ETIKA E BESIMTARIT NDAJ DETYRAVE FETARE

ETIKA E BESIMTARIT NDAJ DETYRAVE FETARE

0 2775

Allahu i madhëruar krijoi njerëzimin për një arsye madhështore, për një qëllim shumë fisnik, e ngarkoi atë me një përgjegjësi të rëndë, të cilën përgjegjësi nuk patën aftësi ta mbajnë as qiejt e as toka e malet, është përgjegjësia e adhurimit të Allahut, e fesë dhe zbatimit të ligjeve të Tij: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” Surja Dharijat, ajeti 56.

Secili do të ringjallet ditën e Kijametit e do të pyeten për këtë përgjegjësi: “Ne patjetër do t’i marrim në përgjegjësi ata, të cilëve u është dërguar (pejgamber), e do t’i marrim në pyetje edhe të dërguarit.” Surja Araf, ajeti 6

Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t’i marrim në përgjegjësi. Për atë se ç’vepruan.” Surja Hixhr, ajetet 92-93.

Për këtë secili duhet të jetë tejet i kujdesshëm ndaj detyrave fetare me të cilat ka ardhur Kurani dhe suneti, janë shtatë mënyra se si besimtari duhet t’i qaset detyrave fetare, apo urdhrave të Allahut, ato janë: njohja e tyre, dashuria, vendosmëria, veprimi, zbatimi i tyre në formën e duhur me sinqeritet dhe saktë, përkujdesi nga gjërat që i prishin ato, dhe qëndrueshmëria në të.

Urdhërat fetare përfshijnë atë që Allahu e ka urdhëruar në formë të prerë për t’u vepruar, e ato janë farzet, dhe gjërat që Allahu ka urdhëruar në formë të prerë për t’u larguar prej tyre, e ato janë haramet.

E vetmja rrugë për të njohur këto urdhëra është rruga e diturisë: kështu që dituria llogaritet si kategoria e parë, ngaqë si ka mundësi të veprojë ai i cili nuk di se si të veprojë.

Kështu që imam Buhariu duke u nisur nga ky parim nënvizoi titullin e parë të kapitullit dhe tha: Kapitulli dituria para fjalës dhe veprës mbështetur në fjalën e Allahut: “dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut.” Muhamed, 19.

Kështu pra filloi me diturinë, dhe shkaku për këtë është se dituria është shkak i nijetit të saktë dhe veprës së qëlluar.

Është e detyrueshme që njeriu të dijë atë që Allahu ia ka detyruar që nijeti i tij të jetë i pastër në zbatim dhe veprën ta zbatojë në formë të saktë. Nuk shton më tepër e as që le mangut, e që atë mund ta bëjë injoranti, të shtojë e të le mangut.

Tekstet që flasin për vlerën e diturisë janë të shumta, prej tyre fjala e Allahut: “Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.” Ankebut, 43.

Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët.” Fatir, 28.

Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.” Zumer, 9.

Dhe fjala e të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “kujt Allahu ia do të mirën i jep atij kuptimin e fesë”. E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi

Kategoria e dytë: dashuria për detyrat fetare: ngaqë Allahu i madhëruar don që robi i Tij ta don fenë që ka zbritur, dhe kjo është nga kuptimet e dashurisë për Allahun e madhëruar.

Në hadithin autentik përcillet se i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Kush do për hir të Allahut, dhe urren për hir të Allahut, kush jep për hir të Allahut dhe nuk jep për hir të Allahut, i është plotësuar imani.”

Në hadithin kudsij thuhet: “nuk më është afruar robi Im me diç më të dashur për Mua se sa atë që ia kam obliguar.”

Sikur njeriu t’i zbatojë urdhërat e Allahut, por i urren ato, atëherë veprat e tija nuk i bëjnë dobi, dhe kjo urrejtje ia prish veprat e tija, mbështetur në fjalën e Allahut: “Këtë për shkak se ata e urrejtën atë që e zbriti All-llahu, prandaj atyre ua zhduk veprat.” Muhamed, 9.

Kategoria e tretë: Vendosmëria për të vepruar, kur njeriu e di se ky është urdhër prej Allahut, e do atë urdhër, sepse do çdo gjë që dëshiron Allahu, kështu krijon vendosmëri për ta zbatuar. Dobia e vendosmërisë është se atij i regjistrohet shpërblimi nëse paraqitet ndonjë pengesë për të vepruar, mbështetur në fjalë e të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) që e transmeton nga Allahu i madhërishëm: “Allahu i ka regjistruar veprat e mira dhe ato të këqijat, më pas i ka sqaruar ato, kushdo që synon ta bëjë një të mirë por nuk arrin ta veprojë, Allahu ia regjistron shpërblimin e plotë …” e shënon Buhariu dhe Muslimi.

Njashtu mbështetur në fjalën e të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “Kur njeriu të sëmuret apo të jetë në udhëtim, i regjisterohen atij (shpërblimet) njejtë sikur që ka vepruar kur ka qenë në vendlindjen e tij dhe kur ka qenë i shëndoshë.” E shënon Buhariu.

Kjo vlen për atë i cili më herët ka qenë i përpiktë në veprimin e adhurimeve , e që më pas është penguar nga ai ibadet, e që nijeti i tij është se po të mos ishte pengesa ai do të vazhdonte së vepruari.

Kategoria e katërt: Vepra, sese përmes diturisë është për qëllim veprimi, dhe se s’ka fare dobi nga dituria pa vepra, kështu që vepra e mirë është prej imanit (besimit), dhe ndikon në ritjen e imanit, sikur që është edhe tregues i imanit. Hasen el Basriu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Imani nuk është me shpresa e me rroba për t’u zbukuruar, iman është ajo që ngulitet në zemër dhe e konfirmojnë veprat.”

Ekzistojnë ajete të shumta për atë se shpërblimi është i lidhur me veprimin, Allahu i madhëruar thotë për shpërblimin e banorëve të xhenetit: “Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.” Sexhde, 17

Të tillët janë banues të xhennetit, aty do të jenë përgjithmonë, atë e kanë shpërblim pë veprat që i bënë.” Ahkaf, 14.

Kategoria e pestë: që vepra të jetë e lejuar fetarisht dhe e saktë, dhe atë se sinqeriteti dhe pajtueshmëria e veprës sipas burimeve të fesë janë prej kushteve të pranimit të veprave. Për sinqeritetin flet ajeti Kuranor: “ti adhuroje Allahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij! Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun!.” Zumer, 2-3

Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.”.” Zumer, 14.

E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.” Bejineh, 5.

I dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “Veprat vlerësohen sipas nijetit, dhe secilit i takon ajo që e ka për nijet.” E shënon Buhariu dhe Muslimi

E që e kundërta e sinqeritetit është syefaqësia, dëshira për famë, dhe dëshira e njeriut për ndonjë interes të kësaj bote.

Ajetet që flasin për përputhshmërin e veprës me burimet e fesë, Kuran dhe Sunet: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër.” Ahzab, 21.

Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t’ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër.” Hashr, 7.

Dhe fjala e të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “Kush shpik në fenë tonë diç që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

Kategoria e gjashtë: Kujdesi nga gjërat që mund t’i shkatërrojnë veprat e mira, kështu që veprimi i gjërave që prishin imanin i prishin edhe veprat e mira, sikur që thotë Allahu: “E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.” Furkan, 23.

Syefaqësia e prish veprën e mirë, e njejtë edhe nëse njeriu me veprën e mirë ka ndonjë interes prej interesave të kësaj bote, mbështetur në fjalën e të Allahu në hadithin kudsij: “Unë jam i panevojshëm nga shirku (rivaliteti) kushdo që vepron një vepër dhe më shoqëron dikë tjetër me Mua në atë vepër, Unë e lë atë dhe veprën e tij.” E shënon Muslimi

Dhe fjalën e të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem): “kushdo që bën hixhret për Allahun dhe të dërguarin e Tij, atëherë hixhreti është për hir të Allahut dhe të dërguarit të Tij, e kush bën hixhret për një interes t dynjasë apo për një grua për ta martuar atë, atëherë hixhreti i tij është për atë çfarë ka bërë hixhret.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

Kategoria e shtatë: Qëndrueshmëria në iman dhe vepra të mira.

Kjo duhet të jetë kërkesa e secilit besimtar, ta lut Allahun për qëndrueshmëri, sepse zemrat janë në dorë të Allahut: “Allahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër.” Ibrahim, 27.

Në lutjen e transmetuar thuhet: “ O Allah unë kërkoj qëndrueshmëri në fe.”

E prej lutjeve më të shpeshta të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) ka qenë: “O rrotullues i zemrave, ma përqëndro zemrën time në fenë Tënde.”

Dhe atë se zemrat ndryshojnë për shkak të dyshimeve e të epsheve, ato mund të zhvendosen prej  njëshmërisë së Allahut (teuhidit) në shirk, prej imanit në hipokrizi, prej sunetit në risi, e prej adhurimit në mëkate.

Në hadithin autentik thuhet: “ndosh që ndonjë prej jush të veprojë  vepra të banorëve të xhenetit, saqë mes tij dhe xhenetit të mbetet vetëm sa një krah, e i paraprinë atij regjistri, e vepron vepra të banorëve të zjarrit e hyn në zjarr.” E shënon Buhariu dhe Muslimi.

Në një pren betejave të dërguarit (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), një njeri luftonte në rreshtat e muslimanëve luftë të hatashme, saqë edhe sahabët ishin të fascionuar me të, e i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) tha: “kush dëshiron të shikojë një njeriu ng abanorët e zjarrit le ta shikojë këtë.” Atë e ndoqi një prej sahabëve, dhe ai vazhdonte të luftojë derisa u plagos, dhe ai e përshpejtoi vdekjen; kështu ai majen e shpatës së tij e vendosi në mes të gjoksit dhe u mbështet mbi të, saqë shpata i doli mes hpatullave të tij, e i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) tha: Njeriu vepron vepër të banorëve të xhenetit, sikru që duket tek njerëzit, e ndodh që ai t ëjetë nga banorët e zjarrit, dhe vepron vepra të banorëve të zjarrit, sikur që duket tek njerëzit e të jetë prej banorëve të xhenetit, veprat vlerësohen sipas përfundimit.” E shënon Buhariu.

Secili besimtar le të kujdeset për  qëndrushmëri, le të punon në rrugën e sinqerietit, sepse shpërblimi apo dënimi është i përhershëm , qoft në xhenet po xhehenem: “Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kijametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” Ali Imran, 185.

Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM