Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, ka thënë: “Zinaqari nuk është besimtar gjatë kohës që kryen marrëdhënie jashtëmartesore, ai që pi alkool nuk është besimtar gjatë kohës që pi alkool; hajduti nuk është besimtar gjatë kohës që vjedh.” Buhariu
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit
Imani është si një pemë të cilën e rrit dhe e zhvillon uji, i shton asaj frytet e fuqinë, e ruan atë nga vyshkja e tharrja, e cila pemë shuhet e zhduket poqëse pakohet ushqimi i saj, njejtë është edhe imani, rritet, forcohet me vepra të mira, ngritet në gradat e larta të imanit si frika prej Allahut, shpresimi tek Ai, dashuria ndaj Tij, e shuhet e prishet me kufër e shirk, dobësohet e venitet me mëkate e punë të liga, siç është vjedhja, zinaja, konsumimi i alkoolit, e mëkate të tjera.
Pra, lidhshmëria mes imanit dhe veprave është lidhje direkte dhe e ndërsjelltë , ai shtohet e forcohet me punë të mira, dobësohet e venitet me mëkate e punë të liga. Kush dëshiron të shton imanin e tij e ta forcon atë, ai duhet t’i përkushtohet veprave të mira, e të largohet prej veprave që janë shkatërruese.
Në këtë hadith, i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, na sqaron për efektin e mëkateve mbi imanin, se si ato e dobësojnë saqë nuk mbetet prej tij diç pos një pjese të vogël, e gjithë kjo si shkak i mëkateve. Andaj, muslimani i cili dëshiron të ruan imanin e tij, ta mban lartë të ngritur, duhet që të jetë i angazhuar me punë të mira, e të largohet prej mëkateve, kështu ai gjen shpëtim në dynja e në ahiret.
Dobi të hadithit
- Imani pakohet me veprimin e mëkateve.
- Shpalosja e mëkateve nuk konsiderohet kufër.
- Zinaja, pirja e alkoolit dhe vjedhja konsiderohen mëkate të mëdha.
- Mohimi i të qenurit besimtar në hadith ka për qëllim mohimin e imanit të plotë e jo edhe gjithë imanin e themelin e tij, duke u argumentuar për këtë me konsensusin e të parëve se mëkatet nuk e nxjerrin njeriun prej fesë, përpos nëse ai ato i bën hallall.
HADITHI I NËNTË
DYZET HADITHE RRETH BESIMIT (AKIDES)
Përktheu: Shpend Zeneli
Burimi: albislam.com