DHJETË DITËT MË TË MIRA

DHJETË DITËT MË TË MIRA

0 2112

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Gjithësisë, paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin alejhi salatu ue selam, më fisnikun ndër të gjithë profetët, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Një prej begative të Allahut xhele shenuhu ndaj nesh është se Ai ka bërë për robërit e Tij të devotshëm në kohëra të ndryshme adhurime të ndryshme të cilat mund të shfrytëzohen nga besimtarët për të arritur kënaqësinë e Tij xhele shenuhu pra për të bërë vepra të mira. Një prej këtyre periudhave kohore të begatshme ndaj të cilës duhet besimtari të jetë i kujdesshëm pasi që në të fshihet një mundësi e madhe për të fituar kënaqësinë e Allahut janë edhe dhjetë ditët e muajit të Dhul Hixhes.

Në lidhje me vlerën e këtyre ditëve ka shumë argumente nga Kur’ani dhe suneti prandaj neve na lind si detyre që të njihemi me disa prej tyre:

1 – Allahu xhele shenuhu thotë në Kur’anin Famëlartë: “Pasha agimin dhe dhjetë ditët.” (Fexhr:1-2)

Ibën Kethiri në lidhje me këto ajete thotë: Qëllimi në këto ajete janë dhjetë ditët e Dhul Hixhes.

2 – Gjithashtu Allahu xhele shenuhu thotë: “Ta përmendin Allahun në ditë të caktuara.” (Haxh-xh:28)

Ibën Abasi në komentin e këtij ajeti thotë: Ditë të caktuara janë dhjetë ditët e Dhul Hixhes.

3- Ibën Abasi rrëfen dhe thotë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk ka ndonjë vepër që bëhet më me vlerë se në dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Po xhihadi në rrugën e Allahut o i Dërguar i Allahut? – i thanë sahanët. “As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç atij personi i cili niset vet dhe me gjithë pasurinë e tij në xhihad e pastaj nuk kthehet me asgjë nga ajo që është nisur” – tha Profeti paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. (Transmeton Buhariu)

4 – Ibën Omeri tregon dhe thotë se i Dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka ditë më të mëdha dhe më të dashura tek Allahu për të bërë vepra të mira se sa në dhjetë ditët , prandaj gjatë tyre madhërojeni Allahun, thoni Allahu Ekber dhe Elhamdulilah.” (Taberaniu në Muxhemul-Kebir)

5 – Seid ibën Xhubejri, dijetari eminent që transmeton prej Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Kur hynin dhjetë ditët e Dhul Hixhes, Ibën Abasi bënte shumë ibadet ,derisa kishte mundësitë e tij të fundit.(Transmeton Darimiu me zinxhir Hasen-të mirë)

6 – Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë në veprën e tij të njohur Fet’hul Bari: Më sa bëhet e ditur se shkaku i veçimit të këtyre dhjetë ditëve është se gjatë tij mblidhen nënat e ibadeteve, e ata janë: Namazi, agjërimi dhe haxhi e kjo nuk ndodh në ndonjë kohë tjetër përpos se në dhjetëshin e parë të muajit Dhul Hixhe.

7 – Disa dijetarë kanë thënë: “Dhjetë ditët e Dhul Hixhes janë ditët më të mira , kurse dhjetë netët e fundit të muajit të Ramazanit janë netët më të mira.

Çfarë është e pëlqyeshme të bëhet në këto ditë

1 – Namazi – është shumë e rëndësishme insistimi në faljen e namazit me xhemat , madje mundësisht prej mundësive të priten namazet në xhami, nga namazi në namaz siç këshillohet në një hadith të të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) apo shkuarja më herët në xhami dhe sipas mundësisë për të kujtuar Allahun apo për të bërë dhikër sa më shumë. Falja e namazeve nafile sa më shumë sepse këta adhurime janë prej më të vlefshmeve.

Theubani, Allahu e mëshiroftë, thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ku thotë: “Të porosis të bësh shumë sexhde për Allahun sepse çdo herë që robi bën  sexhde, Allahu ia ngrit atij një gradë në xhenet dhe ia shlyen një mëkat.” (Transmeton Muslimi)

2 – Agjërimi – Pasi që ky ibadet bën pjesë në veprat e mira.

  Hindeh ibën Halid, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon prej gruas së tij e ajo nga disa prej grave të të Dërguarit të Allahut se ka thënë: I dërguari i Allahut e agjëronte ditën e nëntë të Dhulhixhes, ditën e Ashuras, dhe tri ditë gjatë çdo muaji. (Transmetojnë Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu) kurse imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: Është shumë e pëlqyeshme të agjërohet gjatë këtyre ditëve.

3 – Thënia “Allahu Ekber”, të madhërohet Allahu dhe të falënderohet siç u cek më parë në hadithin e Ibën Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Gjatë tyre shpeshtoni fjalët Allahu Ekber, La Ilahe il-lallah dhe Elhamdulilah”.

 Buhariu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ibën Omeri dhe Ebu Hurejra dilnin në tregje gjatë dhjetë ditëve duke bërë tekbire kurse të tjerët thoshin tekbire pas tyre. Gjithashtu ka thënë: Ibën Omeri thoshte tekbire në kuben (vendbanimin, çadrën) e tij pastaj e dëgjonin njerëzit në xhami edhe ata thoshin tekbire, madje kështu vepronin edhe tregtarët derisa dridhej Mina nga tekbiret.

Ibën Omeri thoshte tekbire në Mina, pas namazeve, në shtrat, në mexhlise, gjatë ecjes, në shatorin e tij, pra gjatë gjithë këtyre ditëve. Madje është mustehab (e pëlqyeshme) të ngrihet zëri gjatë tekbireve sepse kështu kanë vepruar Omeri dhe djali i tij, si dhe Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Kurse neve nuk na ngel përveçse t’i ringjallim këto sunete të cilat i kanë harruar njerëzit gjatë këtyre ditëve e ndoshta edhe të devotshmit janë të shkujdesur ndaj tyre, prandaj përkujtimi i bën dobi secilit prej nesh, kurseselefi – të parët tanë të mirë i praktikonin çdoherë këta sunete të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

4 – Agjërimi i ditës së Arafatit – Kjo është valide për një person i cili nuk është në Haxh pasi që i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë në lidhje me agjërimin e ditës së arafatit: “Shpresoj në Allahun që për këtë të m’i falë mëkatet e bëra vitin e kaluar dhe atij që vjen.” (Muslimi).

Burimi; albislam.com

Përgatiti: Nexhat Ceka

GJITHASHTU NË ALBISLAM