ZEQATI I FITRAVE

ZEQATI I FITRAVE

0 1580

Lavd-falënderimi i takon vetëm se Allahut, i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e Ramazanit. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahit dhe robin e Allahut.

O ju musliman, një prej adhurimeve që ua detyroi Allahu muslimanëve në këtë muaj të bekuar është edhe nxjerrja e zeqatit të fitrave. Allahu këtë adhurim e ligjësoi për agjëruesin që të jetë pastrim i shpirtit nga mëkatet dhe të jetë pastrim i agjëruesit nga ajo që ia pakësoi sevapet e agjërimit si ofendimi, sharja, përgojimi, etj, dhe të jetë ndihmë për të varfrit dhe të mjerët. Nxjerrja e zeqatit të fitrave është paraqitje e begatisë së Allahut që ia dhuroi robit të Tij me përfundimin e muajit Ramazan dhe poashtu është edhe veprim i një vepre të mirë.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, e detyroi nxjerrjen e zeqatit të fitrave si pastrim të agjëruesit nga fjalët e këqija dhe të ndyra dhe si shpresë për të ngratin”.

Detyrohet zeqati i fitrave për çdo musliman rob ose të lirë, burrë ose grua, i cili posedon pasuri sa një sa’, e cila është shtesë e nevojave të tij dhe të familjes së tij për një ditë e natë.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, e bëri detyrim dhënien e një sa’ hurmash ose një sa’ elbi si sadaka fitri për çdo musliman: rob ose të lirë, burrë ose grua, i vogël ose i madh, si edhe urdhëroi që të jepet përpara se njerëzit të dalin për të falur namazin e Bajramit”.

Lejohet të nxirret edhe për fëmijën i cili ende është në barkun e nënës dhe kjo i pranohet si vepër vullnetare.

Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, jepnim një sa’ ushqim si sadaka fitri të varfërve. Ushqimi ynë ishte ose elb, ose rrush i thatë, ose gjizë, ose hurma”.

Muslimanit i takon që ta nxjerr prej këtyre llojeve të lartpërmendura atë që është më e mira dhe më e dobishmja për të varfrit dhe të mjerit dhe mos ta nxjerr më të keqen. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë”. Ali Imran 92.

Disa prej dijetarëve si ibën Tejmije dhe ibën Kajimi, Allahu i mëshiroftë, e kanë lejuar që muslimani ta nxjerr zeqatin edhe prej llojeve tjera ushqimore që nuk janë cekur në hadithin e Ebu Seid el Hudrijut dhe ato përdoren si mjete ushqimore të një vendi, si orizi, fasulja, etj.

Sa’i i cekur në zeqatin e fitrave është masë e barabartë me katër grushta të një njeriu mesatar. Kjo është e barabarte përafërsisht me dy filxhanë apo kupa.

Nxjerrja e zeqatit të fitrave bëhet në dy kohë:

Koha e parë e cila njihet edhe si koha e detyrimit fillon me perëndimin e diellit të natës së Bajramit dhe koha e tij më e preferuar është mes namazit të sabahut dhe namazit të Bajramit.

Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selem, urdhëroi që të jepet përpara se njerëzit të dalin për të falur namazin e Bajramit.

Koha e dytë e cila njihet edhe si koha e lejimit është nxjerrja e fitrave një apo dy ditë para ditës së Bajramit.

bën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ua shpërndante atyre që e pranonin një apo dy ditë para ditës së Bajramit.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Kush e jep para namazit është zekat i pranuar, ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet sadaka-lëmoshë e rëndomtë”.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë se nxjerrja e fitrave pas kohe është mëkat dhe se nuk bie detyrimi i tij me kalimin e kohës dhe nëse e vonon muslimani deri pas namazit të Bajramit ajo për të do të jetë kaza.

Ky zeqatë u shpërndahet të varfërve dhe të mjerëve dhe lejohet që një grup apo të gjithë anëtarët e familjes t’ia japin fitrat vetëm se njërit nga të varfrit dhe poashtu lejohet që zeqati i një njeriu t’i shpërndahet më shumë së një të varfëri apo të mjeri.

Nuk lejohet nxjerrja e fitrave në para, për arsye se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, porositi që fitrat të jepen në mjete ushqimore edhe pse vlera e atyre llojeve ushqimore që i ceki ishte prezentë në mesin e tyre. Nëse ishte nevoja që fitrat të jepen në të holla padyshim se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, do ta urdhëronte në të dhe poashtu nuk dihet se ndonjë prej shokëve të tij e ka dhënë zeqatin e fitrit në para.

Baza është që muslimani ta nxjerr zeqatin e fitrave për fukarat e atij vendi që ai është prezent ditën e Bajramit, mirëpo lejohet transferimi i fitrave edhe jashtë vendit nëse fukarat e atij vendi janë më nevojtar.

Lejohet që muslimani ta angazhon familjen e tij që ata t’i japin fitrat për të në vendlindjen e tyre duke qenë ai prezent në vend tjetër.

  1. EMIN ABDULLAH SHAKAUI

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

GJITHASHTU NË ALBISLAM