Kafshata e pangrënë

Kafshata e pangrënë

0 1240

            …Ishte kafshata që vetëm sillej nëpër gojë dhe i mungonte oreksi për të ngrënë ushqim. Ishte mungesa e tyre që prezent e bëri ndjenjën e mërzisë në këtë ditë agjërimi. Ishte hurma që më mbeti gjysmë e kafshuar në dorë duke e humbur edhe shijen e saj gjatë kohës së përtypjes në gojë. Ishte dhimbja që e kishte ngufatur shpirtin, e që rrugëdaljen e vetme arriti ta gjejë përmes ngjyrës së lapsit. Ishte uji i cili e ka vetinë që t’u japë jetë qenieve, megjithatë mbeti i vdekur brenda gotës që mbaja pranë vetes. Ishte durimi i mbështjellë me besimin në Zot që e qetësonte zemrën për të vazhduar rrugën. Ishte…  

Gëzimi dhe pikëllimi ishin bërë bashkë dhe ishin duke e gatuar rrugën për ta pritur mysafirin e vitit. Isha i vetëdijshëm nga prania e frymëzimit për t’u dhënë shpirt fjalëve që do t’i nxjerr në letër, prandaj udhëhiqesha nga dhimbja e cila më shtynte që kohën ta kaloj duke u kushtuar atyre një pjesë të kohës së këtij muaji. I pikëlluar nga mungesa e tyre dhe nga gëzimi për ardhjen e këtij muaji, ndjenjat e luanin rolin e tyre në letër nëpërmjet lapsit. Mendja e përzier me gjendjen e pikëllimit i thurte mendimet sipas udhëzimeve që i merrte nga dhimbja. Zemra e mbushur me kënaqësinë e ardhjes së Ramazanit dhe me molisjen nga mosprezenca e tyre, përpiqej të bëhej e fortë nëpërmjet rrugës së adhurimeve. Agjërimi, adhurimi i cili pas iftarit të bën ta harrosh etjen e ditës dhe të mundëson ta shijosh sevapin që mbeti me ty.

Zoti im, fali, na fal neve dhe na mundëso të takohemi përsëri në amshim. Kur lutjet e zemrës dolën përmes syrit duke përfunduar në tokë nëpërmjet sexhdesë trokitën në dyert e qiellit. E dija se lutja merr kuptim kur mendja e thur dëshirën e zemrës përmes gjuhës së shpirtit. M’u kujtua çasti kur e shikoja gotën e ujit që kisha përpara vetes dhe hurmën që qëndronte buzë saj. Isha i ngopur akoma pa filluar të hajë dhe ndihesha i fortë vetëm me atë hurmë që kisha ngrënë. Mbi të gjitha, më dukej të pajtohesha se tashmë ato nuk do t’i kemi në iftaret tona. Do të na mungojnë dhe mungesën e tyre do ta përjetojmë me durimin në Zot dhe me shpresë që takimi i serishëm me to do të jetë zëvendësim i tyre në këtë botë.

Këndi i sofrës ku ato uleshin, në këtë iftar ishte larë me lot. Askush nuk kishte guxuar të ulej aty, pasi akoma të freskëta i kishim kujtimet për to. E kisha të qartë se iftar më nuk do të hanim bashkërisht, megjithatë besimi duke e shpresuar takimin në amshim, më jepte frymëzim për jetë. Vendi i tyre në sofrën e iftarit gjithnjë do të mbetet bosh duke mos pasur askush që do ta zë atë. Vetëm dhimbja do të jetë e pranishme aty duke u shoqëruar nga shikimi i syrit që vazhdimisht do të mbetet i kthyer andej. Aq sa i kam të pranishme dhimbjet, mbase edhe më tepër do të më mbaj besimi duke u pajtuar me caktimin e Zotit mbi faktin që ka caktuar lidhur me to.          

            Fjalët e Tij ishin dera e vetme nëpërmjet së cilës futesha në dhomën e qetësimit. Pasi mungesën e tyre arrija ta mbush vetëm me fjalët e Tij dhe duke e ndjekur udhëzimin profetik. Ishte rruga që më jepte shpresën e takimit të një ndarjeje pa mos e shijuar jetën akoma siç duhet. Na shkuan duke mos u përshëndetur fare dhe si dy lule u vyshkën pikërisht në lulen e rinisë. Arrita t’i përshëndes vetëm për një rrugë kthyese duke shpresuar në kthimin e tyre, ndërsa kjo që ndodhi… Gjithnjë në mendja do t’i kam dhe po jetoj me ndjenjën e ndërmjetësimit të tyre duke e pasur parasysh faktin se si u doli shpirti. Iftari nuk do ta ketë hijeshinë sikur me to, tashmë do të jetë vetëm një ngrënie për ta mbushur stomakun nga agjërimi i një dite. Jeta është një sprovë e mbështjellë me gacën e dhimbjes që djeg kohë pas kohe edhe në kohë dimri. Mbështetja në Zotin është jastëku më i mirë për ta bërë gjumin e qetë dhe përmendja e emrit të Tij është flladitësja më e mirë për ta qetësuar shpirtin.

Një melodi kujtimi më brente vazhdimisht që zgjonte shumë ndjenja përmallimi. Ajo dashuria jonë që lindi me ardhjen e tyre, megjithatë duke u rritur, arriti të ndërpritet në gjysmë duke na lënë vetëm me lot në sy. Kujtimi që shumë ditë të gëzuara i bëri të shkrehen në vaj dhe shumë momente të lumtura i bëri pelin të ditëve tona. Në detin e dashurisë që e ndërtuam anijen e lundrimit të përbashkët, më ngeli vetëm timoni pa pasagjerë dhe me destinacionin e vetëm, drejt Zotit. I vetmi iftar duke mos e ndier aspak shijen e ushqimit, por duke u përqendruar vetëm në shijen e adhurimit dhe në të përmendurit e Zotit. Kafshata e vetme që u gëlltit pa mos u përtypur fare dhe duke u mjaftuar me vetëm disa të tilla. Iftari i vetëm duke mos arritur ta shikoj aspak ushqimin nga vrulli i lotëve që rridhnin vazhdimisht duke më turbulluar shikimin. Falë Zotit që isha rob i Tij dhe më ndryshe e kuptoja sprovën që më kishte goditur. Falë Zotit që më kishte udhëzuar në rrugën e Tij dhe sprovën e konsideroja shpërblim që do të marrë në amshim bashkë me to. Falë Zotit…      

I dhashë vetes kohën për ta kuptuar vlerën që ato kanë tek unë, edhe në mungesën e tyre. Vetes ia ofrova dritën për ta kuptuar errësirën që ndien dhimbja nga mosprania e tyre. Dhimbja që do të lundrojë në ditët tona do të përballet me valë të mëdha që do të përplasen te ne. Rruga na është shtruar me ferra, megjithatë bindja në mëshirën e Zotit, shpresojmë të na lehtësojë kujdesin e ecjes nëpër të. Duhet t’i qasemi rrugës, ferrat e së cilës e shfaqin aromën në nuhatjen e udhëtarit. E bëjnë të lehtë në fjalë përkundër këshillave të rënda që i bart në zemrën e vet. I vetëdijshëm se edhe një ditë pa dritën e syrit është e madhe, prandaj e vetmja derë e hapur për t’ia qarë hallin e kam derën e qiellit. Duke jetuar në tokë, mendja vetëm te to në amshim dhe me kujdesin për faljen e Atij në qiell. E rëndë jeta duke jetuar me mall, por duke shpresuar në fuqinë e Atij që të lehtë e bën dhimbjen. Iftari që shkoi me një hurmë, një fyt ujë dhe shumë lot nëpër faqe, ishte i mjaftueshëm për atë ditë. Mjaft ishin për ta mbajtur trupin dhe të shoqëruara me adhurime dhe lutje e vazhduan rrugën e tyre drejt syfyrit ku shpresonin të hanë paksa më tepër me qëllim që të kenë forcë gjatë ditës. Ishte iftar i shëndetshëm për shëndetin e trupit dhe në përputhje me gjendjen time që ndodhesha…  

Blerim Muhaxheri
 
P.S. Në kujtim të vajzave tona, Anesa dhe Erda Muhaxheri, të cilat e humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Bullgari.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 573