Falënderojmë Allahun, i Cili na e ka plotësuar fenë, na i ka plotësuar dhuntitë, kurse paqja dhe bekimi qofshin mbi Pejgamberin, Muhamed, sal-lallahu alejhi ue selem, Pejgamberi i mëshirës dhe teubes.
Shaban është emër i muajit (të tetë të kalendarit lunar), kështu është emërtuar sepse arabët shpërndaheshin për të kërkuar ujë, ose sipas disave për shkak të shpërndarjes nëpër shpella, e sipas të tretëve për shkak se gjendet mes muajit Rexheb dhe Ramazan. Shumësi i këtij emri është Shabanat ose Sheabiin.
Duke e analizuar sunnetin dhe hadithet e të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem, do të mësojmë për disa vepra me të cilat i Dërguari e veçonte këtë muaj prej të cilave më i potencur ishte:
Agjërimi në muajin Shaban
Aisheja, radijallahu anha, thotë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, agjëronte sa që mendonim se aspak nuk është duke ngrënë, dhe nuk agjëronte sa që thonim se aspak nuk agjëronte. Nuk e kam parë Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke agjëruar një muaj të plotë përveç Ramazanit, kurse më së shumti e kam parë duke agjëruar në muajin Shaban”. (Buhariu dhe Muslimi). Në transmetimin tjetër të Muslimit qëndron: “E agjëronte gjithë Shabanin, përveç një pjesës së vogël”.
Një grup i dijetarëve, prej tyre është edhe Abdull-llah ibën Mubareku, kanë anuar nga mendimi se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kurrë nuk e ka plotësuar muajin e Shabanit me agjërim, por e ka agjëruar pjesën më të madhe. Këtë mendim e përforcon hadithi të cilin e transmeton Muslimi nga Aisheja, radijallahu anha, ku thotë: “Nuk di se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka agjëruar muaj të plotë përveç Ramazanit”, ose në transmetimin tjetër: “nuk e kam parë duke agjëruar një muaj të plotë prej ditës që ka ardhur në Medinë, në përjashtim të Ramazanit”.
Kurse Ibën Abbasi, radijallahu anhu, thotë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk ka agjëruar asnjë muaj të plotë përveç Ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi). Andaj Ibën Abbasi, radijallahu anhu, e urente të agjëron muaj të plotë përveç Ramazanit.
Ibën Haxheri, rahimehullah, thotë: “Agjërimi i tij vullnetar ishte më i shumtë në muajin e Shabanit sesa në muajt tjerë. Ai agjëronte pjesën më të madhe të Shabanit”.
Usame ibën Zejdi, radijallahu anhu, thotë: i thashë Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: të shoh që më së shumti je duke e agjëruar muajin e Shabanit? Mu përgjegj: ky është muaji që njerëzit e neglizhojnë, sepse gjendet mes Rexhebit dhe Ramazanit. Ky është muaji në të cili lartësohen veprat te Zoti i botëve, kurse unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim”. (Transmeton Nesaiu. Shiko: “Sahihut-Tergibi vet-Terhibi”, të Shejh Albanit, rahimehullah, fq. 425). Kurse në transmetimin e Ebu Davudit, Aisheja, radijallahu anha, thotë: “Muaji më i dashur për ta agjëruar për Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte muaji Shaban, pastaj e vazhdonte me muajin Ramazan”. (Shejh Albani, rahimehullah, thotë se ky hadith është i vërtetë. Shiko: “Sahih Sunen Ebi Davud”, 2/461).
Ibën Rexhebi, rahimehullah, thotë: “agjërimi i muajit Shaban është më i vlefshëm se agjërimi i muajve të shenjtë, kurse agjërimi më i mirë vullnetar është ai që është më afër Ramazanit, qoftë para ose mbrapa, ashtu sikurse namazet vullnetare me farzet, ato që falen para edhe ato që falen mbrapa, domethënë i plotësojnë mangësitë e farzeve. E njëjta gjë vlen edhe për agjërimin. Pastaj ashtu sikurse që sunetet e rregullta janë më të vlefshme sesa namazi vullnetar, ashtu edhe agjërimi para Ramazanit dhe pas është më i mirë sesa ai që është më larg.
Fjala e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Shabani është muaj që e neglizhojnë njerëzit sepse gjendet mes Rexhebit dhe Ramazanit”, domethënë se pasi që kufizohet me dy muaj të mëdhenj, muaji i shenjtë dhe muaji i agjërimit, njerëzit angazhohen nga ky muaj, andaj bëhet i neglizhuar. Shumica e njerëzve mendojnë se agjërimi i Rexhebit është më i vlefshëm se agjërimi i muajit Shaban, sepse muaji Rexheb është muaji i shenjtë, mirëpo kjo nuk është e saktë.
Në hadithin e lartpërmendur tregohet se mundet disa kohëra, vende ose persona të njihen si më të vlefshëm edhe pse gjinden kohëra, vende ose persona që janë më te vlefshëm se to.
Në këtë hadith gjithashtu ka argument se është e pëlqyeshme që të shfrytëzohen me ibadet kohërat që i neglizhojnë njerëzit. Për këtë disa nga selefi (muslimanët e parë) e shfrytëzonin kohën mes Jacisë dhe Akshamit me ibadet, sepse shumica e njerëzve janë neglizhent nga ibadeti në këtë kohë. E njëjta vlen edhe për përmendjen e Allahut, subhanehu ueteala, në treg, sepse e përmendin Allahun në vend të neglizhencës dhe mes neglizhentëve. Të shfrytëzosh me ibadete kohën që zakonisht njerëzit e neglizhojnë, ka shumë dobi, prej tyre janë:
Dobitë e adhurimeve në kohëra që i neglizhojnë njerëzit:
– Më lehtë e ke ta fshehësh këtë ibadet, kurse te veprat vullnetare fshehja e tyre është më i mirë. Sidomos agjërimi, i cili është ibadet i fshehur me robit dhe Zotit të vet, për këtë edhe është thënë se në te nuk ka mundësi të ketë rija, syfaqësi. Ka pasur njerëz nga selefi që kanë agjëruar me vite, askush nuk e ka ditur. Kur ka dal nga shtëpia për në treg ka marrë me vete bukën, rrugës i jepte ato sadaka, kurse ai vet agjëronte. Kështu, familja e tij mendonte se ka ngrënë bukën, kurse njerëzit e tregut mendoni se ka ngrënë në shtëpi. Për këtë, selefi e kanë pëlqyer për atë që agjëron që të tregon gjëra me të cilat do ta fshehë agjërimin e tij. Abdull-llah ibën Mesudi, radijallahu anhu, thotë: “nëse agjëroni, përdorni vajra (në fytyrë dhe flokë)”. Kurse Katadeja, rahimehullah, thotë: “është e pëlqyer për agjëruesin që të përdorë vajra, që të largon nga vetja pluhurin e agjërimit”.
– Veprat e mira në kohën e neglizhencës janë të rënda për nefsin, kurse prej shkaqeve që një vepër e bëjnë më të vlefshme, është vështirësi e tyre për nefsin, sepse kur një vepër e bëjnë shumë njerëz, atëherë është ma e lehtë, kurse nëse e neglizhojnë një vepër shumica e njerëzve, atëherë u bëhet e rëndë të zgjuarve. Transmeton Imam Muslimi nga Ma’kel ibën Jesari, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ibadeti në kohën e fitnes është sikur të bësh hixhret tek Unë”. Sepse në këtë kohë njerëzit i pasojnë epshet e tyre, andaj ai që kapet për të vërtetën është duke bërë një vepër të rëndë.
Shkaku i agjërimit të shpeshtë në Shaban
Dijetarët kanë shumë mendime për shkakun e agjërimit të shumtë të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, në muajin Shaban, prej tyre janë edhe këto mendime:
1- Nuk mundej ti agjëron çdo herë nga tre ditë të çdo muajit për shkak të udhëtimit, andaj të gjitha këto i kompensonte në muajin Shaban. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, kur e bënte ndonjë vepër vullnetar e vazhdonte, e nëse i kalonte e kompensonte.
2- Disa kanë thënë: gratë e tij, i kompensonin ditët e mbetura nga Ramazani i kaluar në muajin Shaban, edhe ai agjëronte me to. Këtë e vërteton edhe Aisheja, radijallahu anha, e cila e vononte kompensimin e agjërimit të ditëve të mbetura nga Ramazani deri në Shaban, sepse ishte e angazhuar me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem.
3- Disa të tjerë kanë thënë: sepse është muaji që shumica e njerëzve e neglizhojnë. Ky është mendimi më i saktë, duke u mbështetur në hadithin e Usame ibën Zejdit që e përmendëm pak më lartë.
Në këtë rast duhet t’ua tërheqim vërejtjen se atij që i ka mbetur diç pa agjëruar nga muaji i kaluar i Ramazanit, duhet ta kompensoj para se të hyjë muaji i ardhshëm i Ramazanit dhe nuk i lejohet ta vonojë, përveç se me ndonjë arsye. Ai që ka mundësi ta kompenson para Ramazanit të ardhshëm dhe nuk e ka bërë, përveç kompensimit duhet bërë teube dhe për çdo ditë duhet ushqyer nga një të varfër. Ky është mendim i Malikut, Shafiut dhe Ahmedit.
Prej dobive të agjërimit të muajit Shaban është se agjërimi i këtij muaji e stërvitë njeriun para ardhjes së agjërimit të muajit Ramazan, që mos ti vjen i rëndë agjërimi i muajit Ramazan, por i vjen muaji i Ramazani, kurse ky është i përgatitur dhe aktiv.
Agjërimi në fund të Shabanit
Tregon Ebu Hurejreja, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos agjëroni para Ramazanit një ose dy ditë, përveç atij që ka agjëruar ditë të zakonshme”. (Buhariu dhe Muslimi)
Sipas argumenteve që i kemi në disponim agjërimi para muajit Ramazan i ka tre situata:
A) Të agjëron me nijet që mos të gabon fillimin e muajit Ramazan, kjo është haram.
- B) Të agjëron me nijet të zotimit, ose kompensimit, etj, kjo është e lejuar sipas shumicës së dijetarëve, dhe
- C) Të agjëron me nijet të agjërimit vullnetar, nëse e ka pasur traditë ti agjëron ato ditë, siç është e hënë dhe e enjte, atëherë i agjëron, përndryshe jo.
Nëse ndokush thotë: pse urrehet të agjërohet në ditët para muajit Ramazan, si përgjigje mund të themi, se kjo është kështu për shumë aspekte:
1- Për mos t’i shtuar muajit të Ramazanit ditë që nuk janë të tij. Për këtë shkak është i ndaluar edhe agjërimi i ditës së bajramit, që mos të bëjnë muslimanët siç kanë bërë pasuesit e librave, të cilët kanë shtuar sipas mendimeve dhe epsheve të tyre. Për këtë edhe ka ndaluar Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, agjërimin e ditës së dyshimtë.
2- Për të ndarë agjërimin vullnetar nga ai obligueshëm, edhe kjo është një gjë e ligjshme. Për këtë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka ndaluar ngjitjen e namazit obligueshëm me atë vullnetar pa i ndarë ato me selam ose fjalë, sidomos sunnetet para namazit të sabahut.
Ndokush mund të mendojë se ngrënia para Ramazanit ka për qëllim ngopjen me ushqim dhe ngopjen e epsheve para se ta ndalon nga ushqimi me agjërim, por kjo është gabim dhe injorancë, nëse ndokush kështu ka menduar.
Leximi i Kur’anit dhe lëmosha
Pasi që muaji Shaban është paralajmërues i muajit Ramazan, atëherë edhe ky muaj duhet të ketë disa gjëra që i ka muaji i Ramazanit, siç është agjërimi, leximi i Kur’anit dhe dhënia e lëmoshës. Seleme ibën Suhejli thoshte: Muaji i Shabanit është muaj i lexuesve të Kur’anit”.
Edhe Habib ibën Ebi Thabit kur hynte muaji Shaban thoshte: Ky është muaji i lexuesve të Kur’anit. Kurse Amr ibën Kajs el-Mulai kur hynte muaji i Shabanit, e mbyllte dyqanin e tij dhe lirohej nga angazhimet tjera për të lexuar Kur’an.
Festimi i natës në mes të muajit Shaban (Lejletul Berat)
Allahu, subhanehu ueteala, thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe”. (El-Maide: 3).
“A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi Allahu?”. (Esh-Shura: 21).
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Aisheja, radijallahu anha, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush shpikë në fenë tonë gjëra që s’janë prej sajë, kjo vepër është e refuzuar”.
Transmeton Xhabiri, radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, gjatë hutbes së tij thoshte: “Biseda më e mirë është, Libri i Allahut e udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, kurse gjërat më të këqija janë ato të shpikurat, kurse çdo bidat është delalet”. (Muslimi).
Shumë ajete dhe hadithe flasin në këtë drejtim.
Prej bidateve që i kanë shpikur njerëzit është edhe festimi i natës në mes të muajit shaban (nata e beratit), duke e veçuar këtë ditë me agjërim, duke mos pasur për këtë argument në të cilin mundet të mbështetemi. Mbi vlerën e kësaj dite ekzistojnë disa hadithe, mirëpo janë të dobëta, kurse sa i përket namazit në këtë ditë, të gjitha janë apokrife, siç e kanë treguar këtë shumë dijetarë. Disa prej tyre do t’i përmendim pak më poshtë.
Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve festimi i kësaj dite është bidat dhe se hadithet që flasin për këtë ditë janë të dobëta, e disa janë edhe apokrife. Prej dijetarëve që e kanë treguar këtë gjë është edhe Ibën Rexhebi, rahimehullah, në librin “Letaiful-Mearif”. Sipas disave ka mundësi të punohet me hadith të dobët, mirëpo nëse për këtë vepër ka bazë të shëndoshë në hadithet e vërteta, kurse për këtë ditë nuk ka bazë të shëndoshë, që ta forcojmë me hadith të dobët. Këtë rregull e ka sqaruar shumë mirë Shejhul-Islam, Ibën Tejmijje, rahimehullah.
Të gjithë dijetarët janë të pajtimit se nëse muslimanët kanë mendime të ndryshme për ndonjë çështje, duhet kthyer në Kur’an dhe Sunnet, e çka të gjykojnë ato, ose njëri prej tyre, ajo është sherijat dhe fe që duhet ta pasojmë, kurse ajo që është në kundërshtim me te duhet refuzuar. Nëse për ndonjë ibadet nuk ka bazë në Kur’an dhe Sunnet, atëherë është bidat të cilin nuk lejohet ta bëjmë, e mos të flasim për davet në te ose t’i nxisim njerëzit në këtë vepër. Allahu, subhanehu ueteala, thotë: “Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te Allahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë”. (En-Nisa: 59).
Ka shumë ajete që flasin në këtë drejtim dhe janë vendimtare se gjatë mendimeve të ndryshme duhet kthyer në Kur’an dhe Sunnet, dhe se duhet kënaqur me këtë gjykim, dhe se kjo është argument i imanit të një besimtari dhe e mirë për robin në dunja dhe ahiret.
Hafidh Ibën Rexhebi, rahimehullah, në librin e tij, “Letaiful-Mearif”, thotë: “Namazi gjatë natës në mes të muajit shaban nuk ka bazë nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e as nga shokët e tij”.
Kurse çdo gjë që nuk ka bazë në argumente të shëndosha nuk i lejohet muslimanit ta shpikë në fe, pa marrë para sysh a është duke e bërë vet ose në grup, pa marrë para sysh a e bënë publikisht ose e fshehë, duke u bazuar në përgjithshmërinë e fjalës së Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush shpikë në fenë tonë gjëra që s’janë prej sajë, kjo vepër është e refuzuar”.
Imam Ebu Bekr Tartushi në librin e tij, “Shpikjet dhe bidatet”, thotë: “transmetohet nga Ibën Vedahi, e ky nga Zejd ibën Eslemi, i cili ka thënë: asnjë hoxhë i yni e as fukahatë tonë nuk i kanë dhënë asnjë vlere natës së mesme të muajit shaban, nuk e kanë zë gjë hadithin e Mekhulit, nuk e kanë konsideruar natë me vlerë. Kur Ibën Ebi Melikeja e ka dëgjuar njërin duke thënë: fulani thotë se nata e Beratit ka vlera sa nata e Kadrit, ia ktheu: po ta dëgjoja do ta goditja me shkop”.
Shevkaniu, rahimehullah, në librin e tij, “Dobi të përmbledhura”, thotë: “Hadithi që fletë për namazin e natës së mesme të muajit shaban është i trilluar”. E në disa libra tjerë ka thënë se është i kotë, i pa bazë, i dobët etj.
Disa dijetarë janë mashtruar me këto hadithe, siç është rasti me Ebu Hamid Gazalin dhe disa dijetarë të tefsirit.
Hafidh Irakiu thotë: Hadithi që flet për namazin në natën e mesme të muajit shaban është i trilluar mbi Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe është gënjeshtër mbi te”.
Imam Neveviu thotë: “Namazi i Regaibit dhe namazi i natës së beratit janë bidate dhe nuk duhet të mashtrohet ndokush nga fakti se janë të përmendura në librin “Kutul-Kulub”, ose “Ihaju ulumud-din”, e as nga hadithet që janë përmendur atje, sepse krejt ato janë të kota, e as me shkrimet e disa dijetarëve që u është përzier kjo çështje, sepse ata kanë gabuar në këtë rast”.
Shejhu Ebu Muhamed, Abdur-Rahman ibën Ismail El-Makdisiu ka shkruar libër shumë të vlefshëm mbi këtë temë, ku ka vërtetuar kotësinë e sajë në mënyrë të zgjeruar dhe të mirë. Dijetarët kanë folur shumë rreth kësaj teme, po të dëshironim t’i përmendim do ta zgjatnim shumë. Mirëpo kjo që kemi përmendur, mendojmë se mjafton për ate që e kërkon të vërtetën.
Ajetet, hadithet dhe fjalët e dijetarëve që i përmendëm më lartë i sqarojnë kërkuesit të të vërtetës se: festimi i natës në mes të muajit shaban, me namaz ose gjëra tjera, veçimi i ditës së sajë me agjërim, është bidat i urrejtur sipas shumicës së dijetarëve dhe nuk ka bazë në sheriatin e pastër, bidat i cili ka dalur pas shekujve të sahabeve, radijallahu anhum.
Në këtë kontekst kërkuesit të të vërtetës i mjafton ajeti: “Sot përsosa për ju fenë tuaj..”. Dhe ajetet tjera që flasin në këtë drejtim.
Edhe hadithi: “Kush shpikë në fenë tonë gjëra që s’janë prej sajë, kjo vepër është e refuzuar”.
Imam Muslimi transmeton nga Ebu Hurejre, radijallahu anhu, i cili thotë se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos e veçoni natën e xhuma me namaz të veçantë, e as ditën e sajë me agjërim të veçantë, në përjashtim të rastit kur ju takon në agjërim të zakonshëm”.
Po të ishte e lejuar të veçohet ndonjë natë me agjërim, atëherë nata më meritore do të ishte nata e xhuma, sepse dita e sajë është dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli, sipas haditheve të Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem. Pasiqë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ua ka tërhjekur vërejtjen nga veçimi i natës së xhuma me namaz të veçantë, kjo tregon se veçimi i ndonjë nate tjetër edhe më parë është i ndaluar, në përjashtim të ndonjë rastit kur është veçuar me hadith të vërtetë.
Pasi që sipas sherijatit është e ligjshme namazi i natës gjatë ramazanit dhe natës së Kadrit, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ua ka treguar ummetit dhe i ka nxitur në te, bile edhe vet i ka bërë.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Kush falet gjatë netëve të Ramazanit, me besim dhe shpresë të shpërblimit, i falen mëkatet e mëparshme”. (Buhariu dhe Muslimi).
“Kush e falët Natën e Kadrit me besim dhe shpresim të shpërblimit, i falen mëkatet që i ka bërë më parë”. (Buhariu dhe Muslimi).
Kështu që, po të ishte nata në mes të muajit shaban dhe nata e parë e xhumasë së parë të Rexhebit (që e quajnë Regaib), ose nata e Israsë dhe Miraxhit e ligjshme veçimi i tyre me festim ose me ndonjë ibadet të veçantë, do tia tregonte Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, këtë mbarë ummetit ose do ta bënte vetë, po të ndodhte diç e tillë, këtë do të na e tregonin sahabet e tij e nuk do të na e fshehnin, sepse ata kanë qenë njerëzit që më së shumti kanë këshilluar, pas Pejgamberëve. Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.
Pak më parë të treguam fjalët e dijetarëve se për këtë gjë nuk ka asnjë hadith të vërtetë nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e as nga sahabet e tij,, radijallahu anhum, as për natën e Regaibit e as për natën e Beratit, atëherë na bëhet e qartë se festimi i kësaj nate është bidat, gjë e shpikur në Islam edhe veçimi me ibadet të veçantë është bidat. Kjo vlenë edhe për natën e Israsë dhe Miraxhit.
E lusim Allahun që ti udhëzojë mbarë muslimanët që të kapen për Sunnet dhe të përqëndrohen në te dhe të kujdesen prej bidateve dhe gjërave që i kundërshtohen. Paqa dhe bekimi qofshin mbi Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe mbi shokët e tijë në përgjithësi.
Referencat:
“Lataiful-Mearif fima limevasimil-Ami minel-Vedhaifi”, të Ibën Rexheb Hanbeliut
“Përmbledhja e fetvave” të shejh Ibën Baz, rahimehullah, vëll. 2, fq. 882
“El-Ilamamu bishejin min ahkamis-Sijami”, Abdul-Aziz Raxhihi