Si është përkufizimi i besimit (imanit) tek Ehli Sunneti dhe a shtohet e pakësohet ai?
Përgjigje: Imani tek Ehli Sunneti është: “Besimi me zemër, shqiptimi me fjalë dhe të vepruarit me gjymtyrë”. Këtu shihet se përmban tre gjëra:
- Besim me zemër.
- Shqiptim me gojë.
- Veprim me gjymtyrë.
Meqë është kështu, atëherë patjetër që ai shtohet apo pakësohet, për shkak se besimi me zemër dallon nga njëri te tjetri.
Nuk mund të barazohet besimi, i cili ka ndodhur me të dëgjuar me besimin, i cili ka ndodhur duke e ndier me shqisa, si dhe besimi me lajmërimin e një njeriu dallon nga ai me lajmërimin e dy njerëzve, e kështu me radhë.
Për këtë edhe Ibrahimi, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “O Zot më trego se si i ngjall të vdekurit. Tha (All-llahu): A nuk je duke besuar? Tha: Po, si jo, por dua ta di që të më qetësohet zemra.” (el-Bekare 260).
Imani shtohet varësisht prej bindjes dhe qetësisë së zemrës. Këtë njeriu e ndjen në veten e tij, ashtu që kur është në ndonjë vend ku ka këshilla dhe ku përmendet Xhenneti e Zjarri, në këtë rast i shtohet imani aq, saqë i duket se është duke e parë Xhennetin dhe Zjarrin, e kur është në të kotë dhe është larg këtyre vendeve, atëherë i dobësohet bindja dhe i pakësohet imani.
Po ashtu imani shtohet nga ana e shqiptimit. Dihet se ai që e përmend All-llahun dhjetë herë nuk është sikurse ai që e përmend njëqind herë, d.m.th., tek i dyti imani është shumë më i shtuar.
Po ashtu edhe imani i atij që i praktikon adhurimet në mënyrë të plotë është më i madh sesa imani i atij që i praktikon adhurimet me mangësi.
Si dhe nga ana e veprimit, kur një njeri bën ndonjë vepër me gjymtyrë më shumë se dikush tjetër, padyshim se e ka edhe imanin më të shtuar sesa tjetri.
Për shtimin dhe pakësimin e imanit kanë ardhur argumente në Kur’an dhe Sunnet. All-llahu, azze ue xhel-le, thotë: “Dhe Ne s’kemi vënë tjetër veçse melekë si roje të Zjarrit dhe ne e kemi sjellë numrin e tyre të përcaktuar (19) vetëm si sprovë për mosbesimtarët, me qëllim që ithtarët e Librave të parë të arrijnë te një bindje dhe që besimtarët të shtojnë besimin…” (el-Muddeththir, 31); po ashtu ka thënë: “Dhe sa herë zbret ndonjë sure, disa prej tyre (munafikëve) thonë: ‘Cilit prej jush iu shtua besimi’? Sa u përket atyre që besojnë, ajo ua ka shtuar besimin dhe ata ndjejnë kënaqësi. E sa u përket atyre, në zemrat e të cilëve ka sëmundje, ajo ua shton dyshimin edhe më tepër dhe vdesin duke qenë mosbesimtarë.” (et-Teube 124-125).
Në një hadith të vërtetë Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “O gra, nuk kam parë si puna juaj, me mangësi në mendje dhe në fe, burrit të mençur dhe të vendosuar ia merrni mendjen”[1]. Pra, imani shtohet dhe pakësohet.
Por cilat janë shkaqet e shtimit të imanit?
Shkaku i parë: Njohja e All-llahut, xhel-le she’nuhu, me emrat dhe cilësitë e tij.
Njeriu sa herë që e njeh All-llahun, subhanehu ue teala, nëpërmjet emrave dhe cilësive të tij, padyshim se edhe imani i shtohet.
Për këtë shkak edhe dijetarët që i dijnë emrat dhe cilësitë e All-llahut më mirë se të tjerët, i sheh se edhe imani i tyre është më i fortë në këtë aspekt.
Shkaku i dytë: Meditimi në argumentet kozmologjike dhe fetare. Çdoherë kur njeriu mediton për argumentet kozmologjike d.m.th., për krijesat, i shtohet besimi. All-llahu, subhanehu ue teala, ka thënë: “Në Tokë ka argumente për ata që kanë besim të palëkundur. Bile edhe në veten tuaj ka. A nuk po e shihni?”. (edh-Dharijat 20-21).
Ajete për këtë çështje ka shumë, kam për qëllim ajete, të cilat tregojnë se njeriu me studimin dhe meditimin e tij për Gjithësinë, arrin që ta shtojë besimin e tij.
Shkaku i tretë: Ibadetet (adhurimet) e shumta, kështu që sa herë që njeriu i shton ibadetet, njëkohësisht i shtohet edhe imani, qofshin ato ibadete gojore apo përmes veprimit.
Përmendja e All-llahut e shton imanin në sasi dhe mënyrë ashtu siç e shton atë namazi, agjërimi dhe haxhi.
E shkaqet për pakësimin (dobësimin) e imanit, janë në të kundërtën:
Shkaku i parë: Mosdija për emrat dhe cilësitë e All-llahut, subhanehu ue teala, e cila patjetërsisht e dobëson imanin.
Për arsye se kur dituria për cilësitë dhe emrat e All-llahut pakësohet, padyshim se edhe besimi në All-llahun pakësohet.
Shkaku i dytë: Mosmeditimi në argumentet kozmologjike dhe fetare. Kjo gjë padyshim që e dobëson imanin, ose së paku e stagnon dhe nuk lejon që të shtohet.
Shkaku i tretë: Mëkatet. Sepse mëkatet kanë ndikim të madh në zemër dhe në iman, për këtë edhe Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Nuk është besimtar zinaxhiu (ai që bën marrëdhënie intime në mënyrë të palejuar) në momentin kur bën zina…”.[2]
Shkaku i katërt: Lënia e adhurimeve. Me të vërtetë lënia e adhurimeve është shkak për dobësimin e imanit.
Por, nëse ai adhurim është i detyrueshëm (vaxhib) dhe e lë atë pa arsye, për këtë dobësim ky njeri qortohet dhe dënohet, e nëse ai adhurim nuk është vaxhib ose është vaxhib, por e lë me arsye, atëherë për këtë dobësim ai nuk qortohet.
Për këtë edhe Resulull-llahu, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë se gratë janë të mangëta në mendje dhe në fe duke e arsyetuar këtë se kur gruaja është me menstruacione nuk falet dhe nuk agjëron, edhe pse ajo nuk qortohet për lënien e namazit dhe agjërimit, përkundrazi ajo është e urdhëruar që të veprojë ashtu, por për shkak të lënies së këtyre ibadeteve i është thënë se është e mangët në fe.
Burimi në gj. shqipe: albislam.com
Muhamed ibën Salih el Uthejmin
[1] Transmeton Buhariu (304)
[2] Transmeton Buhariu (6772) dhe Muslimi (57)