Mbledhja e lëkurave të kurbanëve, shitja e tyre dhe dhënia sadaka prej shumës së fituar

Mbledhja e lëkurave të kurbanëve, shitja e tyre dhe dhënia sadaka prej shumës së fituar

0 1692

Pyetja: Xhamitë mbledhin lëkurat e kurbanëve dhe i shesin ato në kompanitë e prodhimit të lëkurës dhe  paratë e fituara i shpenzojnë në ndërtimin e xhamive, duke u argumentuar se shumë njerëz në ditët e sotit nuk kanë nevojë për to dhe i hedhin. A është i lejuar ky veprim? A lejohet që të jap lëkurën e kurbanit tim, nëse ata e kërkojnë dhe e di paraprakisht se do ta shesin atë?

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut.

Së pari:

Nuk lejohet për atë që ther kurban ta shet lëkurën e kurbanit, sepse kurbani me therje  është veçuar vetëm për Allahun me të gjitha pjesët, dhe një gjë që është veçuar për Allahun nuk lejohet që të mirret kompensim prej tij. Kështu që, kasapit nuk i jipet asgjë nga kurbani në këmbim të punës së ofruar.

Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Aliu, -Allahu qoftë i kënaqur me të-, ka thënë: I dërguari i Allahut, -paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të-, më ka urdhëruar të kujdesem për kurbanët e tij dhe të shpërndaj mishin, lëkurën dhe leshrat e tyre, dhe të mos i jap kasapit asgjë prej tyre. Ai tha: “Ne e paguanim atë vetë.”

Në Zad el-Mustekni tha: “Lëkura e tij nuk shitet, e as ndonjë pjesë tjetër, por duhet të përdoret.”

Dijetari i njohur Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, në Sherh Mumti’ (7/514) ka thënë:

Thënia e tij “Lëkura e tij nuk duhet të shitet”, pas therjes, sepse kurbani me të gjitha pjesët e tij është veçuar për Allahun, dhe një gjë që është veçuar për Allahun nuk lejohet për askënd të merr para prej saj. Argument për këtë është hadithi i Omer ibn Hatabit, -Allahu qoftë i kënaqur prej tij-, i cili i dha dikujt një kalë për në rrugë të Allahut, pra, ia dha për në luftë, por njeriu të cilit ia dha e humbi kalin dhe nuk u kujdes për të. Omeri erdhi dhe e pyeti profetin, -paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të-, për t’i dhënë leje për ta blerë, sepse mendonte se pronari i kalit do ta shiste atë me çmim të ulët, por profeti, -paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të-, i tha atij: “Mos e blej, edhe nëse ta jep atë për një dirhem.” Arsyeja për këtë është se ai e dha atë për hir të Allahut, dhe çfarëdo që dikush jep për hir të Allahut, nuk lejohet që ta rikthen. Prandaj nuk lejohet për atë që është shpërngulur nga një vend shirku të kthehet përsëri të jeton atje, sepse ai ka lënë një tokë që ai e do, për hir të Allahut, kështu që nuk lejohet që ai të kthehet në diçka që ai e do, nëse e braktisi për hir të Allahut. Dhe për shkak se lëkura është pjesë e kafshës si mishi, dmth, nuk lejohet ta shesë, ashtu siç nuk lejohet të shitet mishi i kurbanit.

Fjala e tij: “Ose ndonjë pjesë tjetër”, do të thotë që asnjë nga pjesët e tij nuk mund të shitet, siç janë; mëlçia, këmbët, koka, stomaku, e kështu me radhë. Arsyeja është e njëjtë siç u përmend më lart.”

Kështu që, kuptohet se lejohet vetëm përdorimi i lëkurës ose t’i jipet si sadakë atij që e meriton, një të varfëri ose nevojtari. Por, në qoftë se ai që e ther kurbanin ia jep lëkurën një të varfëri, dhe i varfëri e shet, nuk ka mëkat për asnjërin prej tyre.

Dijetari i njohur Muhamed Muhtar Shenkiti, Allahu e ruajt, ka thënë: Nëse ka një kompani që do të blejë lëkurat në të njëjtën thertore dhe ai ia jep një personi të varfër, dhe personi i varfër shkon dhe e shet atë në këtë kompani, nuk ka asgjë të keqe. Marrur nga libri ‘Sharh Zad al-Mustekni’.

Së dyti:

Në lidhje me shitjen e lëkurave dhe dhënien e fitimit për bamirësi, dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë. Disa prej tyre e lejuan dhe ky është mendimi i hanefive dhe është një transmetim prej transmetimeve të imam Ahmedit, -Allahu e mëshiroftë-, por shumica nuk e lejuan.

Në librin Tibjan al-Hakaik (6/9) thuhet: Nëse ai e shet atë për disa dirhemë, për t’i dhënë ato në bamirësi, lejohet, sepse është një akt adhurimi, sikur dhënia sadaka e lëkurës dhe mishit.

El-Halali ka thënë: AbdulMalik ibn AbdulHamidi më tha se Ebu Abdullahu (dmth imam Ahmedi) tha: Ibn Omeri e shiti lëkurën e një lope dhe fitimin e dha sadaka.

Is’hak ibn Mensuri ka thënë: I thashë Ebu Abdullahut: Çfarë duhet të bëjmë me lëkurat e kurbanëve? Ai tha: Duhet të përdoren dhe të jipet sadaka fitimi prej tyre. Unë i thashë: A mund të shitet dhe çmimi i saj të jipet për sadaka? Ai tha: Po, (për shkak) hadithit të Ibn Omerit.[1]

Sheukani, -Allahu e mëshiroftë-, ka thënë: dijetarët janë të pajtimit se mishi i kurbanit nuk mund të shitet, dhe e njëjta vlen edhe për lëkurën. Por, Euzai, Ahmedi, Is’haku dhe Ebu Theuri e lejuan, dhe kjo është një pikëpamje tek Shafitë që thanë: shuma e fituar shpenzohet për harxhimet e kurbanëve.[2]

Bazuar në këtë, nuk ka asgjë të keqe që lëkurat të dhurohen tek organizatat bamirëse që do t’i shesin dhe do të japin çmimin e tyre në bamirësi. Ky është një projekt bamirësie, sepse shumica e njerëzve nuk i përdorin lëkurat e kafshëve, kështu që shitja e lëkurës dhe dhënia e çmimit në bamirësi është arritja e qëllimit të synuar, që është të përfitojnë të varfërit dhe të shmanget  harami, e që është në këtë rast marrja në kompensim prej kurbanit nga vetë personi i cili e ther atë.

Duhet të theksohet se nëse ai që ther kurban synon që t’i japë lëkurën dhuratë organizatës bamirëse që i grumbullon ato, nuk ka asgjë të keqe me këtë. Dhe më pas organizata bamirëse mund t’i shesë ato dhe të japë fitimin në aktivitete humanitare.

Allahu e di më së miri.

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu nga gj.arabe Shpend Zeneli

[1] Shih gjithashtu el-Insaf (4/93).

[2] Nejl al-Autar (5/153)

GJITHASHTU NË ALBISLAM