Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se i dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nëse është duke ndodhur Kijamet, e në dorën tuaj keni një filiz, nëse mundet ta mbjellë, le ta mbjell”. E shënon Ahmedi, Buhariu në librin e tij “Edebul Mufred”.
Sa bukur që është përshkruar optimizmi në fjalët e profetit! Si një dritë që shkëlqen nga shkënditëprofetike që të ndriçojë rrugën e gjendjen tonë të errët.
Ndriçoi me dritën e tij që t’i udhëzojë njerëzit që ata të përfitojnë për jetën e tyre qoftë edhe në çastin e fundit, të shfrytëzojnë në gjëra të dobishme, edhe pse vetë mbjellësi nuk arrin t’i vjelë frytet e asaj peme.
Ky citat profetik na nxit në punë të mira dhe braktisje të plogështisë e dembelisë, qoftë edhe nëse jemi me mendje të preokupuar, në moment kur mendimet nuk janë prezente për shkak të një ndodhie shumë të madhe sikur që është me shenjat e Kijametit, ai po na thotë: Vepro, lëviz, le të të mos tërheqin nga veprimi ndodhitë trishtuese, vrapo kah ajo që të bën dobi, e mos mendo për rezultatin, e arritjen e fryteve nga mundi i dhënë. Nëse ndodhesh në dyert e Kijametit, në fillet e shenjave të mëdha sikur që është dalja e Dexhallit, e në dorën tënde ke një filiz të vogël, mbjelle, sepse ndoshta mund të ketë dobi prej tij dikush që jeton më pas.
Robër të Allahut: Ky citat dhe sqarim madhështor i profetit na jep dritë në jetën tonë që të na thotë: Islami është fe e ndërtimit dhe rregullimit, veprimit e zhvillimit, nuk të le të ulesh, të dembelohesh, të dobësohesh e të presësh, është fe e cila i jep shtytje gjakut të shpresës në kanalet e njeriut, i cili është në pritje për përfundim të jetës, e si atëherë do ndikonte tek ai i cili është ende në periudhën më të mirë të jetës, në rininë e tij plot eufori e aktivitet, njashtu është fe e cila shpërndan optimizëm në fytyrën e secilit njeri pa marrë parasysh atë me çfarë ai ballafaqohet në rrugëtimin e tij, prej mundimeve e dhimbjeve, zërave të dëshpërimit, e humbjes së shpresës, zëra që fuqishëm godasin veshin e tij e i thonë: Ndalu!
Në këtë rast na takon të krenohemi me fenë tonë, e të hapërojmë që të jemi të përpiktë në çdo cep të jetës sado që dynjaja na mbulon me hijen e sprovave e fatkeqësive, të ngrisim shpirtrat tonë që të mos jenë ata të pafetë në hall më të mirë se na, në optimizëm e shpresë.
Pa dyshim që gjendja aktuale është shumë e vështirë, ecuria e jetës na tërhjek që të vazhdojmë rrugën e zhvillimit përkundër tërhjekeve të njëpasnjëshme të krizave, e vështirësive që ditë pas dite vetëm se ngatërrohen më shumë, mirëpo, a do të thotë kjo që të dobësohemi e të dorëzohemi, të ulemi e të braktisim veprimin serioz për fenë e për këtë botë, të presim barkat e caktimit të na shpëtojnë prej valëve të jetës së çrregulluar, pa u munduar që të shpëtojmë na vetën tonë me atë që Allahu na e dha prej aftësive e fuqive?!
Allahu i madhëruar kur flet për ndodhinë e betejës së Uhudit, dhe vrasjeve e lëndimeve që ndodhën atë ditë thotë: “Mos tregoni ligësi dhe mos u pikëlloni! Se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” Ali Imran, 139.
Është prej mençurisë që të mos lejojnë dëshpërimet e shumta të sulmojnë shpirtrat tonë e të na dëmtojnë, e të shkatërrojnë gjendjen e tanishme e të ardhmen, i mençuri nuk e humb shpresën për jetë sado që jeta mundohet ta dëshpëron nga e bukura që ekziston brenda saj, dhe bukurinë që Allahu e krijoi.
Duhet të jemi më me shpresë e më optimistë se jobesimtarët, ku shohim tek disa prej tyre, seriozitet, angazhim, optimizëm e shpresë ndërsa ata janë në gjendje dhe situata më të këqija. A nuk duhet ne të jemi të parët, pasi që edhe feja na urdhëron për një gjë të tillë?
I nderuari musliman, të përzgjedhësh dëshpërimin, braktisjen e veprës së dobishme, qoftë për fe apo për dynja, është përzgjedhje me të cilën nuk duhet të pajtohet një musliman i mençur, i cili e lexon jetën e profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) i cili përhap shpirtin e shpresës dhe optimizmit tek sahabët e tij në situata shumë më të vështira, saqë çdo sprovë e shndërron në ngritje, e prej çdo fatkeqësie hap një dritare të gjërë prej ku sheh ditët e begative e rehative.
Habab ibn Erit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Iu ankuam Të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. (për persekutimet nga mushrikët) derisa ai ishte i mbështetur nën hije të Qa’besë në burdën e tij që e kishte bërë jastëk, e ne i thamë: “A nuk bënë të kërkosh ndihmë për ne, a nuk do të na bësh lutje (dua)? Ai na tha: “Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, e hapnin një gropë, e vendosnin në të, e pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e përgjysmonin, pastaj ia rrjepnin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha All-llahun, All-llahu do ta plotësojë këtë fe ashtu që kalorësi do të shkojë prej Sana-së deri në Hadramevt e nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç prej All-llahut, dhe prej ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju po nguteni.” E shënon Buhariu.
Shiko këto fjalë të ndritshme në ngritje të shpresës dhe optimizmit, përgjatë sprovave, i shtyen prej çdo anë që të risin imanin e tyre.
Janë fjalë madhështore të cilat i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ia la Hababit, të cilin e kishin ndëshkuar aq shumë mushrikët e Mekes, por, të ndërtosh identitet përgjatë vështirësive dhe fatkeqësive derisa të ngadhnjesh mbi to, është fitore, çfarëdo dhimbje që të shkaktohet në rrugën e vërtetë ta konsiderosh të vogël, që të arrish shpërblimin e madh.
Në ditën e Ahzabit, ku gjendja e përkeqësuar arriti deri në atë përshkrim të Kuranit: “atëherë, besimtarët u vunë në provë dhe qenë të tronditur nga tronditja e madhe.” Ahzab, 11.
Jobesimtarët ishin mbledhur dhe po marshonin drejt Medines po si një det i trazuar, e rrethuan atë nga të katër anët, vendstrehimi për të dërguarin e Allahut dhe shokët e tij ishte vështirësuar, gjendja e tyre u ngushtua, mirëpo me gjihë atë shiko se çfarë ka ngjarë: Berau thotë: kur ishte dita e Hëndekut, na u shfaq në një pjesë të hendekut një shkëmb i madh nuk e copëtonte aspak kazma, iu ankuam të dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), ai erdhi, e morri kazmën dhe tha: Bismilah (në emër të Allahut), e goditi një herë dhe tha: Allahu Ekber, më janë dhënë çelësat e Shamit, pasha Allahun unë tani po i shikoj pallatet e kuqe, pastaj e goditi për së dyti dhe tha: Allahu Ekber, më është dhënë Persia, pasha Allahun unë tani po shikoj pallatin e bardhë të qytetit. E goditi për të tretën herë dhe tha: Bismilah, u copëtua edhe pjesa e mbetur e shkëmbit, dhe tha: Allahu Ekber, më janë dhënë çelësat e Jemenit, pasha Allahun, tani prej këtij vendi po i shoh dyert e qytet San’a.”
Këtë optimizëm madhështor të cilin e inicon i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) është një mësim që jep shpresë dhe vullnet për punë, duke lënë anash përtacinë e pushimin. Thërret në lëvizje të dobishme po edhe për gjërat e dynjasë, në këtë mënyrë edukohet muslimani që të jetë një tullë e ndërtimit në ndërtesën e shoqërisë, e jo kazmë e prishjes, e as një shembull i plogështisë dhe lodhjes, jeta nuk ndërtohet me dembela e as me njerëz që rrinë ulur.
Amara ibn Huzejmeh ibn Thabit thotë: kam dëgjuar Omer ibn Hatabin duke i thënë babait tim: Çfarë po të ndalon ta mbjellësh tokën? Babai i tha: Unë jam një plak i moshuar, e nesër do të vdes. Atëherë Omeri i tha: Po të them ta mbjellësh. Dhe kështu kam parë Omerin së bashku me babain tim e mbjellnin tokën me duart e tyre.
Njashtu Omer ibn Hatabi ka thënë: Keni kujdes nga pushimi, sepse është gaflet.
Harith ibn Lekit ka thënë: “me ka thënë mua Abdullah ibn Selami: Nëse dëgjon për daljen e Dexhallit, ndërsa ti je duke mbjellur një palmë, mos përshpejto deri sa ta mbjellësh,, sepse njerëzit do jetojnë edhe më pas.
Të nderuar muslimanë, të nënshtrohesh që të të udhëheq përtacia, dëshpërimi, është disfatë e dobësi, mendjelehtësi e ndonjëherë edhe çmenduri, injoracë e shkujdesje.
A nuk e di i dëshpëruari se pasojat e dëshpërimit e përtacisë janë shumë më fatale se që të ishte i durueshëm në kalitjen e vetes së tij që të jetë më optimist dhe njeri me shpresë?
Kaderi i Allahut është funksional në jetët e njerëzve, dëshpërimi nuk e ndryshon atë, e as që e pengon lëvizjen e saj përtacia, plogështia, mërzia, përkundrazi këto cilësi vetëm se e shtojnë sprovën e të ngushtojnë shpirtin, e lodhin trupin, njollosin zemrën, e shkaktojnë kokëdhembje, pra pa asnjë dobi.
Kështu që o njeri, leje që dëshira e Allahut të ecë aty ku Ai dëshiron, sepse Ai e di, ndërsa ti nuk e di, ti duhet vetëm të jesh i durueshëm e të pajtohesh me të, të vazhdosh rrugëtimin e drejtë të jetës, për aq sa ke mundësi.
Pasi që pluhuri i sprovës të largohet nga sipërfaqja, atëherë besimtari sheh se udhëheqja e Allahut është më hajr se udhëheqja e tij, e caktimi i Allahut është më i mirë se përcaktimet e tija, dhe se përzgjedhja e Allahut është më e dobishme se përzgjedhja e tij: “është e mundur që juve diçka të mos u pëlqejë, por që Perëndia në atë do t’ju sjellë shumë të mira.” Nisa, 19.
Enes ibn Nedir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) në bëtejën e Uhudit na shkroi një libër për jetë, disa faqe të ndritshme të vendosmërisë e seriozitetit, guximit e ballafaqimit, optimizmit e shpresës, dhe e gjithë kjo ishte në kohë ku u përhap frika, dhe u shfaqën pasojat tek ata që ishin të dëshpëruar. Ishte ky burrë të cilin nuk e dobësoi aspak fatkeqësia e përhapur vendosmërinë e fortë të tij, e as që la shenja shikimi drejt atyre të cilët u ndikuan nga fatkeqësia saqë i bënë të mos lëvizin.
Përkundrazi, vendosmëria e prerë, shpirti i ndezur, e shpresa e lakmuar e barti që të jetë një shembull i vetëm i veprimit, vendosmërisë, optimizmit e i suksesit.
Në ditën e Uhudit Enes ibn Nedir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) kaloi pranë disave të cilët kishin hedhur në tokë gjithçka që kishin, e u tha: Çfarë po prisni? Ata iu përgjigjën: Është vrarë i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)! Iu tha: E ju çfarë do të bëni në jetën tuaj më pas? Ngrihuni, vdisni për atë që vdiç i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Pastaj tha: O Allah, unë të kërkoj falje për këtë që këta njerëz vepruan, dhe unë distancohem nga ajo që vepruan të tjerët (prej jobesimtarëve). U nis dhe e takoi Sad ibn Muadhin i cili e ndaloi dhe e pyeti: Ku je duke shkuar o Ebu Omer? Enesi iu përgjigj: Drejt erës së xhenetit o Sad, unë po e nuhas, ndërsa të tjerët jo. Vazhdoi, luftoi deri sa u vra, nuk e njihte askush, deri sa e njohu motra e tij përmes gishtërinjëve, ndërsa në trup kishte mbi tetëdhjetë goditje prej shtizave, shpatave e shigjetave.
“Ndër besimtarët ka njerëz që e kanë plotësuar premtimin e dhënë Perëndisë, disa prej tyre kanë vdekur; e disa nga ata e presinatë – nuk kanë ndryshuar asgjë.” Ahzab, 23.
Vepro vepra të dobishme për aq sa ke mundësi, mos u ul, mos lejo që dëshpërimi të të prangos.
Mos ua jep shansin armiqve të të shohin pasiv e jo aktiv, të penguar nga bamirësia ndaj shoqërisë, sepse ata që shkaktojnë trazira tek muslimanët kanë qëllim që të ndalojnë muslimanët nga zhvillimi i dobishëm në fe e në dynja, në mënyrë që të mos shihet pozita e tyre në ngritje e zhvillim.
Mbjell fidanet e vendosmërisë në brendësinë tënde, shpirtin veprues në jetën tënde, lëviz që të punosh mirë, triumfo ndaj aktualitetit dhe problemeve, mbushe kohën e zbrazët në mënyrë që të mos preokupohesh me brenga e mërzi, Allahu thotë: “E, kur ta kryejsh njërën punë, filloja tjetrës (menjëherë).” Sherh, 7.
Ky ajet është zgjidhje e problemit të kohës së lirë që ka kapluar botën, saqë nuk le për muslimanin kohë të zbrazët sepse ose ai punon punë të kësaj bote, ose punë të ahiretit.
Rrëfehet se Kisra kishte dalur një ditë për gjah, dhe rrugës hasi në një plak të moshuar i cili po mbjellte një fidan të ullirit, u ndal pranë tij dhe e pyeti: O ti njeri, ti je një plak i moshuar, ndërsa ulliri nuk jep fryta, vetëm se pas tridhjetë vitesh, atëherë pse po e mbjell? Ai iu përgjigj: O mbret, edhe për ne ka mbjellur dikush para nesh, kështu që ne do mbjellim sot që të ushqehen të tjerët pas nesh. Atëherë Kisraja i tha: Zeh! (ishte një shprehje e zakontë e mbretërve persiak, që saherë që mbreti ta thotë këtë fjalë duhet t’i jep një mijë dinarë) kështu ia dha atij ato para, ndërsa plaku i tha: O mbret, pema e ullirit jep fryte pas tridhjetë vitesh, ndërsa kjo pemë dha frytin që në momentin kur e mbjella. Kisraja përsëri tha: Zeh! Dhe i dha përsëri një mijë dinarë. Plaku përsëri i tha: O mbret pema e ullirit jep fryte një herë në vit, ndërsa kjo më dha dy herë brenda vitit! E i tha: Zeh! I dha përsëri edhe një mijë dinarë, mori kalin e tij dhe me shpejtësi u largua, e tha: Po të qëndronim ende do të na zbraste depon.
Muslimanit i takon të jetë optimist dhe asesi pesimit, i dëshpëruar e i thyer.
Lusim Allahun për ndihmë dhe përkrahje.
Përktheu: Shpend Zeneli