ISLAMI DHE MBROJTJA NGA SËMUNDJET

ISLAMI DHE MBROJTJA NGA SËMUNDJET

0 2965

(Në vend të hutbes)
Dr. Amel Kurtishi

Islami është një fe që e konsideron dhe e vlerëson shëndetin si një nga begatitë më të mëdha të Allahut. Për këtë arsye Islami e inkurajon njeriun që të jetë mirënjohës ndaj Krijuesit të tij për atë bekim dhe ta mbrojë atë, të shmangë çdo gjë që do të rrezikonte shëndetin.
Po ashtu, Allahu i Madhëruar përmes Kuranit dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij, sal-lallahu alejhi ve selem, 14 shekuj më parë, ka vendosur shumë masa parandaluese që synojnë ruajtjen e shëndetit të njeriut. Këto masa më pas u konfirmuan nga mjekësia moderne. Një masë e tillë është higjena, gjegjësisht pastërtia e trupit, rrobave dhe vendit ku kryhet lutja ose vendi ku jetohet. Pastërtia zë një vend të lartë në besimin tonë, sipas fjalëve të Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të: “Pastërtia është gjysma e besimit.” (Muslimi)
Pastërtia dhe pastrimi i trupit është parandalim për shumicën e sëmundjeve, siç janë sëmundjet e lëkurës dhe sëmundjet e frymëmarrjes. Pastërtia e vazhdueshme e fytyrës dhe duarve nënkupton zvogëlimin e numrit të baktereve që hyjnë në trup në këtë mënyrë. Gjatë abdesit, në mënyrë të veçantë është theksuar rëndësia e larjes së mirë të duarve para të gjitha pjesëve të tjera të trupit, e ndjekur nga shpëlarja e plotë e gojës dhe hundës, ku bakteret dhe viruset që janë grumbulluar në atë zonë pastrohen dhe largohen duke shtuar ujë dhe duke shpërlarë gojën dhe hundën.

Muhamedi, sal-lallahu alejhi ve selem, na ka treguar se sëmundja është një tundim nga Allahu i Madhëruar. Ajo ka mundesi me qenë edhe ndëshkim. Duhet të kërkojmë mbrojtje prej Allahut të Plotfuqishëm që të na shpëton dhe ruan nga ajo sprovë, dhe kur të ndodhë ne duhet të jemi të durueshëm dhe të mjekohemi me atë që e ka lejuar Allahu. Imam Tirmidhiu shënon se Usama ibn Sharik ka rrëfyer: “Isha me Profetin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, kur tek ai erdhën disa beduinë, dhe e pyetën: “O i Dërguari i All-llahut, a duhet të mjekohemi?” Ai u përgjigj: “Padyshim që duhet të mjekoheni o robërit e Allahut, sepse Allahu i Lartësuar, nuk ka krijuar ndonjë sëmundje pa dhënë ilaç për të, përveç njërës. Ata e pyetën: ‘Cila është kjo sëmundje’, e ai u përgjigj: ‘Pleqëria.” (Tirmidhi)
I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve selem, e ndaloi atë që dëmton njeriun, dhe jo vetëm atë, por edhe atë që dëmton çdo qenie të gjallë. Ashtu si një person ka një detyrim të mbrojë shëndetin e tij, ai gjithashtu ka për detyrë të kujdeset për njerëzit e tjerë rreth tij, familjen e tij dhe xhematin, të mos rrezikojë ose infektojë ata nga sëmundja e tij. Këshillat e Profetit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, janë:
– Mos shkoni në ato vende që preken nga infeksioni/epidemia,
– Nëse ndodh që të jeni në vende të tilla, mos dilni prej tyre te të tjerët që nuk janë prekur nga infeksioni.
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Resulullahu, sal-lallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush vdes si pasojë e murtajës është një dëshmor…kush ikë nga vendi ku është shfaqur murtaja e ka statusin/mëkatin e atij që ka ikur nga fushëbeteja”
Këto fjalë dhe këshilla të Profetit, alejhi selam, u kuptuan më së miri nga shokët e tij. Në historitë e tyre kemi shumë shembuj ku në situata të sëmundjeve ngjitëse ata u kujdesën t’i mbrojnë të tjerët në mënyrë që infeksioni të mos përhapej në vende ku nuk ishte përhapur.
Transmetohet se në kohën e Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, murtaja u përhap në një provincë në të cilën një numër i madh i muslimanëve në atë zonë dhe ushtria e stacionuar atje u prekën nga sëmundja. Halifeja Omer, Allahu qoftë i kënaqur me të, u drejtua në atë vend për t’u njohur me shkallën e pasojave. Gjatë rrugës ai u takua me një grup as’habësh, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Në mesin e tyre ishte edhe Ebu Ubejde, radijallahu anhu. Disa e këshilluan halifën të kthehej në mënyrë që edhe ai të mos infektohet. Këtë i urti Omeri, radijallahu anhu, e kuptoi saktë dhe mori vendimin për t’u kthyer. Ebu Ubejde, radijallahu anhu, i tha: “O Umer, a po ik nga caktimi i Allahut?” Omeri, radijallahu anhu, u përgjigj: “Po, jam duke ikur nga caktimi i Allahut në caktimin e Allahut.” Ky veprim i Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte në përputhje me Sunetin dhe u konfirmua nga Abdurahman ibn Auf, radijallahu anhu, i cili e transmetoi hadithin: “Kur dëgjon për murtajë në ndonjë vend dhe ti je jashtë atij vendi, mos hyn në të, dhe nëse je brenda atij vendi mos dil prej tij.” (Buhariu)
Një musliman beson se gjithçka është caktim i Allahut, e pranon atë dhe e përballon me durim çdo sprovë. Për këtë besimtari do të ketë një shpërblim prej Allahut të Plotfuqishëm. Një besimtar i mirë kujdeset dhe është i përgjegjshëm ndaj vetes dhe njerëzve përreth tij. Prandaj, t’i dëgjojmë dhe respektojmë rekomandimet dhe këshillat e të Dërguarit të Allahut, të marrim një mësim nga shembujt e sahabëve të shquar, të kujdesemi për pastërtinë dhe shëndetin, të kemi mirëkuptim dhe respektim ndaj vendimeve dhe masave të autoriteteve kompetente mjekëve dhe hoxhallarëve, sepse qëllimi i tyre është të mbrojnë jetën tonë dhe shëndetin e familjeve tona. Mbrojtja e jetës është një nga pesë synimet madhore të Islamit.
“…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim…” (El Bekare, 195)
Allahu na ruajttë dhe na meroftë nga sëmundjet e vështira.
Allahu ju bekoftë
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.

GJITHASHTU NË ALBISLAM