VLERA E DHJETË DITËVE TË DHUL HIXHES

VLERA E DHJETË DITËVE TË DHUL HIXHES

0 3174

Sot në aksham futet muaji i ri Dhul Hixhes që është dhe muaji i fundit i kalendarit hënor për vitin 1438 h.

Allahu i Madhëruar në suren El-Fexhr betohet: “Pasha Agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. Në komentim të këtyre ajeteve Ibn Abasi shpjegon: “Netët e përmendura në ajet janë netët e 10 ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe, ndërsa çifti është dita e dhjetë, që është dita e Kurban Bajramit, kurse Teku është dita e nëntë, pra dita e Arafatit.” Siç shikohet, Allahu i madhëruar është betuar në netët e 10 ditëve të Dhul-hixhes, ku ka veçuar më pas ditën e Arafatit dhe ditën e Bajramit e cila përkon me ditën kur haxhilerët, pas lindjes së diellit, nisen për në Mina dhe hedhin guralecët në Akabenë e madhe, bëjnë kurbanin dhe qethin ose rruajnë kokat e tyre.

Duke treguar për vlerën e madhe të këtyre 10 ditëve, Profeti (alejhi salatu ue selam) thotë: “Ditët në të cilat puna e mirë është më e dashur tek Allahu janë 10 ditët e Dhul-hixhes. Të pranishmit e pyetën: “Puna në këto ditë është më e mirë se sa vetë Xhihadi në rrugë të Allahut?” Profeti (alejhi salatu ue selam)u përgjigj: Po! Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” (Transmetoi Buhariu). Ndërsa Ibn Umeri në shpjegim të këtij hadithi thotë: “Nuk ka ditë më madhështore tek Allahu se dita e xhumasë, përveç 10 ditëve të Dhul-Hixhes, sepse punët e mira në këto ditë janë të barabarta me gjithë vitin.” Ndërkohë dijetarët islamë kanë shpjeguar edhe pyetjen se a janë këto 10 ditë më të mira se 10 ditëshi i fundit i Ramazanit dhe kanë thënë: “Ramazani veçohet me 10 netët e fundit ku ndodhet dhe nata e Kadrit, kurse Dhul -Hixhe veçohet me 10 ditët e para të saj, d.m.th: Ramazi ne fund ka më të mira netët kurse muaji Dhul-Hixhe ka më të mira ditët e para të tij.” E pra, ky është rasti më i volitshëm ku besimtari duhet të shtojë punët e mira sa të mundet. Prej punëve të mira janë: namazi nafile, sadakaja, agjërimi, leximi i Kur’anit, përmendja e Allahut (dhikri), lutjet e ndryshme etj.

Për sa i përket agjërimit, edhe pse Aishja thotë se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar 10 ditët e Dhul-Hixhes, kjo s’do të thotë se agjërimi është i ndaluar. Imam Ibn Rexhebi në komentim të hadithit shpjegon: “Thënia e Aishes, tregon se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar të gjitha ditët e Dhul-Hixhes së bashku, mirëpo kjo nuk mohon që Profeti të ketë agjëruar disa prej këtyre ditëve. Kjo gjë ka qenë e njohur te selefët, madje Ibn Umeri i agjëronte të gjitha ditët e Dhul-Hixhes, përveç ditës së dhjetë, sepse ajo është ditë bajrami.

Përveç kësaj duhet theksuar rëndësia e madhe që ka agjërimi i ditës së Arafatit, që është dhe dita e nëntë e Dhul-Hixhes. Profeti (alejhi salatu ue selam) kur e pyetën për agjërimin në këtë ditë tha: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen gjynahet e vitit që ka
kaluar dhe atij që do të vijë.” (Transmetoi Muslimi)

Mustafa Terniqi

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 589