Argumentet mbi obligueshmërinë e agjërimit të muajit të Ramazanit
Agjërimi është FARZ , obligim për çdo musliman, dhe është kusht prej pesë kushteve të islamit.
Këtë e vërteton Kurani, Suneti dhe Konsensusi i dijetarëve.
Nga Kurani është ajeti ku Allahu thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. Ditë të caktuara.” Bekare 183-184.
Dhe thotë: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë.”. Bekare 185.
Ndërsa nga suneti është hadithi që e transmeton Omeri radijallahu anhu, hadithi i njohur i Xhibrilit, ku i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, përgjigjet për islamin, dhe thotë: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zeqatën, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin nëse ke mundësi.” E transmeton Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
Po ashtu thënja e Muhamedit, sal-Allahu alejhi ve selem- : “Islami është ngritur mbi pesë shtylla”[1] dhe ka përmendur agjërimin e Ramazanit, poashtu thënja e tij drejtuar beduinit: “dhe agjërimi i muajit të Ramazanit.” Tha: “A kam obligim diç tjetër përveç kësaj ?” Tha: “Jo, vetëm nëse dëshiron të shtosh nga vullneti yt.”[2]
Dhe të gjithë muslimanët e të gjitha medh’hebeve e grupeve që nga koha e të dërguarit e deri në ditët e sotit janë unanim për obligimin e agjërimit të Muajit të Ramazanit dhe se është farz për çdo individ, për të gjithë muslimanët të ngarkuar (i mençur dhe në bylyk) të mos jtë udhëtarë, i shëndoshë, nëqoftë se nuk ekziston ndonjë shkak që e ndalon të agjërojë, në këtë nuk ka kundërshtim, duke u mbështetur në fjalën e Allahut: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë.” Bekare, 185.
Agjërim i i mujit të Ramazanit u obligua në vitin e dytë të hixhretit.
KUSH OBLIGOHET ME AGJËRIM?
Agjërimi është obligim për secilin që është:
1-Musliman- pra, nuk pranohet agjërimi i jomyslimanit, ngase nuk kërkohen prej tij obligimet islame në gjendjen e tij si jomysliman, edhe nëse agjëron nuk pranohet prej tij, e nëse pranon fenë islame nuk i kompenson ato që nuk i ka agjëruar në kohën kur ka qenë jomysliman.
2-Të jetë në bylyk- nuk është obligim për fëmijën derisa të arrin bylykun, pra të arrin moshën e pjekurisë, mbështetur në fjalën e të dërguarit, sal-Allahu alejhi ve selem: “Është ngritur lapsi nga tre: nga fëmija deri sa të arrin bylykun, nga ai që është duke fjetur deri sa të zgjohet dhe nga i çmenduri deri sa të shërohet.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Davudi.
3-Të jetë me mendje të shëndoshë, hadithi i lartpërmendur.
4-Për vendasin- pra nuk është obligim agjërimi për udhëtarin në atë largësi që shkurtohet namazi, mbështetur në fjalën e Allahut: “ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme” Bekare 185. Por, nëse udhëtari agjëron, agjërimi i tij është i pranuar.
5-Të ketë mundësi për të agjëruar- pra nuk ka agjërim për plakun e shtyrë në moshë që nuk ka mundësi të agjërojë, por ai obligohet të shpaguaj. Dhe nuk ka agjërim për atë që është i sëmurë me sëmundje të vazhdueshme mbështetur në fjalën e Allahut: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te”. Bekare 184.
KUSHTET E AGJËRIMIT TË VLEFSHËM
1-Pastërtia e gruas prej ciklit mujor dhe lehonisë. Nuk ka agjërim për gruan gjatë ciklit mujor dhe lehonisë, e nëse pastrohen obligohen të kompensojmë, Aisheja radijallahu anha thotë: “Jemi urdhëruar të kompensojmë agjërimin e nuk jemi urdhëruar të kompensojmë namazin.” E transmeton Muslimi.
2-Koha e agjërimit, pra është patjetër që agjërimi i obliguar në muajin e Ramazanit e jo në muajt tjerë, ngase Allahu këtë muaj e ka veçuar me përmendje. Me fillim prej lindjes së sabahut e deri në perëndim të diellit.
SHTYLLAT E AGJËRIMIT
1-Nijeti.
2-Abstenimi nga gjërat që e prishin agjërimin që nga lindja e sabahut deri në perëndim të diellit.
HUKMI MBI LËNËSIN E AGJËRIMIT
Kush mohon obligueshmërinë e agjërimit ai është jobesimtar, që duhet të pendohet, përndryshe është murted i dalë prej fesë, nëse vdes, nuk i lahet kufoma, as nuk qefinoset, nuk i falet namazi i xhenazes, nuk lutemi për të, dhe nuk varroset tek varrezat e muslimanëve.
Kështu ka dhënë feta Komisioni i përhershëm për feta në mbretërinë e Arabisë Saudite.
Mirëpo, ai që nuk agjëron në muajin e Ramazanit por nuk e mohon obligueshmërin, por e le nga neglizhenca e përtacia, mirëpo pohon se është i obliguar, ai në këtë rast ka vepruar një mëkat të madh.
Është pyetur Shejh ibn Baz, Allahu e mëshiroftë: Cila është dispozita për atë që nuk agjëron Ramazanin pa mohuar obligueshmërinë e tij, dhe a del me këtë prej islamit për shkak të lënies së agjërimit nga neglizhenca më shumë se një herë?
Është përgjigjur: “Kush nuk e agjëron muajin e Ramazanit me qëllim, pa asnjë arsye të shëndoshë fetare, ai ka vepruar një mëkat prej mëkateve të mëdha, e me këtë nuk del prej feje sipas një prej thënieve më të sakta të dijetarëve, ai duhet të pendohet tek Allahu, dhe të kompenson, ekzistojnë argumente të shumta që tregojnë se lënia e agjërimit nuk është kufër i madh nëse nuk e mohon obligeshmërinë, mirëpo nuk agjëron nga neglizhenca e përtacia, ai duhet të ushqen për secilën ditë nga një të varfër nëse e vonon kompensimin deri në fillimin e Ramazanit tjetër pa ndonjë arsye…”
Mirëpo, megjithëkëtë thuhet: Kush nuk e agjëron Ramazanin me pa arsye, është frikë për të që të del prej fesë edhe nëse pohon obligueshmërinë, posaçërisht nëse kjo përsëritet më shumë se një vit, ai dhe kjo gjendje është në rrezik të madh, dhe mundet për atë që është në këtë gjendje të jetë prej atyre që mohojnë obligueshmërin me fjalë, ngase ky e mohon obligueshmërinë me vepër, edhe pse nuk e shpreh me gjuhë.
Ndërsa ai që nuk agjëron Ramazanin për një kohë të jetës së tij dhe ai falet, duhet që të kompenson ato ditë që nuk i ka agjëruar.
Sidoqoftë si mundet që muslimani të jetë i kënaqur me Allahun për Zot, me islamin për fe, me Muhamedin të dërguar e të jetë neglizhent në lënien e një obligimi prej obligimeve të fesë, e për më shumë kjo çështje të jetë një shtyllë prej shtyllave të fesë.
Tema e tretë nga: KAPITULLI MBI AGJËRIMIN E MUAJIT TË RAMAZANIT
Përktheu: Shpend Zeneli
[1] Buhariu, Muslimi, Nesaiu dhe Tirmidhiu.
[2] Buhariu dhe Muslimi