RRUGA E UDHËZIMIT

RRUGA E UDHËZIMIT

0 5462

Allahu i dhuroi robërve të Tij shumë begati, e ndër begatitë më madhështore, është begatia e udhëzimit në këtë fe! Me meritat e Tij u udhëzuan të udhëzuarit, dhe me drejtësinë e Tij devijuan të devijuarit. Allahu thotë: “Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen“. Earaf 30.

Udhëzimi është dhuratë nga Bujari, dhe nuk i dhurohet çdokujt! Ky udhëzim, nuk realizohet me shpresa dhe me dëshira. Ka mundësi të mos arrish deri në udhëzim edhe me prezencën e sebepeve: “përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim”. Huxhurat 17.

S’ka shpëtim nga ndëshkimi, dhe s’ka mundësi të arrihet deri tek lumturia, vetëm se nëpërmjet udhëzimit. Udhëzimi është begatia më madhështore e Allahut, dhe për këtë arsye robi detyrohet të jetë falënderues. Allahu i Madhëruar thotë: “Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur!”. Bekare 198.

Të kërkuarit e përqendrimit në të, është nga lutjet më të veçanta të njerëzve të mirë: “(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”. Ali Imran 8.

S’ka rrugë e cila të çon në Xhenet, përveç se rrugës së udhëzimit: “dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu”. Earaf 43.

Koka e lutjeve dhe më e mira ndër to, është lutja për udhëzim. Ajo lutje e përfshin përmisimin e robit në fe, në dynja dhe në ahiret. Për këtë arsye, muslimani u urdhërua ta lute Zotin e vet në çdo namaz, që t’i dhuron udhëzim!

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Duaja më e dobishme, dhe më madhështore dhe më gjykuese, është duaja e sures Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”. Fatiha 6; ngase robi për udhëzimin është më nevojtar, se sa për ushqimin dhe pijen”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i urdhëronte shokët e tij të luten për udhëzim. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka thënë: “Thuaj, o Zot, më udhëzo dhe më drejto”. Muaviju, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, e përcjell se atij i kishte pas thënë: “O Zot! Bëje atë të udhëzuar dhe udhëzo me të”. Nga lutjet e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte: “O Zot! Më udhëzo dhe më lehtëso udhëzimin mua”.

Për hir të vlerës së madhe të udhëzimit, asnjë popullit si ka munguar udhërrëfyes, dhe as paralajmërues dhe as thirrës në të. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ti je vetëm paralajmërues. E, për çdo popull ka udhërrëfyes”. Rad 7. Hapja e zemrave të njerëzve është në dorën e Allahut, dhe krijesat nuk posedojnë asgjë, përveç se marrjes së sebepeve: “Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë”. Bekare 142, dhe “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë”. Kasas 56.

Shoku i mirë dhe fetar është përkrahja më e mirë për udhëzim. Ai të rikujton kur harron, të ndihmon kur neglizhon, nga ai nuk dëgjon vetëm se fjalë të bukura dhe nuk sheh vetëm se vepër të mirë. Shoqëria e mirë, është adhurim që e përcjellë kënaqësi dhe shoqëri, dhe të shtohet imani dhe sjellja. Realiteti i saj, është se ajo, është një trup me shumë zemra. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtarët janë si një njeri”.

Shoku ka ndikim në fenë, sjelljen dhe moralin e atij që e shoqëron. Njeriu njihet sipas shoqërisë së tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, le të shikoj secili prej jush se këndë po e shoqëron”. Shoku i keq të thërret në largim nga adhurimi, dhe t’i zbukuron të ligat, është afër teje në rehati, kurse larg teje në vështirësi. Dëmi i tij është i llojllojshëm dhe vjen në forma të ndryshme. Islami paralajmëroi nga shoqërimi i tyre dhe ulja me ta.

Shoku i keq dhe shoqërimi i tij, janë humbje në dynja dhe pendim në ahiret. Allahu thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës”. Furkan 27-29.

Prezenca nëpër mexhliset e ulemave është nga sebepet e udhëzimit. Në diturinë e tyre dhe mësimin e tyre, ka shtim të imanit. Në fytyrat e tyre ka shenja të devotshmërisë. Ndeja me ta t’i rikujton të parët e këtij umeti dhe ta rikujton ahiretin. Ndeja me ta jep shumë mirësi dhe begati, për këtë arsye, bëhu më i afërmi i tyre dhe shoqëroi ata. Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përmisimin e zemrës sime, e gjeta në ndejën me ulema!”.

Pastrimi i zemrës nga të ligat, dhe ruajtja e saj nga çdo që e fëlliqur, nga dyshimet dhe epshet, është nga shkaqet e udhëzimit. Dyshimi kur hy në zemër, atëherë, ajo e bën të vështirë lidhjen e robit me Allahun. Shikimi, dhe dëgjimi i haramit, dhe gjërave të ndaluara nëpër media dhe jashtë tyre, e errëson zemrën nga mëkatet e shumta. Kush ballafaqohet me dyshime dhe epshe, e pastaj kërkon udhëzimin, e ka të vështirë ta gjen atë. Në kohën kur zbriste shpallja dhe sahabët e shoqëronin të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, frikohej për ta nga fitnet dhe ua ndalonte t’i afrohej atyre.

Shpirti është lakmues nëse shkon pas lakmive, dhe ndalet nëse e privon nga to. Për këtë arsye, frenoje atë me frenat e urdhëresave dhe të ndalesave. Dhe largoju nga shkaqet e fitneve dhe burimeve të saj, ngase afrimi i tyre është sprovë, nga e cila njeriu që bie në të, është shumë rëndë të shpëton. Mbisundimi i epsheve është kurorë, mbrojtja nga dyshimet e ngrit shpirtin, mbrojtja e gjymtyrëve nga gjynahet është përqendrim për në udhëzim, me lejen e Allahut.

Nënshtrimi ndaj epshit, dhe ndaj pasioneve dhe ndaj dëfrimeve, janë nga hyrjet e shejtanit. I lumtur është ai që garon pas të mirave, dhe e pengon shpirtin nga ajo që i bën dëm, e nuk i bën dobi, dhe punon sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Përfito nga çdo gjë që të bën dobi. Mbështetju Zotit dhe mos u trego asnjëherë i paaftë dhe dështak”. Kalimi i kohës duke i respektuar prindërit, dhe duke e vizituar farefisin, dhe duke i ndihmuar muslimanëve, është adhurim.

Gjynahet, gjynahqarin e çojnë në shkatërrim. Adhurimi i tepërt është një nga faktorët e përqendrimit në fe dhe nga shkaqet e ruajtjes së Allahut të robit të Tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ruaje Allahun, Allahu do të ruan ty!”. Njerëzit më të mirë, ata ishin shëmbëlltyrë në adhurim. Allahu i Madhëruar për Ibrahimin, alejhi selam, thotë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët”. Nahl 120.

Të parët e këtij umeti e adhuronin Allahun tepër. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, për ibën Kajimin, Allahu e mëshiroftë, thotë: Nuk njoh nga dijetarët e kohës sime, si ai në adhurime. E kishte një metodë të veten në namaz. Atë e zgjaste shumë, e zgjaste rukunë dhe sexhden, dhe nganjëherë e kritikonin shokët e tij për këtë, mirëpo, ai nuk kthehej nga metoda e të falurit të namazit të tij”.

Kurani është feneri i udhëzimit dhe i përmisimit: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. Isra 9. Leximi i vazhdueshëm i tij është ruajtje, me lejen e Allahut, nga sherret dhe fitnet, dhe mbrojtje nga dyshimet dhe epshet. Vizita e varrezave për rikujtim dhe mësim, është një synet i bazuar për ta rikujtuar ahiretin, dhe të ndihmon në përqendrim në çështjet e dynjasë, dhe të largon nga mëkatet dhe nga shpresat e gjata. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vizitoni varrezat, ngase vizita e tyre ta rikujton ahiretin”. Kush e rikujton vdekjen shpesh, do të përmisohen gjendjet e tij. Zemrat janë mes dy gishtave të Gjithëmëshirshmit, i rrotullon ato si të donë.

S’ka gjë, më të dobishme dhe më të mirë, se sa duaja për të arritur deri te ajo që e donë. Për këtë arsye, përulu para Zotit tënd, gjatë ditës dhe natës, që Ai të bën nga robërit e Tij të mirë. Nëse e sheh se shumica e njerëzve në tokë janë gjynahqar, mos të mashtron ky fakt e të largohesh nga kjo fe. Tradita e Allahut në tokë, është që gjynahqarët të jenë më shumë se ata që e adhurojnë Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur”. Maide 49. Ti shiko të vërtetën e jo numrin. Allahu e përshkroi Ibrahimin, alejhi selam, se është umet edhe pse ishte një, i vetëm: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut”. Nahl 120.

Fudajl ibën Ijadi , Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mos u largo nga e vërteta për shkak numrit të vogël që e pasojnë, dhe mos e paso të kotën për shkak të shumicës që pas i shkojnë”. Begatia e Allahut mbi ty, me përmisim dhe udhëzim, duke e ditur se shumica e njerëzve janë në devijim, të shton në vetvete udhëzimin dhe të nxit në thirrjen e të tjerëve në rrugë të drejtë. Tradita e Allahut në këtë jetë është të sprovohet ai që kapet për këtë fe, me qëllim që të përforcohet i sinqerti në fe. Allahu thotë: “Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë”. Ankebut 3.

Jobesimtarët talleshin me Pejgamberët e Allahut. Allahu tha: “Me të vërtetë, janë përqeshur shumë të dërguar para teje, por ata që përqeshnin i përfshiu ajo me të cilën ata talleshin”. Enam 10. Çdo i dërguar që dërgohej, akuzohej me magji dhe me çmenduri: “Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: “Është magjistar” ose “Është i çmendur!”. Dharijat 52. Shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përqesheshin nga hipokritët: “duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre”. Mutafifin 30.

Ai që tallet me përqendrimin tënd, ta rrit vlerën dhe t’i shton meritat. U gjuajtën me akuza të ndryshme dhe me shpifje njerëzit më të mirë. Kjo është përgëzim i sinqertë i përqendrimit në fe. Mos u pikëllo, ngase ajo që e nxit përqeshësin është pasimi i epshit dhe injoranca: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi”. Neml 14. Përqeshësi në thellësi të shpirtit shpreson udhëzim, mirëpo atë nuk e posedon. Allahu thotë: “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë”. Hixhr 2. Nëse tallen me ty, rikujtoje talljen që iu bë të dërguarve dhe sabrin e tyre, dhe mos i shkatërro veprat e tua me zemërim apo hidhërim, dhe kapu për faljen dhe mëshirën, dhe neglizhoi ata që tallen me ty. Allahu thotë: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur”. Ehkaf 35.

I suksesshëm është ai që e kërkon dritën e udhëzimit, dhe mëkatarin e thërret në pendim, dhe i hap krahët e tij për atë që është sprovuar me gjynahe, duke e thirrë me urtësi, dhe butësi dhe dituri.

Krijesat më të lumtura në të dyja botët janë ata të udhëzuarit. Atyre u jepet furnizimi, lumturia, ndihmohen nga ana e Allahut në adhurime, dhe nuk mundet t’i godet asnjë sherr në dynja dhe ahiret. Ai që kapet për dritën e udhëzimit, Allahu ia shton dritën edhe më tepër: “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë”. Merjem 76.

SHEJH DR. ABDULMUHSIN EL KASIM

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM