DISA RREGULLA TË SELAMIT

DISA RREGULLA TË SELAMIT

0 3530

Vlera e selamit

1-Abdullah ibn Amr, -radijallahu anhuma-, tregon se një njeri pyeti të dërguarin, salallahu alejhi ue selem: “Cila vepër nga islami është më e mira? Tha: “Të dhurosh ushqim, të përshëndesësh me selam atë që njeh e atë që nuk e njeh”.[1]

2-Ebu Hurejra, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari i Allahut, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Betohem në Atë që shpirti im është në duar të Tija, nuk do të hyni në xhenet përderisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të duheni, a t’ju tregoj një gjë që nëse e veproni do të duheni? Përhapeni selamin mes jush”.[2]

3-Abdullah ibn Selami, -radijallahu anhu-, tregon: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut salallahu alejhi ue selem duke thënë: “O ju njerëz, përhapeni selamin, ushqeni të tjerët, faluni kur njerëzit flenë, do të hyni në xhenet të qetë (të shpëtuar)”.[3]

Forma e selamit

1-Allahu i Madhëruar thotë: “Kush përshëndeteni me ndonjë përshëndetje, ju ktheni përshëhdetje edhe më të mirë, ose kthejeni ashtu. Allahu llogarit për çdo send”. Nisa, 86.

2-Imran ibn Husajn, -radijallahu anhuma-, transmeton: “Erdhi një njeri tek i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, e i tha: “Esselamu alejkum”, e ia ktheu selamin, pastaj u ul. Dhe i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, i tha: “Dhjetë”, pastaj erdh një tjetër e i tha: “Esselamu alejkum ue rahmetullah”, ia ktheu selamin dhe u ul. Tha: “Njëzet”, pastaj erdh një tjetër, e tha: “Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu”, ia ktheu selamin, dhe u ul. Tha: “Tridhjetë”.[4]

Vlera e atij që fillon me selam

1-Ebu Ejub el Ensari, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Nuk i lejohet një myslimani që të mos i flet vëllait të tij më tepër se tre net.  Është e pafalshme për ta që, kur takohen, e kthejnë kokën mënjanë prej njëri-tjetrit. Më i miri i të dyve është ai që jep selam i pari”.[5]

2-Ebu Umamete, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari i Allahut, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Të parit e njerëzve tek Allahu, kush fillon me selam”.[6]

Kush duhet së pari të fillojë me selam?

1-Ebu Hurejra, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “I mituri e përshëndet të moshuarin, kalimtari atë që është ulur, pakica shumicën”.[7]

2-Ebu Hurejra, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Ai që është i hipur e përshëndet kalimtarin, kalimtari atë që është ulur, pakica shumicën”.[8]

Përshëndetja e grave dhe fëmijëve

1-Esmaja bija e Zejdit, -radijallahu anha-, transmeton: “Kaloi i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, pranë disa grash, e na dha selam”.[9]

2-Enes ibn Maliku, -radijallahu anhu-, kaloi pranë disa fëmijësh dhe i përshëndeti me selam, dhe ka thënë: “I dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, kështu vepronte”.[10]

Përshëndetja e grave ndaj burrave nëse sigurohen nga fitneja

Um Hani bija e Ebu Talibit, -radijallahu anha-, ka thënë: “Shkova tek i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, vitin e çlirimit, e gjeta duke u larë e Fatimeja, bija e tij e fshehte, i dhashë selam, e tha: “Kush është kjo? I thashë: Unë jam Umu Hani bija e Ebu Talibit, e tha: “Mirë se erdhe oj Umu Hani”.[11]

Përshëndetja gjatë hyrjes në shtëpi

Allahu thotë: “Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni (ata që janë në to) me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (me selamun alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme”. Nur, 61.

Mos fillimi me selam ndaj jobesimtarëve

1-Ebu Hurejra, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Mos filloni me selam ndaj çifutëve dhe të krishterëve”.[12]

2-Enesi, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Në qoftë se ju përshëndesin ithtarët e librit, përgjigjuni me “Edhe mbi ju”, “ve alejkum”.[13]

Kush kalon pranë një grup njerëzish, muslimanë dhe jobesimtarë, i përshëndet, me qëllim t’i përshëndet muslimanët

Usame ibn Zejd, -radijallahu anhuma-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, kaloi pranë një tubimi të përzier me muslimanë, paganë adhurues të idhujve dhe çifutë, i përshëndeti me selam i dërguari, -salallah ualejhi ue selem-, pastaj u ndal, u afrua tek ata e i thirri te Allahu, u lexoi atyre Kuranin.[14]

Përshëndetja gjatë hyrjes dhe daljes

Ebu Hurejra, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Kur ndokush prej jush prezanton në një tubim, le të përshëndetet (me selam), nëse dëshiron të ngrihet le të përshëndetet (me selam) ngase e para nuk është më meritore se e dyta”.[15]

Mos përkulja gjatë takimit

Enes ibn Maliku, -radijallahu anhu-, transmeton: Një njeri tha: O i dërguar i Allahut, nëse njëri prej nesh takon vëllanë e tij apo shokun a t’i përulet atij? Tha: Jo.[16]

Vlera e të shtrëngimit të duarve

Berau, -radijallahu anhu-, transmeton se i dërguari, -salallahu alejhi ue selem-, ka thënë: “Nuk ka dy muslimanë që takohen e shtrëngojnë duart vetëm se u falen atyre dyve para se të ndahen”.[17]

Kur duhet shtrënguar duart apo përqafuar?

Enesi, -radijallahu anhu-, thotë se shokët e të dërguarit, -salallahu alejhi ue selem-, kur takoheshin shtrëngonin duart, e nëse ndokush vinte nga udhëtimi përqafoheshin”.[18]

Mënyra e kthimit të selamit për atë që nuk është prezent

1-Aisheja radijallahu anha transmeton se i dërguari salallahu alejhi ue selem i ka thënë asaj: “Oj Aishe, ky është Xhibrili po të përshëndet me selam”. E tha: Ve alejhi selam ve rahmetullahi ve bereketuhu (edhe mbi të qoftë paqja, mëshira e Allahut dhe begatia e Tij), ti sheh atë që unë nuk e shoh”.[19]

2-Erdh një njeri tek i dërguari salallahu alejhi ue selem e i tha: Babai im të qon selam. Tha: Ve alejke ve ala ebike esselam (paqja qofte mbi ty dhe mbi babanë tënd)”.[20]

Përshëndetja tri herë nëse nuk dëgjohet përshëndetja e tij

Enesi radijallahu anhu transmeton se i dërguari salallahu alejhi ue selem kur fliste ndonjë fjalë e përsëriste tre herë derisa të kuptohej, e nëse vinte tek një grup njerëzish i përshëndete ata (me selam) tre herë.[21]

Përshëndetja e një grupi

Ali ibn Ebi Talibi radijallahu anhu transmeton se i dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mjafton nga një grup njerëz në qoftë kalojnë të përshëndet njëri prej tyre, dhe mjafton që nga ata që janë ulur të përgjigjet njëri prej tyre”.[22]

Mos përshëndetja dhe përgjigjja gjatë kryerjes së nevojës

1-Ibn Omeri radijallahu anhuma transmeton se një njeri kaloi kur i dërguari i Allahut salallahu alejh ue selem kryente nevojën, e nuk iu përgjigj përshëndetjes së tij”.[23]

2-Muhaxhir ibn Kandhef radijallahu anhu tregon se një ditë erdhi tek i dërguari salallahu alejhi ue selem ndërsa ai kryente nevojën, e përshëndeti me selam, e nuk iu përgjigj atij derisa morri abdes, pastaj ia sqaroi atij e i tha: “Unë urreja që ta përmend Allahun aze ve xhel pos se kur jam i pastër”.[24]

Urrejtja e fillimit të përshëndetjes me (ve alejkum)

1-Xhabir ibn Sulejm radijallahu anhu tregon: Erdha tek i dërguari salallahu alejhi ue selem e i thash: “Alejke selam” më tha: “Mos thuaj “Alejke selam” por thuaj “Esselamu alejke”…”.[25]

2-Në një transmetim tjetër: “Alejke selam është përshëndetja e të vdekurve”.[26]

Pjesë e shkëputur nga libri “Muhtesar fikh Islami”

Muhamed ibn Ibrahim ibn Abdullah Tuvejxhiri

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM