Rastësisht syri më kapi lulen në xhepin e xhaketës, ende kisha qenë duke e mbajtur, por pa e vërejtur fare. Në këtë situatë, një ndjenjë turpi më përfshiu të tërin, ngase ndieja se këtë jam duke e veçuar nga të tjerat duke i dhënë përparësi para atyre.
S’ishte ashtu, por ashtu mendoja unë, kjo ishte bërë nga harresa dhe nga mësimi që kisha nxënë prej saj. Me këtë monolog që zhvilloja në veten time, unë isha ndalur para lules së radhës, por pa e vërejtur, e me t’u kthjellur në të lexova këtë: Imam Shafiu ka thënë: “Është e pëlqyeshme për njeriun që të shtojë bamirësinë në Muajin e Ramazanit, ky është pasimi i praktikës së të Dërguarit. Kjo arsyetohet me nevojat e njerëzve dhe mirëqenien e tyre, shumë prej tyre janë të shkëputur nga fitimi i mjeteve jetësore, sepse janë të preokupuar me agjërim dhe namaz.”
Prej njeriut varet se si do të rrjedhë jeta e tij, nëse ia përkëdhel kokën një fëmije, do ta fitojë dashurinë e tij, nëse dikujt ia mëson atë që nuk e ka ditur, do ta fitojë mbështetjen e tij, nëse dikujt i jep atë që s’e ka,do ta fitojë bekimin e tij, nëse… Kur i shtojmë të mirat në Muajin e Mirësisë, përveç dobisë që e arrijmë vetë, e arrijmë dhe gëzimin kur t’i shohim dobitë te të tjerët që u janë mundësuar si rrjedhojë e mirësisë sonë. I paktë është falënderimi që e pëshpërit zemra për Atë që na i mundësoi këto, por edhe për nxitjet në këto mirësi të cilat na erdhën prej Tij.
Andaj, fillimi i një vepre të mirë është vetëdijesimi i vetes që mos të të kaplojë pakujdesia, e mbyllja e një vepre të keqe është pastërtia e zemrës që të nxit të mos i afrohesh asaj që e dëmton atë. Nga çasti kur i ndjek hapat e dikujt, e vë veten në pozitën e tij, atëherë çfarë shtytje i duhet zemrës ta shtyjë frymorin në pasim, kur dihet se “Ai i Cili ndërroi jetë na obligoi që në jetë ta ndjekim Atë!”
I mjafton njeriut një vepër që edhe fjalët janë të mangëta ta shprehin, mirëpo nuk i mjaftojnë fjalët e shumta, nëse mungon qoftë edhe një vepër e vogël. Me mirësi u zbutën zemrat, me këshillë u afruan shpirtrat dhe me qëllime të mira u pastruan mendjet. Të kërkohet pak e vazhdimisht, s’është pak, por të kërkohet një herë e shumë, është pak, çdo gjë përfundon, mbesin kërkesat… Vërejta se kishte ardhur koha që ta lëshojë lulen, por ja, sërish syri më kapi lulen në xhepin e xhaketës.
E unë, çfarë të bëjë në këtë çast? Së pari, pa lënë kurrfarë gjurmësh e lashë atë ku duhej ta lë, e pastaj këtë e lëshova sikurse ishte e udhës, mirëpo para saj, zemra i lëshoi këto fjalë: Ndiqi fjalët e të diturit dhe bëhu i ditur të ndiqesh nga nxënësit e dijes…
BLERIM MUHAXHERI
Burimi: albislam.com