HISTORIKU I AGJËRIMIT

HISTORIKU I AGJËRIMIT

0 2919

Agjërimi tek ithtarët e librit

Agjërimi është adhurim shumë i vjetër, ka qenë i obliguar edhe në umetet e mëhershme, dhe është përcjellë nga një umet në tjetrin, edhe pse ka dalluar për nga forma dhe mënyra e zbatimit, për atë Allahu i Madhëruar thotë: “O ju besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të bëheni të devotshëm”. Bekare 183

Çifutët kishin agjërimin që ua kishte bërë obligim Allahu, që ishte agjërimi i ditës së dhjetë të muajit të shtatë të vitit të tyre, të quajtur “Tisri”, duke filluar agjërimi nga perëndimi i diellit në ditën e nëntë e deri në perëndim të diellit në ditën e dhjetë, ajo është dita e faljes së gjynaheve, që e quanin  “Kebur”, më pas murgjit ligjësuan agjërimin edhe të katër ditëve tjera, që është dita e parë të muajit të katërt, të pestë, të shtatë dhe të dhjetë si përkujtim i ndodhive në xhaminë e Kudsit.

Çifutët gjithashtu agjëronin ditën e enjte dhe të hënë, duke besuar se Musai, alejhi selam, ka hipur në malin Sina ditën e enjte dhe ka zbritur prej tij ditën e hënë, ne (muslimanët) edhe pse pajtohemi me ata në agjërimin e këtyre ditëve, nuk pajtohemi në shkakun dhe arsyen, se shkaku i agjërimit të këtyre dy ditëve është ligjësuar nga i dërguari jonë, Muhamedi salallahu alejhi ve selem, ndërsa arsyeja është e përmendur në fjalën e tij: “Këto janë dy ditë kur hapen dyert e qiellit dhe veprat i shfaqen Zotit.” Ne dëshirojmë që veprat tona të ngriten e ne duke qenë agjërueshëm.

Ata kanë edhe agjërim vullnetar, siç përmendet në hadithin: “Agjërimi më i dashur tek Allahu është agjërimi i Davudit, namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit alejhi selam, ai flinte gjysmën e natës, zgjohej një të tretën dhe më pas flinte një të gjashtën, agjëronte një ditë dhe ushqehej një ditë”. Mutefekun alejhi.

Ata po ashtu kanë agjërimin e Ashures, ibn Abasi, radijallahu anhu, ka thënë: “Erdhi i dërguari, salallahu alejhi ue selem, në Medine, dhe çifutët agjëronin ditën e Ashures, thanë: “Kjo është dita kur shpëtoi Musa prej Faraonit”, atëherë i dërguari, salallahu alejhi ue selem, u tha shokëve të tij: “Ju jeni më afër Musait se sa ata, andaj agjëroni”. Transmeton Buhariu.

Ndërsa të krishterët pasonin agjërimin e çifutëve, Abdullah ibn Abasi, radijallahu anhu, ka thënë: “Kur i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, agjëroi ditën e Ashures dhe urdhëroi tjerët ta agjërojnë, i thanë: “O i dërguari i Allahut! Kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët”, ndërsa në tekstin e Ebu Davudit: “e agjërojnë çifutët dhe të krishterët.” I dërguari, salallahu alejhi ue selem, tha: “Nëse vije viti i ardhëm me lejen e Allahut do agjërojmë edhe ditën e nëntë.” Tha: “Dhe nuk erdhi viti tjetër vetëm se i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, vdiç“. Transmeton Muslimi dhe Ebu Davudi.

Disa komentues të Kuranit si Taberiu dhe ibnul Arabi transmetojnë se krishterëve u është bërë agjërimi obligim, dhe u është obliguar të mos hanë pasi të flenë, të mos martohen në muajin e agjërimit, ndërsa koha e agjërimit ndërrohej, ndonjëherë vinte në kohë të vapës, ditë të gjatë dhe në kohë të ftohët ditë të shkurtër, e kjo ishte e vështirë për ta, andaj sugjeruan mendime që të kthejnë në një kohë mesatare, dhe e bënë agjërimin në stinën mes dimrit dhe verës, dhe thanë: “Do të shtojmë dhjetë ditë, që të shpaguajmë atë që kemi bërë, kështu që e bënë agjërimin dyzet ditë.”

Më pas një prej mbretërve është ankuar nga një sëmundje që e kishte goditur, i cili u zotua se po të shërohej do të shton një javë me agjërim, ai u shërua kështu që u bënë 47 ditë të agjërimit, pasi që vdiq ky, mbreti i cili erdhi pas tij urdhëroi edhe tre ditë tjera të agjërohen kështu që u bënë 50 ditë.

Si agjërojnë çifutët dhe të krishterët në ditët e sodit

Çifutët kanë dy lloje të agjërimit:

1-Agjërim të detyruar (kolektiv) katër ditë sipas gjendjes, këto ditë i caktojnë rabinët dhe kryetarët e tyre.

-agjërimi i një dite për shpagim të gabimit të përgjithshëm, e njohur si dita e faljes.

-agjërimi i një dite para se të fillojë ushtria luftën me armikun.

-agjërimi i një dite kur të vdes mbreti apo kryetari.

-agjërimi i një ditë për të mbrojtur nga një fatkeqësi e paramenduar që do t’ju ndodh njerëzve.

2-Agjërimi vullnetar (individual) si një kërkesë për pendim.

Ndërsa agjërimi tek të krishterët: Ditët e saja dallojnë për dallim të kishave (Kalotike, protestant, dhe ortodoks) duke dalluar sipas gjeneratave, shprehive dhe vendeve.

Nga cilat gjëra ndalohen në agjërimin e tyre?

Ndalohen nga ngrënia, pirja, marrëdhëniet intime që prej mesnatës e deri në kohë të drekës, dhe kjo vetëm për të moshuar dhe të dobëtit, ndërsa ata që kanë mundësi janë të detyruar të vazhdojnë agjërimin deri një ore para perëndimit të diellit. Dhe kjo ndalesë është vetëm për ngrënien e mishit dhe asaj që prodhohet nga kafshët që ka ngjyrën e bardhë, sikur që është veza e bardhë, qumështi, etj. Ndërsa përveç këtyre lejohet të përgatiten e kusht që gjatë përgatitjes të përdoret vetëm vaji i bimëve.

Ndërsa ditën e ditëlindjes lejojnë ngrënien e peshkut dhe llojeve të pemëve, e jo edhe gjërave tjera.

Agjërimi tek arabët para islamit

Në kohën e injorancës para shpalljes së të dërguarit, salallahu alejhi ue selem, kishte agjërim, sikur agjërimi i fisit Kurejsh ditën e Ashures, në hadithin Aishes, radijallahu anha, thuhet: “Dita e Ashures ishte dita që agjëronin Kurejshitët gjatë kohës së injorancës, dhe i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, e agjëronte në atë kohë, e kur migroi i dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, në Medine e agjëronte dhe urdhëroi të agjërohej, e kur u obligua Ramazani, atëherë ky ishte obligim dhe e la Ashuren, kush dëshiron ta agjëron e kush dëshiron nuk e agjëron”. E transmeton Ahmedi dhe Ebu Davudi, Albani e vlerëson të vërtetë.

Thirrja hyjnore u erdhi besimtarëve për obligimin e agjërimit ashtu si ka qenë obligim edhe për ata para tyre, Allahu thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat”. Bekare 183.

Kuptimi i fjalës “atyre që kanë qenë para jush” pra para myslimanëve, nga sheriatet e mëhershme, që janë ithtarët e librit, çifutët dhe të krishterët.

Agjërimi në Islam

Në fillim si obligim për musimanët ishte agjërimi i ditë së Ashures, siç përmendet në hadithin e Muavijes se i dërguari, salallahu alejhi ve selem, kishte hipur në mimber dhe ka thënë: “Me të vërtetë Allahu u ka obliguar agjërimin e kësaj ditë në këtë kohë.” E që më pas u zëvendësua me agjërimin e muajit të Ramazanit.

Por, edhe agjërimi i muajit të Ramazanit ka kaluar nëpër dy etapa , në etapën e parë agjërimi ka qenë agjërim vullnetarë, pra mund të zgjedh mes agjërimit që ishte më e mirë dhe mos agjërimit por me kompensim, që është ushqimi i të varfërve, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te, kjo përmendet në ajetin ku Allahu thotë: “(Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju”. Bekare 184.

Aisheja, radijallahu anha, ka thënë: “Dita e Ashures agjërohej (obligativ), e kur zbriti obligimi i agjërimit të Ramazanit (për të parën herë), ai që dëshironte agjëronte e kush nuk dëshironte nuk e agjëronte.”

Kështu njëjtë transmeton Buhariu nga Abdullah ibn Omer dhe Abdullah ibn Mesudi.

Pra, ai që dëshironte agjëronte e ai që nuk dëshironte ushqente një të varfër për atë ditë. Por, nëse njeriu agjëronte fillonte prej lindjes së sabahut e deri në perëndim të diellit, e kur perëndonte dielli dhe përfundonte agjërimin, nëse flinte qoftë menjëherë pas perëndimit të diellit i ndalohej atij ngrënia dhe pirja deri në ditën tjetër, e që më pas Allahu e lehtësoi këtë, Allahu thotë: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato.Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim”. Bekare 187.

Shkaku i kësaj është rasti i sahabiut i cili u alivanos kur erdhi nga puna e tij, që kishte qenë në arën e tij, kopshtin e tij, erdhi në fundin e ditës e pyeti gruan e tij për ushqim, e ajo shkoi që t’i sjell ushqimin, e atë e kishte kapluar lodhja dhe fjeti, e kur erdhi gruaja e tij i tha; Mjerë për ty, a ke fjetur?! E kur u zgjua ditën tjetër u zgjua i raskapitur e u alivanos në mesditë, atëherë Allahu lehtësoi për robërit e Tij, e ky është një prej llojeve të shfuqizimit të një dispozite të rëndë me një më të lehtë. E lehtësoi Allahu këtë obligim dhe e bëri atë prej lindjes së sabahu e deri në perëndim të diellit, dhe kjo dispozitë u vendos për këtë umet deri në ditën e Kiametit.

Kjo është etapa e dytë, etapa e detyrimit, pra obligimi me agjërim, ndërsa zgjedhja mes agjërimit e ushqimit u shfyqizua me ajetin tjetër ku Allahu thotë: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”.

Kjo është një formë prej tre formave të shfuqizimit të ajeteve, si përshembull ajeti që lejon zgjedhjen mes agjërimit dhe kompensimit shfuqizohet me ajetin e dytë që obligon agjërimin e tërë të muajit, ky njihet si shfuqizim i dispozitës së mëhershme e jo edhe i leximit. Llojet tjera të shfuqizimit janë: Shfuqizim i dispozitës dhe i leximit dhe lloji i tretë shfuqizim i leximit e jo edhe i dispozitës.

Allahu e obligoi agjërimin në formën e vërtetë dhe lehtësoi për të sëmurin dhe udhëtarin të mos agjërojnë.

Kështu që, ti lexues i nderuar, hasim që agjërimi ka histori të vjetër, gjë e cila aludon në rëndësinë e saj, pra a do të përkujtohen njerëzit, posaçërisht prishanikët dhe tolerantët e tepruar, që duhet të jenë të dëgjueshëm ndaj urdhrave të Allahut, që atyre t’u mundësohet paqe në dynja dhe ahiret. Allahu udhëzon në rrugë të drejtë.

Kjo ishte tema e dytë nga: KAPITULLI MBI AGJËRIMIN E MUAJIT TË RAMAZANIT

Përgatiti dhe Përktheu : Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM