LULJA E DYTË

LULJA E DYTË

0 1990

Pasi e nuhatëm aromën e lules së marrë nga Ibën Abasi, po e vazhdojmë ecjen tonë nëpër këtë kopsht. Syri gjithnjë e kërkon të bukurën dhe veç me të bukurën di të pajtohet. Kjo është cilësi e çdo njeriu e lindur me lindjen e njeriut, ndaj ai çka t’i kërkojë Zotit, Ai atë edhe ia jep atij. Unë jam duke kërkuar diçka që s’ka emër, që është më e ëmbël se shija dhe që përjetohet përtej ndjenjave.

E di që është shumë, mirëpo me pak s’ngopem fare. Sa më shumë ushqehet shpirti, aq më i uritur ndjehet… U habita edhe vetë se si arrita kaq shpejtë ta gjejë lulen e dytë, bile ende pa e bërë hapin tim të tretë. Po jua tregoj menjëherë, nuk po ju lë në kujtime për të, por kështu të freskët që sapo e dëgjuat emrin e saj, ta merrni edhe atë në dorë. Ebu Bekri ka thënë: “Agjërimi është obligim i Zotit që përmes tij të barazohet i pasuri dhe i varfëri. I pasuri nuk e di çka është uria dhe etja, e duke agjëruar do ta mëshirojë të varfrin. Pasi Zoti deshi që ta rregullojë krijesën e Tij, e bëri të pasurin ta ndiejë e ta kuptojë se ç’është uria dhe etja me qëllim të tregojë butësi për të dobëtin dhe mëshirë për të uriturin.”

E shikoni sa kuptimplotë është, thënie e shkurtër, por me një kuptim të gjerë. Një botë e tërë fshihet në të, ku përveç aromës e cila të jep kundërmim të mirë, të bën që edhe të dukeni të bukur derisa e mbani në dorë. Pamja e jashtme e reflekton krejt atë e cila pushon në zemrën e njeriut, dhe pikërisht njeriu përmes veprave tek të tjerët e pasqyron nijetin që pati në zemër.

Te Zoti janë të barabartë të gjithë njerëzit, mirëpo janë veprat e njerëzve që i afrojnë apo i largojnë ata prej Zotit të tyre. Andaj, edhe ky adhurim më së shumti se çdo gjë, e afron njeriun te Zoti i tij, sepse etja ka kuptim veç në çastin kur shuhet ajo. Pasuria e shpirtit është pasuria e vetme e cila, përveç që i bën dobi pronarit të saj, u sjell dobi edhe të tjerëve. Më kujtohen gjeneratat e hershme të cilat u jepnin përparësi të tjerëve përpara nevojave të tyre personale, për këtë “Sofra e iftarit është një urë lidhëse që i bashkon dy zemra të cilat i ndan pozita.”

Derisa e mbaja lulen në dorë m’u freskua zemra me pjesën e fundit të saj ku u binda se një zemër e butë e cila ushqehet me lëngun e mëshirës afron zemra të cilat synojnë një qëllim. Për njeriun me rëndësi është të dijë rrugën në të cilën do të hapërojë, sepse veç ai i cili e di cakun di se ku shkon. E ashtu siç shuhet etja me ujë, po ashtu shpirti gjallërohet me adhurime.

Për këtë, mos u ndiej i dobët në vepra, por bëhu koprrac në të bërit mëkate, ngase privimi për të bërë mirë është më i rëndë se mospasja mundësi që t’u afrohesh adhurimeve. Të thuhet një fjalë e mirë është më mirë se sa të thuhet mirë për fjalën… Pa bërë zë, e lëshova lulen dhe vazhdova rrugën…

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 624