Nuk vërtetohet vlera e natës së mesme të muajit Shaban me ndonjë hadith të saktë, as nga sahabet, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, e as ndonjë hadith për ndalesë për agjërimin e ndonjë nate pas saj. Ajo është një natë sikur netët tjera.
Adhurimin e veçuar në natën e mesme të muajit Shaban e refuzuan: Ataë ibn Rebah, Ibn Ebi Melikeh dhe AbduRrahman ibn Zejd ibn Eslem transmeton nga fukahatë (juristët islamë) të Medines duke thënë: “Të gjithë shokët e Imam Malikut thonë: “Ky veprim i tëri është bidat (shpikje në fé).”
Sa u përket haditheve dhe thënieve të tyre të përmendura në kapituj, janë:
• Transmetohet nga Ebu Musa El-Eshariu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Vërtetë Allahu shikon në natën e mesme të muajit Shaban që t’i fale të gjitha krijesat e Tij, përveç mushrikëve (politeistëve) dhe atyre që janë grindur.” [Shënojnë: Ibn Maxhe, Bezari, Ibn Hibbani dhe lajmin e dobësisë së hadithit e japin Buhariu, Ibn Huzejme dhe Darekutni, ndërsa Ebu Hatimi e ka refuzuar këtë hadith].
• Abdullah ibn Mubareku, Allahu e mëshiroftë, u pyet për zbritjen e Allahut në natën e mesme të muajit Shaban.
Ai i tha pyetësit: “Hadithi është i dobët. Natën e mesme?! Ai (Allahu) zbret për çdo natë (në qiellin e dunjasë).” [Transmeton Es-Sabuni dhe ka prej tyre që nuk e njohin].
• Imam El-Akili, Allahu e mëshiroftë, në librin “Duafa El-Kebir” (Dobësitë e mëdha) ka thënë: “Hadithet që flasin për zbritjen e Allahut në natën e mesme të muajit Shaban janë të dobëta.”
• El-Kadij Ebu Bekr El-Arabij, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Ahkam El-Kur’an” (Vendimet e Kur’anit) ka thënë: “Nuk ka ndonjë hadith të besueshëm rreth natës së mesme të muajit Shaban e as për vlerën e saj. Andaj, mos u josh dhe mos ano kah ato hadithe.”
• Hafidh Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Disa nga tabiinët e madhëronin me adhurim natën e mesme të muajit Shaban.”
Thuhej: “Ata kanë përcjellur ndikimet (etheret) e israiliateve.”
Thashë: “Nëse transmetimi i tyre është i saktë, atëherë ky është ixhtihadi (konkludimi) i tyre, Allahu i mëshiroftë. Sepse të gjitha lajmet janë të justifikuara. Allahu më mirë e di.”
• Ibn Vedahu transmeton nga Zejd ibn Eslem se ka thënë: “Ne nuk dijmë ndonjë nga hoxhallarët dhe fukahatë (juristët islamë) të japin ndonjë fetva për natën e mesme të muajit Shaban e as te hadithi i Mekhulit. Ata nuk e shohin atë natë me ndonjë vlerë të veçantë.”
• I është thënë Ibn Ebi Malikës, Allahu e mëshiroftë: “Zijad En-Numejri ka thënë: “Shpërblimi për natën e mesme të muajit Shaban është si ai i Natës së Kadrit.””
Ibn Ebi Malike tha: “Po ta dëgjoja unë, do ta godisja me shkopin tim.” Zijadi ishte tregimtar (përrallaxhi).
• Sa u përket banorëve të Shamit për madhërimin e kësaj nate, ata i ka kundërshtuar fekihu (juristi islam) i Shamit, Imam El-Euzaiu.
• Hafidh Ibn Rexhebi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk dihet nga Imam Ahmedi ndonjë fjalë rreth natës së mesme të muajit Shaban.”
___________________
Shkroi: Shejh Dr. AbdulAziz Ibrahim El-Hudajri
Përktheu nga arabishtja: Amir Shabani