“Vërtet të mirët janë në një jetesë të këndshme!” (Infitar: 13)
Të mirët janë ata që i përmbushin të drejtat e Allahut dhe të drejtat e njerëzve, ata që janë të qëndrueshëm në mirësi në veprat e zemrës dhe të gjymtyrëve, që i binden urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, lavdia dhe paqja qofshin mbi të. Këta njerëz, Allahu ka treguar në dy ajete të qarta të Librit të Tij (në suren Infitar dhe Mutaffifin) se janë në ne’im – në lumturi të zemrës, shpirtit dhe trupit – në këtë botë, në jetën e varrit dhe në botën e përjetshme.
Por unë sot nuk do të flas për lumturinë në varr, ku hapet për besimtarin një derë nga Xheneti, dhe as për lumturinë në botën e përhershme, ku është qëndrimi i përjetshëm në kopshtet e Xhenetit te Sundimtari mëshirues.
Sot do të flas për lumturinë e të mirëve në këtë botë kalimtare, sepse disa njerëz, kur shohin çfarë ndodh me shumë prej besimtarëve dhe myslimanëve – nga fatkeqësitë, varfëria, dhe privimi nga disa kënaqësi të kësaj bote, përderisa jobesimtarët dhe mëkatarët shijojnë poste, pasuri dhe jetesë luksoze – mendojnë se lumturia në këtë botë është vetëm për jobesimtarët dhe se besimtarët nuk kanë ndonjë kënaqësi në këtë jetë, përveç pak.
Atëherë, çfarë është jeta e këndshme apo lumturia (نَعِيم)?
Fjala “ne’im” (lumturi) në gjuhën arabe përfshin shumë kuptime: gëzim, rehati, pasuri, begati, mirësi, jetesë e këndshme, dhuratë e bukur, dhe butësi në gjëra.
Por ka një kusht të rëndësishëm që duhet përmbushur, që kjo lumturi të jetë e vërtetë: të ketë fund të mirë dhe përfitim të qëndrueshëm.
Shembull: nëse dikush të ofron ushqime e pije të shijshme, por të thotë se pas saj do të sëmuresh rëndë me tension dhe diabet – a do të hash?! Njeriu i mençur zgjedh të hajë më pak dhe të jetojë shëndetshëm.
Vendi i lumturisë është zemra, dhe trupi e ndjek atë:
Zemra dhe trupi janë vendet ku shfaqet lumturia, por zemra është burimi kryesor i saj, ndërsa trupi e ndjek. Nuk është e mundur që një trup të jetë i lumtur kur zemra e pronarit të tij është e pikëlluar, e thyer dhe e dëshpëruar — edhe nëse ai duket para njerëzve si i gëzuar e i lumtur, në të vërtetë ai jeton me një shqetësim që nuk pushohet, me brenga të vazhdueshme, dhe me një luftë që ia copëton mendjen, ia trondit ndjenjat dhe ia djeg ndjeshmërinë.
Ndërsa kur zemra gëzohet, qetësohet dhe shijon ëmbëlsinë e kënaqësisë dhe të pajtueshmërisë (me kaderin e Allahut), atëherë kjo lumturi reflektohet edhe në trup. Njeriu ndien qetësi në trupin e tij dhe gëzim në jetën e tij, edhe nëse është i sprovuar fizikisht.
Hisham ibn Abdul-Melik i tha Ebu Hazimit:
“O Ebu Hazim, çfarë pasurie ke?”
Ai u përgjigj: “Pasuria më e mirë është besimi im në Allahun dhe mosvarësia ime nga ajo që kanë njerëzit.”
Kur Ibn Tejmijes iu tha gjatë rrugës për në burg në Aleksandri:
“O mësuesi ynë, ky është një rast për të treguar durim,” ai u përgjigj:
“Ky është rast për falënderim dhe lavdërim! Pasha Allahun, në zemrën time ndiej aq shumë gëzim dhe lumturi saqë, sikur të ndahej mes banorëve të Shamit dhe Ehjiptit, do t’u mjaftonte e do t’u tepronte. E sikur të kisha me vete ar dhe ta shpenzoja, nuk do të mund të shlyente as të dhjetën e kësaj mirësie në të cilën ndodhem.”
Prandaj, kuptimi më i madh i lumturisë është gëzimi dhe qetësia e zemrës, zgjerimi i saj dhe lidhja e saj me Allahun. Vetëm kështu trupi mund të shijojë ëmbëlsinë e jetës dhe të gëzojë të mirat e kësaj bote.
Hoxhë Agim Bekiri
18/04/2025