A e din cila datë është sot?
Sot është data… pse a ka ndonjë problem?
A e din pas sa ditëve do të jetë dita e parë e Ramazanit?
Mendoj do të jetë me…
Qëndro me mua disa minuta dhe merr një fletë të bardhë e një laps dhe përgjigju pyetjeve në vijim:
1- Sa ditë ke agjëruar për Allahun (azze ue xhel-le) pas Ramazanit?
2- Sa herë ke bërë hatme Kur’anin pas Ramazanit?
3- Sa namaze të sabahut ke falë dhe sa të kanë ikur pas Ramazanit?
4- Sa herë ke ndërtuar për veten shtëpi në Xhennet duke falur 12 rekatet sunnet pas Ramazanit?
5- Sa herë ke hapur një libër të Tefsirit (komentimit të Kur’anit), apo je ndalur për ta medituar ndonjë ajet?
6- Sa herë ke dhënë sadaka-lëmoshë pas Ramazanit?
7- Sa herë ke hy në xhami ditën e xhuma një orë para imamit, apo dy – pas Ramazanit?
8- Sa herë e ke vizituar farefisin tënd pas Ramazanit?
9- Sa libra ke lexuar pas Ramazanit?
10- Sa herë ke falur namaz nate pas Ramazanit?
11- Sa herë ke fjetur pasi e ke falur namazin e vitrit pas Ramazanit?
12- Sa herë je ulur në xhami ta përmendësh Allahun derisa të lindë dielli – pas Ramazanit?
Shkruaj përgjigjet dhe pasi të përfundosh shiko në fletën tënde mirë, se ti do të shikosh të ngjashme si kjo kur do të shfaqet në Ditën e Gjykimit. Çka do të thuash?
A do të thuash: a) “Qoftë Lartësuar Allahu, i cili na ka udhëzuar në këtë, ne nuk do të ishim të udhëzuar sikur Allahu të mos na kishte udhëzuar.” (A’raf, 43)
b) “Ku është ai fat të isha përgatitur në jetën time!” (Faxhr, 24)
Mirë. Ktheje fletën në anën tjetër dhe përgjigju në pyetjet e radhës:
1- Sa herë ke përgojuar pas Ramazanit?
2- Sa herë je hidhëruar dhe nuk je përmbajtur?
3- Sa herë e ke fyer dikë?
4- Sa herë ke lënë namazin e sabahut, pas Ramazanit?
5- Sa herë ke hidhëruar prindërit e tu, pas Ramazanit?
6- Sa herë ke qenë i vrazhdë në kritika ndaj të tjerëve?
7- Sa herë ke hyrë në polemika që nuk ke pasë dobi prej tyre?
8- Sa herë ke harruar dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes?
9- Sa ndeshje sportive dhe filma serik ke përcjell?
Shkruaj përgjigjet dhe shiko në fletë dhe krahaso mes dy anëve të fletës, dhe ndalu një moment… Nëse vërtetë je mospërfillës dhe neglizhent në nënshtrimin ndaj Allahut, dhe je i dhënë pas mëkateve, ma jep besën se edhe unë do ta jap besën që do ta thërrasim njëri-tjetrin që ta shfrytëzojmë kohën që na ka mbetur deri në Ramazan, me adhurim dhe vepra të mira, njëkohësisht pakësim të mëkateve ashtu që të vij muaji dhe ne jemi duke vazhduar në adhurime, me shpresë se do të jemi prej atyre që lirohen nga zjarri i Xhehnemit në natën e parë prej netëve të Ramazanit.
Shmangu nga “do ta bëje” dhe fillo me adhurime të lehta që mundesh t’i ruash e më pas vazhdo t’i shtosh ngadalë pasi të jesh i sigurt në kryerjen e tyre.
Fillo të agjërosh një ditë në javë pastaj shtoi ngadalë, Mundohu që një herë në javë të japësh nga-pak lëmoshë. Vizito të afërmit e tu apo telefonoji të paktën, mos i harro namazet vullnetare gjatë natës, qoftë edhe vetëm dy rekate. Mos e privo veten nga shikimi në mus’haf qoftë duke lexuar edhe vetëm dy ajete.
Allahu na mundësoftë ta arrijmë Ramazanin duke bërë adhurime.
Përktheu: Valdet Kamberi
www.albislam.com