh temë shprehja e tyre ndërron menjëherë. Kjo dukuri i ka bere njerëzit të harrojnë lidhjet familjare, të harrojnë shoqërinë dhe mbi te gjitha i bën shpesh të harrojnë edhe Krijuesin e tyre.
Mund të themi se ky është një besim i ri (i verbër) por edhe shumë i mbështetur (përkrahur).
Është fatkeqësi kur një besimtar i cili sapo shikon orën vrapon drejt një iluzioni të quajtur telenovele dhe nuk i kushton rëndësi ezanit kur thërret besimtaret të rreshtohen para Krijuesit të tyre.
Në shprehjen Allahu Ekber në fillim të ezanit thuhet se Allahu është më i madhi.
Allahu është më i madh se çdo gjë që je duke bërë në ato momente, është më i madh se familja jote, më i madh se biznesi yt, më i madh se argëtimi apo puna që po bën dhe normalisht që edhe telenovela nuk ka pikë vlerë para thirrjes për adhurim ndaj Allahut.
Lus Allahun e Madhëruar që mua, motrat dhe vëllezërit tanë te na mbaje larg çdo lloj dukurie e cila na bën të harrojmë se për çfarë jemi krijuar.
Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.
(Kur’ani i shenjte, Suretu Edh Dharijat, 56)
Shkroi: M.V.