Është tejet e rëndësishme të kuptojmë një çështje që ka të bëjë me temën e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja.
Shumë njerëz heqin dorë nga ky obligim duke menduar se do bënin mëkat po qe se urdhërojnë në një të mirë që vetë nuk e bëjnë apo ndalojnë nga një e keqe që vetë e bëjnë. Në fakt ky është një mashtrim i shejtanit ngase po të ishte detyrim plotësimi i këtij kushti – të urdhërojë në të mira ai që nuk ka mëkate – a thua vallë kush prej njerëzve do të kishte këtë të drejtë pas Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem? Përgjigjja është: askush. Që këndej, kuptojmë se një prej intrigave të shejtanit është pështjellimi i kësaj çështjeje, duke i bërë disa njerëz të mendojnë se nuk kanë të drejtë të urdhërojnë në të mirën që vetë nuk e punojnë e as të ndalojnë në të keqen që vetë e bëjnë.
Cila është zgjidhja? Të urdhërojmë në të mirë dhe vetë të mos e bëjmë e të ndalojmë nga e keqja ndërsa vetë ta bëjmë?
Përgjigjen e gjejmë në fjalët e dijetarit të madh Ibën Hazëm, i cili thotë:
“Ruhuni nga Iblisi dhe ndjekësit e tij në këtë çështje, mos e braktisni urdhërimin në të mirë edhe nëse keni mangësi në zbatimin e saj dhe mos e braktisni ndalimin nga e keqja edhe nëse bëni diçka nga ajo! Mes jush dhe Zotit pranoni mangësinë e të vepruarit në kundërshtim me atë që e dini. Kërkoni falje nga Allahu për këtë pa i shpalosur gjërat e pamoralshme që i keni bërë, ngase publikimi i tyre është mëkat i madh, siç është vërtetuar nga Pejgamberi, (salallahu alejhi ue selem).
Ndoshta dikush prej nesh do të turpërohet kur të urdhërojë në të mirë apo të ndalojë nga e keqja ndërsa vetë e punon të kundërtën dhe kjo mund të jetë shkak që ai të largohet nga mëkati dhe ta urrejë atë. Ashtu sikur edhe kërkimfalja dhe pranimi i dobësisë së tij para Allahut mund të jetë shlyes i mangësive të tij” (Rasail Ibën Hazëm 3/180)
Shkroi Hoxhë Agim Bekiri