Për ta filluar një proces edukues të saktë dhe preciz, kemi nevojë që ta fillojmë në formë të planifikuar dhe shkencor, dhe po ashtu kemi nevojë për precizitet dhe saktësi në zgjedhjen e mjeteve dhe metodave të përshtatshme për çdo person në veçanti.
Islami e ka themeluar metodologjinë e tij të madhe edukuese në një formë që i përshtatet çdo individi, si do që të jenë cilësitë e tija. Neve na mbetet që ta hulumtojmë dhe meditojmë brendësinë dhe kuptimet e kësaj metodologjie, që të arrijmë në zgjidhjen e çdo problemi edukativ, dhe shërimin e çdo sëmundjes që paraqitet te fëmijët tanë, dhe po ashtu tek ne më të moshuarit.
Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, themeloi metodologji edukuese dhe shkollë familjare të rrallë, unike në kultivimin dhe edukimin e fëmijëve. Po ashtu vendosi rregulla edukuese teorike të cilat i dëshmoi me sukses të madh praktika, dhe e tërë bota ende vazhdon ta dëshmon superioritetin e kësaj edukate.
Mundemi t’i veçojmë dhe numërojmë themelet më të rëndësishme, në disa themele të përgjithshme, me të cilat i edukoi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, fëmijët e tij dhe urdhëroi në edukimin e fëmijëve të Ummetit mbi këto themele.
1- Themeli Ideologjik: Ky themel përfaqëson boshtin kurrizor e çdo mendimi, dhe prapavijën e domosdoshme të çdo sjelljeje. Po ashtu përfaqëson mbështetjen kryesore në lëkundjet dhe ndërrimet e kushteve të ndryshme jetësore. Për atë shkak Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e vendosi themelin ideologjik si themel të parë në metodologjinë e edukimit të fëmijëve, se kur e kaplon zemrën dhe besimin e njeriut, dyshimi dhe dobësia, i lëkund dhe çrregullon pjesët pasuese të saj, si mendimin, sjelljen dhe konceptin. Prandaj, e vërejti Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se obligohet përforcimi i besimit në zemrat e fëmijëve prej moshës fëmijërore, kështu që ata fëmijë më vonë të rriten me palëkundshmëri të dalluar në ideologji dhe metodologji.
Me themel ideologjik këtu nënkuptojmë, atë çka mundet të vendoset dhe përforcohet në zemrën e fëmijëve, prej besimit në Zotin e tyre, prej besimit në emrat dhe cilësitë e Tij, prej kuptimit të qenit rob i Tij, pastaj besimit në profetët, librat qiellorë, ditën e fundit, kaderin, fshehtësitë dhe të padukshmet. Pra, ky themel i përfshin të gjitha anët e jetës, dhe të gjithë Pejgamberët në thirrjen e tyre në njësim dhe besim të Allahut, kanë ardhur me këtë themel.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kujdesshëm në mbjelljen e besimit të pastër në Allahun azze ue xhel në zemrat e fëmijëve të tij dhe fëmijëve të Ummetit dhe nuk lejonte që të bien viktima të epsheve të tyre, apo ideologjive të ndryshme, që t’i largojnë prej rrugës së drejtë.
Vërejmë se si Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ecte në rrugë, i hipur në kafshën e tij dhe pas tij një vogëlush i quajtur Ibën Abas,radijallahu anhuma, e mësonte mësime për besim të pastër, duke i thënë: “O djalosh, do t’i mësoj disa fjalë: Ruaje fenë e Allahut, Allahu do të ruajë ty. Ruaje fenë e Allahut, Allahun do ta gjesh para teje. Kur të kërkosh, kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut. Dije, sikur tërë populli të tubohej që të të ndihmojnë në diç, nuk do të të ndihmonin, përveç atë çka të ka caktuar Allahu. E nëse do të tuboheshin që në diç të të bëjnë dëm, nuk do të të dëmtonin, përveç në atë çka Allahu tash më të ka caktuar. Janë ngritur lartë penat dhe janë tharë faqet ( d.m.th. çdo gjë është caktuar dhe mbaruar)”. ( Tirmidhiu). Pra, e vërejmë se si ai mbjell në zemrën e këtij vogëlushi lidhje të fortë me Allahun e tij, mbështetjen në Atë, besimin në prezencën a Tij, ruajtjen e fesë së Tij dhe mos frika prej njerëzve kur ai vepron me fenë e Allahutazze ue xhel.
2- Themeli i dytë edukues: Dituria: Në edukim rëndësia e këtij themeli vjen për shkak se dituria përfaqëson çelësin e madh për kuptimin dhe ndërtimin e rezistencës morale, dhe lloji i diturisë së pranuar për njeriun formon animet, tendencat dhe bindjet e tija, në drejtim të asaj çka e rrethon atë, prej gjallesave dhe kozmosit.
Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kujdesshëm t’ua mësojë atyre diturinë e dobishme dhe t’ua vërtetojë se nevoja e tyre për diturinë s’është më e vogël se nevoja e tyre për ushqim dhe pije. Prandaj, i thoshte atyre duke i nxitur, se: “Dijetarët janë pasardhësit e të Dërguarve”. ( Ebu Davudi), dhe i mësonte që të kërkojnë mbrojtje tek Allahu prej diturisë që s’bën dobi, kështu që njeriu të frikohet dhe mos shpreson mendjemadhësisë dhe lavdërimin mes njerëzve. Duaja që ua mësonte atyre ishte: “O Zot, kërkoj mbrojtjen tënde prej diturisë që s’bën dobi dhe prej zemrës që nuk ka frikë”. ( Muslimi).
3- Themeli i tretë: Të qenit rob i sinqertë për Allahun dhe largimi prej mëkateve dhe gjynaheve. Edukata prodhuese patjetër duhet të posedon përmbajtje të brendshme të sinqertë dhe cilësi individuale të dalluara, që të mundet ta ndërton brendësinë e personalitetit tek fëmijët.Pastaj, ai fëmijë mundet ta jeton jetën e tij si i sinqertë e jo rrenacak, si i pastër e jo i njollosur dhe fëlliqur, dhe gjithmonë të jetë në lidhje me Zotin e tij dhe të ndjen në brendësinë e tij se Ai e kontrollon, dhe kështu të drejtohet sjellja dhe ideologjia e tij, dhe të drejtohen shpresat dhe ambiciet e tija.
Muadh ibën Xhebeli një ditë u fal me Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe pas namazit Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, atij i tha: “O Muadh, pasha Allahun të dua për hir të Allahut, prandaj mos harro që pas çdo namazi të thuash: O Zoti im, më ndihmo mua në përmendjen Tënde, në falënderimin ndaj Teje dhe në formën e mirë të adhurimit”. (Ebu Davudi).
Pra, ai, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se adhurimi është mirësi, begati, dhe fisnikëri prej Allahut azze ue xhel, dhe s’është përpjekje prej njeriut ose aktivitet trupor, por është mbarësi Hyjnore. Të gjithë janë nevojtar për mbarësinë e Zotit të tyre që t’i lehtësohet adhurimi i pranuar. Po ashtu, e mësonte se adhurimi kërkon përhershmëri në kërkimin e ndihmës prej Allahut, se pa kërkimin e ndihmës prej Tij, mundet ta bën njeriun të gëzohet me veprat e tij, të bëhet kryelartë e në fund të shkatërrohet. Prandaj ai, sal-lallahu alejhi ue selem, ngulit në zemrën e tij se besimtari kur e adhuron Allahun e tij duhet të kërkon ndihmë prej Tij, dhe të mbështetet në Atë, se Ai azze ue xhel është i cili e mbarëson njeriun në nënshtrimin e Tij.
4- Themeli i katërt, Veprimi ose Zbatimi: Edukata e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, është edukatë zbatuese që s’mjafton vetëm me fjalë, por vazhdimisht thirr në veprim dhe zbatim, prandaj s’ka dituri pa vepër, dhe s’ka këshillë pa shëmbëlltyrë, dhe s’ka koncept pa realizim. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ishte i kujdesshëm që të jenë mësimet e tija për fëmijët e tij edukatë e cila kalon prej fjalës në vepër ndërtimi ose në moral të pëlqyer ose në përmirësimin e sjelljes në të mirë.
Zotërimi i një profesioni në mënyrë të përsosur për njeriun është vlera e besimit të lartë, siç ka ardhur në hadith: “Allahu e do çdonjërin prej jush, i cili kur punon e zotëron profesionin e vet”. ( Taberaniu)
Shkallën që e arritën dijetarët në Islam, nuk e arritën thjesht me diturinë e tyre, por e arritën kur ia bashkëngjitën diturisë së tyre veprën, kështu që u bënë dijetarët më të aftit për përmirësimin në tokë.
Po ashtu, Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se vepër e dobishme dhe e kërkuar është ajo e cila ta ndërton Ahiretin dhe ta përmirëson dynjanë, e jo ajo e cila ta shkatërron dynjanë dhe Ahiretin, dhe se çdo individ e ka obligim ta zvogëlon papunësinë dhe pasivitetin prej rritjes, duke iu thënë: “Që ndonjëri prej jush ta marrë litarin dhe të mbledh dru dhe t’i vejë në shpinë, është më mirë për të sesa të shkojë te dikush që Allahu i ka dhënë pasuri dhe të kërkojë lëmoshë nga ai, i dha ai apo jo“. (Buhariu dhe Muslimi), dhe i thotë atyre: “Nëse vjen dita e Gjykimit dhe një besimtar ka në dorë një fidan për të mbjellë para së të vijë ajo ditë, le ta mbjellë”. ( Ahmedi).
5- Themeli i pestë: Morali. Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, i mësonte se morali i mirë është kufi, i cili e mbron sjelljen prej devijimit, kriminalitetit dhe gabimit. Ai që nuk posedon moral të mirë, s’ka shoqëri dhe s’ka vëllazëri, ikin njerëzit prej tij dhe e urrejnë më të afërmit e tij.
Ai i cili s’ka moral të mirë e mbisundon epshi i tij dhe bie në gabime, dhe çfarëdo diturie të mëson nuk shfaqen tek ai gjurmët e asaj diturie. Edhe pse metodologjitë tjera jo islame e ndërtojnë një qytetar të sinqertë, të cilit nuk i intereson se çka veprojnë të tjerët, metodologjia islame tenton ta ndërtojë një njeri të sinqertë me moral të lartë, i cili ua do të tjerëve atë që e do për vete. Vet Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem,e sheh se porosia e tij në përgjithësi kristalizohet në një kuptim të vetëm, i cili është morali i mirë dhe edukata në atë moral, dhe thotë: “Jam dërguar që t’i përkryej vlerat morale”. (Ahmedi), dhe i nxit në kultivimin e moralit të lartë, duke thënë: “Vërtet më i dashuri tek unë prej jush dhe më i afërti tek unë ditën Gjykimit do të jetë ai i cili është me moral më të mirë”. (Ahmedi).
Përktheu: Irfan JAHIJA
Burimi në gj. shqipe: albislam.com