I etur duke e pritur ezanin e myezinit, gjuha qëndron e njomur duke e përmendur Atë që na e obligoi agjërimin. Atë që nëpërmjet përmendjes së Tij, mbesim të përmendur në Tokë ku e kuptojmë rolin e ardhjes sonë.
Të etur për ujë, nuk e ndiejmë ujin që e bartim me vete. Zemra, duke i përjetuar rrahjet e saj, qielli i përhershmërisë hapet në kafazin e saj të lutjeve.
Një botë ngërthen në qenien që qëndron e lagur nga adhurimet dhe e mbuluar nga sinqeriteti. Aty mbinë pema që i ushqen të gjithë, ndërsa veten e lë të paprekur duke qëndruar në zemrën e bardhë të agjëruesit.
I uritur nga ushqimi, ndërsa i ngopur nga adhurimi të ngazëllyer e presim për ta shijuar kënaqësinë e iftarit. E presim ta ndiejmë ngrohtësinë e takimit të gjuhës me ushqimin e vet dhe të bashkimit të zemrave në një sofër.
Ende myezini pa na ftuar që t’i përgjigjemi për ta plotësuar oreksin, i përgjigjemi ftesës së tjetër për të ngrënë në sofrën e tij. Në atë sofër ku na bashkohen zemrat, ndërsa na ndahen lutjet drejtuar atyre që na mungojnë.
Loti i cili na i flladiti zemrat, mallin na e zgjoi të jetojë në të. Na e ngjalli kujtimin mbi dikë që e duam, por nuk është në mesin tonë. Mbi dikë që na deshi, mirëpo që nuk u pamë kurrë.
Mbetëm të zhytur në detin e lutjeve, edhe pse syri e shikonte ushqimin në sofër, nuk u përqendronte në shijen e tij nga shkaku i të notuarit në valët e lutjeve. Mbeti aty ku dielli edhe pas perëndimit i ngroh zemrat e atyre që e presin lindjen e tij.
Të bindur në udhën ku ecin, e shohin qëllimin duke mos i vërejtur gjurmët që i lënë pas. Duke i ujitur zemrat me etje dhe duke i ushqyer me uri, të tillët e ndërtojnë botën e saj ku duan të jetojnë. Duke e marrë lapsin në dorë, dijen e lënë në zemrat e atyre që i shikojnë.
Ende pa u dëgjuar zëri i ëmbël i myezinit, dëgjohen lutjet e atyre që pranë sofrës qëndrojnë të pangrënë. Buzë ujit ende e ndiejnë etjen për ta shuar mallin e takimit me agjërimin.
Të ulur afër njëri-tjetrit, zemrat u flasin nëpërmjet gjuhës duke i shprehur madhërimet Atij që i bashkoi. E unë, i zhytur në të bërit e lutjes, veten e ndiej të pafuqishëm për ta kërkuar fuqinë e Atij që të më ndihmoj në këtë rrugë. Veten e ndiej të vogël duke iu nënshtruar madhërisë së Tij për ta kryer obligimin që më ka dhënë.
I etur, duke mos e vërejtur ujin pranë vetes, gjuha qëndron e njomur nëpërmjet lutjeve. Heshtja flet me veten time për ta dëgjuar shushurimin e lutjeve të të tjerëve që qëndrojnë në sofër. I lodhur duke e pritur thirrjen e myezinit, e ndien çlodhjen që do ta përjetojë në iftar. E ndien pushimin që do ta arrijë pas një angazhimi ditor në rrugën e sprovës. E ndien kënaqësinë e zbatimit të urdhrit të Urdhërdhënësit për ta marrë shpërblimin nëpërmjet etjes duke jetuar me ujin.
Uji, i cili nëpërmjet pashijes së vet, shije fut në gojën e agjëruesit, arrin të lag zemrën që qëndron e njomur nga etja. Duke e shuar etjen, e gëzon edhe Atë urdhrin e të Cilit e çon në vend. Zemra, sërish duke shëtitur në kopshtin e adhurimeve, ndjehet e freskët në rrugën e vet.
Mirënjohje i shpreh vetëm Atij që ia mundësoi të ecë nëpër rrugën e qetësisë shpirtërore të rrethuar me gacën e zjarrit. E uji, i cili e shuan zjarrin jeton në zemrën e bardhë që ushqehet me besim dhe nëpërmjet frymëzimit paqe jep nëpër botë.
Me thirrjen e myezinit, falënderimet e arrijnë qiellin, ndërsa robi e arrin sevapin në tokë. Me shuarjen e etjes, uji sërish qëndron në sofër duke e luajtur rolin e vet.
Blerim Muhaxheri