Kam blerë banesë të re, çfarë duhet të bëj sipas sheriatit?

Kam blerë banesë të re, çfarë duhet të bëj sipas sheriatit?

0 1676

Pyetje: Kam blerë një banesë para ca muajve, më intereson çka duhet bërë sipas dispozitave të sheriatit? A duhet të ther kurban, të bëj një darkë me familjen e të bëj një dua…? Që kur kam dalur në banesë të re nuk më ecin punët mirë, fëmijët më sëmuren shpesh prej virusave e gripave… nuk jam rehat. Hoxhë i nderuar më keshilo çka të bëj. Allahu qoftë razi me juve!

Përgjigje: Lavd-falënderimi i takon vetëm Allahut të madhërishëm ndërsa paqja, bekimet dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të dashurin tonë, pejgamberin Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që e ndoqën dhe do ta ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Fundit.

Falëndero Allahun që ta ka mundësur të blesh banesë dhe ji mirënjohës ndaj Tij. Dispozita të caktuara sipas sheriatit lidhur me daljen në banesë apo shtëpi të re nuk ekzistojnë. Gjithçka që do ta sugjeroj më poshtë nxirret nga porositë e përgjithshme të kësaj feje.

Është e pëlqyer që të këndosh një ezan në banesën tënde për të larguar shejtanët, e sidomos të lexosh suren Bekare nga Kurani, sepse Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë e juaja varreza, shejtani arratiset nga ajo shtëpi ku lexohet sureja Bekare” (Muslimi nr. 780).

Ndërsa ftesa e miqve dhe dashamirëve për të bërë një drekë, darkë apo koktej me rastin e daljes tënde në atë banesë mund të numërohet si mirënjohje ndaj Allahut dhe manifestim i gëzimit për dhuntinë që Allahu ta ka mundësuar dhe ky veprim është mustehab (i pëlqyer). (El meusuah el fikhije 8/207). Mirëpo nuk është e drejtë të besohet se ky veprim do t’i largojë të gjtha të këqijat nga ajo shtëpi dhe do të sjellë çdo mirësi. Për atë që beson kështu dijetarët thonë se nuk lejohet organizimi i një manifestimi të atillë.

Besimtari që ka besim të drejtë, që ka zemrën e lidhur fort me Teuhid, me litarin që nuk këputet dhe që është i mbështetur në Allahun nuk i lejon besëtytnive të depërtojnë në zemrën e tij, i lufton ato me dije dhe i largon me sukes. Ikrimeja tregon: Ishim duke ndenjur me Ibën Abasin dhe kaloi një shpend që lëshonte zë të keq, e dikush nga njerëzit tha: Hair! Hair! Ibën Abasi reagoi: “As hair as sherr”, e qortoi pra që të mos mashtrohet të besojë në ogur. Ashtu duhet të jemi edhe ne.

Ka një hadith i vërtetë që në shikim të parë duket se lejon besimin në ogur. Ibën Omeri përcjellë se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka epidemi dhe as ogur ndërsa pafatësia ndodhë me tri gjëra: me mjetin transportues, me bashkëshorten dhe me shtëpinë” (Buhari 5772). Në fillim të këtij hadithi Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, mohoi se epidemia mund të ndikojë në pavarësi nga Allahu dhe jo se nuk ekziston epidemi fare. Ibën Kajimi shpjegon: “Lajmërimi për pafatësinë në ato gjëra nuk pohon ogurin e mohuar në sheriat, qëllimi i hadithit është se Allahu krijon gjëra konkrete që u shkaktojnë sherr personave që i kanë përreth dhe gjëra tjera që nuk shkaktojnë sherr për askënd, njëjtë sikur dy prindërve që Allahu mund t’u jep fëmijë të bekuar që prej tij të shohin vetëm hairin siç mund t’u jep një fëmijë tjetër që prej tij të shohin më shumë sherr sesa hair”. Këtë po ta përmend që të mos kesh ndonjë dyshim se banesa si banesë është duke t’i shkaktuar problemet e përmendura në pyetjen tënde.

Pra, Allahu është I vetmi që mund të sjellë të mirën dhe të keqen, ndërsa e jona si besimtarë është që të mos harrojmë se kjo jetë është provim, ku do të dallohen besimtarët e sinqertë nga gënjeshtarët, do të dalin në pah vepërmirët përballë keqbërësve. Të gjithë njerëzit janë me sprova, dikush më pak e dikush më shumë, le t’i shohim ata që kanë sprova më të rënda, shikoji ata që nuk kanë ku të banojnë, nuk mund të paguajnë qiranë, nuk mund të ushqehen rregullisht, nuk kanë mundësi të blejnë as ilaçe e kështu me radhë.

Vetvetes mund t’i ndihmojmë me bindje të fortë e mendim të mirë për Allahun si dhe me sadaka e shumë vepra tjera të mira.

Burimi: albislam.com