Pyetja: Unë jam një djalosh i ri i cili praktikon sunetin. Babai dhe vëllai im më pengojnë shumë në praktikimin e sunetit, qoftë me ofendime por edhe nganjëherë me goditje dhe rrahje. Babai im më merr pagën të tërën dhe nuk më len mua fare të mbaj me vete të holla nga rroga ime. Vëllai im i urdhëron prindërit dhe fëmijët e tij që të më lënë anash, të më ofendojnë. Çfarë të bëjë unë në këtë rast dhe si të sillem me ata, a duhet të largohem nga shtëpia dhe ta praktikojë sunetin apo si? Ju lutem më ndihmoni Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigjja: Ty të takon me bë durim vëlla me prindërit dhe me vëllanë tënd. Mundohu ti përballosh ofendimet dhe sjelljet e tyre jo të mira. Bëhu i qëndrueshëm në fenë tënde dhe qëndro në rrugën e hakut (praktikimin e sunetit) pavarësisht sjelljeve të tyre. Ti inshallah do shpërblehesh nga ana e Allahut. Ndërsa, thua se babai yt e merr rrogën tënde. Mos harro vëlla se pejgamberi,- alejhi selam!,- ka thënë: ” Ti dhe pasuria jote jeni prona (nën pronësinë) e babait tënd.” ( Ibn Maxhe: 2291).
Llogarite këtë si respekt, bamirësi dhe sadaka për babanë tënd dhe shpreso në shpërblimin e Allahut,- xhele veala!,- e mos u dorëzo. Dhe nëse vazhdon kjo trysni e tyre gjatë dhe ty të rrezikohet feja jote, zgjidhja fundit dhe e padëshiruar është të largohesh prej tyre dhe të jetosh shtëpi në vete (por duke mos harruar vizitën e prindërve dhe bamirësinë ndaj tyre) e të vazhdosh ta praktikosh fenë pa pengesa.
Burimi; albislam.com
Autor:Dr. Salih bin Feuzan el Feuzan,- Allahu e ruajt!
Përktheu dhe përshtati nga arabishtja: Suad B. Shabani