Ai është Shejhul Islam, Imami dhe Hafidhi Ebu Abdur Rahman Bekijj ibën Mahled El Kurtubi El Endelusi autori i Musnedit dhe Tefsirit, libra unike që emrin e tij e shënuan në kronikët e historisë së ndritshme të shkencave Islame.
Lindi diku rreth vitit 200 H në Andaluzi dhe në kërkim të dijes udhëtoi në Afrikë, Irak…
Pati fatin të takon shumë imamë të cilëve edhe sot u referohemi si gjenerata më e dalluar që e bëri të mundshëm përfitimin nga suneti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, duke e tubuar dhe shënuar atë.
Në plejadën e mësuesve të tij përmenden: Jahja ibën Jahja El Lejthi, Jahja ibën Bukejr, Muhamed ibën Isa, Hisham ibën Ammar, Muhamed ibën Abdullah En Numejr, Imami i Ehli Sunnetit Ahmed ibën Hanbeli, Ebu Bekr ibën Ebi Shejbe, Sehnun ibën Se’id El Fekih, Uthman ibën Ebi Shejbe, Ebu Kurejbi, Bundari dhe shumë tjerë.
Për këtë dijetar Dhehebiu ka thënë: Ka qenë Imam i zellshëm dhe i devotshëm, edukues që dallohej me drejtësi dhe sinqeritet, dija e tij kishte paraqitje praktike me anë të veprave, i pashembullt dhe i pashoq…
Përgjigjej me sunet dhe nuk pasonte verbërisht asnjërin.
Tahir ibën Abdul Aziz El Endelusi: Kur një pjesë të Musnedit e morra me vete në lindje dhe të njëjtin ia tregova Muhamed ibën Ismail Es Saigit i cili tha: Këtë e ka shkruar njeriu i cili dijen e ka marrë drejtpërsëdrejti prej detit…(mendohet në dijetarët e mëdhenj nga të cilët ka mësuar sh.r.)
Thoshte: Kur u ktheva në Irak Jahja ibën Bukejri më uli pranë vete dhe prej mua i mësoi shtatë hadithe.
Ibën Hazmi: Kam qëndrim të prerë se askush në Islam nuk ka shkruar tefsir më të mirë se Bekijj ibën Mahledi, as ibën Xheriri e as tjetërkush.
Musnedin e tij e ka transmetuar prej mbi njëmijë e treqind shokë që i ka renditur sipas emrit dhe pastaj sipas kaptinave të fikut. Nuk kam parë libër që ka më shumë fetva të as’habëve dhe tabi’inëve se ky libër i cili ishte më i madh se Musannefet e Abdur Rezzakut, Ibën Ebi Shejbes dhe Se’id ibën Mensurit.
Librat e këtij imami u bënë bazë e shkencave të Islamit… pasonte rrugën e Imam Ahmedit, Buhariut, Muslimit dhe Nesaiut.
Ibën Abdul Berr: I dalluari me devotshmëri, që falej dhe agjëronte shumë,i pashembullt në shekullin e tij… në kërkim të dijes udhëtoi në Hixhaz, Egjipt, Sham, Halvan, Basra, Kufe, Vasit, Bagdad dhe Horasan (Dhehebiu: Kështu tha edhe pse me siguri dihet se Horasanin nuk e ka vizituar)
Ibën Kethir: Hafidhi i madh autori i Musnedit që është i renditur sipas kaptinave të fikut. Ishte burrë i mirë, asket, ibadetçi i vendostë. Thuhej që duaja e tij pranohet.
Këtë e vërteton rasti i gruas e cila e vizitoi duke kërkuar ndihmë për lirimin e djalit të saj i cili ishte i burgosur të armiku. Bekijji i tha shko derisa të vendosi si do të veproj, e mbylli derën dhe pëshpëriti disa fjalë. Pas një kohë përsëri e vizitoi ajo grua me djalin e saj i cili tha se për njëherë i kanë rra prangat prej duarve duke qenë në burg në atë kohë kur imami e kishte bërë duanë. Kur roja është munduar që përsëri ta prangosin ka ndodh e njëjta gjë. Kur janë konsultuar me të diturit e atij populli ata kanë thënë: Je liruar me një lutje e cila është bërë për ty. Ty Zoti të ka liruar dhe ne nuk kemi të drejtë të prangosim përsëri.
Abdul Melik: Ishte i gjatë, me mjekër të shpeshtë dhe i ashpër. E preferonte ecjen në këmbë dhe nuk lejonte që të humbë shpërblimin e prezantimit gjatë xhenazes. Thoshte: Gjatë kërkimit të dijes kalonin ditë pa ushqim. Ushqimi i vetëm ishin gjethet. Shumicën e udhëtimeve i bëri këmbas.
Kur takohej me ndonjë të varfër i jepte njërën prej rrobave të tij. Gjatë namazit të natës bënte hatme të Kur’anit dhe gjatë ditës falte 100 rekate namaz nafile. Ka marrë pjesë në afro shtatëdhjetë beteja.
E vizitoi imam Ahmedin në kohën kur ai ishte i ndaluar nga vizita duke u maskuar si lypës dhe kështu prej tij shënoi treqind hadithe.
Dhehebiu: në vargun e virtyteve të shumtë që i pati hyn edhe trimëria e tij gjatë xhihadit. Historianët përmendin pjesëmarrjen e tij në shtatëdhjetë beteja.
Dija e tij nuk mbeti pa trashëgues. Nga ky Imam mësuan shume dijetarë. Nderin të jenë nxënës të tij e patën: biri i tij Abdullahi, Ejub ibën Sulejman El Mirri, Ahmed ibën Abdullah El Emevi, Eslem ibën Abdul Aziz, Muhamed ibën Vezir, Muhamed ibën Amër ibën Lubabe, El Hasen ibën Sa’d El Kinani, Abdullah ibën Junus El Muradi, Abdul Vahid ibën Hamdun, Hisham ibën El Velid El Gafiki etj.
Ebul Kasim Ed Dimeshki thotë: Libri i tij Musnedi nuk më kë rra në dorë…
Prej tij kanë mbetur vetëm disa fragmente të shkurtra
Ndërroi jetë më 27 Xhumadel Ahire 270 H (21 dhjetor 883 G)
All-llahu e mëshiroftë me mëshirën e tij të gjerë.