I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”
Muaji i Ramazanit është muaj i veçantë dhe si i tillë duhet të përjetohet. Në këtë muaj ka zënë fill shpallja e Kuranit Fisnik, po ashtu ky muaj quhet edhe muaji i Dritës, i Mëshirës, i Durimit, i Amnistisë Hyjnore, pra i faljes pa masë…
Qëllimin e agjërimit të këtij muaji Allahu e ka përmendur tepër qartë në Kuran duke thënë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”[1]
Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi.
Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tonë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.” [2]
Madje thellë në urtësinë e agjërimit është e fshehur falja e Allahut, i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë: “Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu e largon fytyrën e tij nga zjarri i xhehenemit në një distancë sa ecja për shtatëdhjetë vite.“[3]
Nuk duhet harruar se adhurimi i agjërimit është një adhurim i veçantë për Allahun në të cilin nuk ka mundësi të ketë syefaqësi prandaj dhe Allahu e trajton atë me shpërblim të veçantë apo thënë ndryshe me shpërblim që nuk i dihet kufiri, iDërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”
Agjërimi në këtë muaj përmban mesazhe të mëdha pra është muaji i cili na porosit të largohemi një herë e përgjithmonë nga veset dhe moralët e ulëta, t’i nënshtrojmë epshet tona, ta ruajmë gjuhën tonë, t’i përmirësojmë raportet tonë me njerëzit që na rrethojnë, madje mos arritja e këtyre virtyteve e cenon edhe vetë pranimin e agjërimit tonë, thotë i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Ai njeri që nuk i lë fjalët e këqija dhe të vepruarit me to, Allahu nuk ka nevojë që ky njeri të lërë të ngrënën dhe të pirën.”[5] Kurse në transmetimin tjetër: “E sa prej atyre që agjërojnë nuk përfitojnë prej agjërimit të tyre vetëm se uri dhe etje?!”
Kurse në të tretin: “Nuk është agjërimi (vetëm) prej të ngrënit dhe pijes, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj! “ [6] Madje largimi dhe mënjanimi i këtyre veseve pa dyshim se na udhëzon drejt mos-bërjes së mëkateve nga të cilët më vonë duhet kërkojmë falje e të pendohemi.
Gjithashtu privimi nga kjo mundësi e madhe e faljes së Allahut ka pasoja të rënda, pasi që me shumë pak angazhim fitohen mirësi dhe begati të mëdha, falje mëkatesh, ngritje gradash, pastrim i shpirtit, përsosje e moraleve etj. Kurse për pasojat e kësaj humbjeje po na e tregon ky hadith që duhet vazhdimisht të na kujtohet gjatë këtij muaj. Në një rast i Dërguari i Allahut u ngjit në minberin e tij, dhe thotë Ka’b ibën Uxhre –Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Kur hipi një shkallë tha: “Amin!”, u ngrit edhe një shkallë e tha: “Amin!”, dhe kur u ngrit në shkallën e tretë tha përsëri:“Amin!“
Pasi që zbriti, i thamë: “O i dërguar i Allahut, sot dëgjuam prej teje diçka që se kemi dëgjuar më parë?” – Ai tha: “Mu paraqit Xhibrili dhe tha: U largoftë (nga mëshira e Allahut –shprehje mallkimi) ai që kur përmendesh ti në prezencë të tij, nuk të përshëndetë (me selam e salavatë)!”, e unë thashë: Amin!
Kur hipa përsëri tha:“U largoftë ai që prindërit e tij, apo njërin prej tyre e zë pleqëria tek ai, e ai nuk arrin ta fitojë xhenetin!”, (e unë) thashë:“Amin!”
E kur hipa përsëri më tha: U largoftë ai që e zë Ramazani dhe nuk i falen mëkatet!”, e unë i thashë: “Amin”.[7]
Mundësia që ta fitojmë faljen e Allahun në këtë muaj është më e madhe se çdo herë tjetër pasi që ka disa raste, përveç agjërimit, teubes, faljes së namazit të natës në të është edhe nata e Kadrit. I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”
Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, pasi që ai na erdhi pas një mungese të largët, ju përgëzojmë me këtë mysafir dhe ju këshillojmë që agjërimin në të ta kuptojmë si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, pasi që të tillët janë ata që përfitojnë prej tij. Ishin të parët tanë të mirë që gjatë ditës e shijonin kënaqësinë e agjërimit, gjatë natës e shijonin ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, i takonin melaikët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. E ndaheshin prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar, të jemi edhe ne nga ata që mundohen, e pa dyshim se Allahu atyre që mundohen drejt një rrugë të begatë Ai u lehtëson atë rrugë.
Thotë poeti:
“Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë.
Ju mëshiron Allahu në të,
duke ju fshirë me mëshirën e Tij gabimet tuaja
dhe duke ju përgjigjur lutjeve tuaja.
Allahu shikon në adhurimin tuaj
dhe mburret me ju para melekëve.
Tregoni pra, Allahut nga vetja juaj vetëm të mira. i shkretë është vetëm ai,
që s’e meriton mëshirën e Allahut në këtë muaj”.[8]
[1] Bekare183
[2] Lukman 34
[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi
[4] “Sahih Tergib ve Terhib” sipas Albanit nr. 973
[5] Transmeton Buhariu nr. 1903
[6] Transmeton Ahmedi nr. 8639
[7] “Sahih Tergib ve Terhib” sipas Albanit nr. 981
[8] Transmetuar nga Tabaraniu.