Nëse ke menduar se Vehabizmi për të cilin flasin ca politikanë e shkrimtarë perëndimorë përkufizohet në atë që thirri Muhammed ibën Abdulvehabi në librat, fjalimet dhe mësimet e tij, apo se vehabistë janë vetëm ata që pajtohen me këtë hoxhë në thirrjen e tij, atëherë ke gabuar.
Tek ata, Vehabizmi është përshkrim për çdonjërin që e merr seriozisht Islamin, qoftë edhe prej atyre që s’kanë lexuar asnjë shkronjë prej ibën Abdulvehabit, veten s’e quajnë me emrin e tij dhe nuk pajtohen me të në disa çështje; porse ky emërtim thjeshtë është përshkrim i atij i cili i pranon me seriozitet disa gjëra konsenzuale të Islamit edhe nëse vetë ai bën disa bidate (1) apo beson në disa gjëra të kota. Vehabizmi tek ata është sinonim i fundamentalizmit i cili do të thotë: të besuarit se i tërë Kur’ani është fjalë e Allahut të Madhëruar dhe se të kapurit për të është obligim i çdo myslimani. Vehabist është myslimani i cili falë pesë kohët e namazit, agjëron Ramazanin, jep zekatin dhe kryen Haxhin nëse ka mundësi. Ai është myslimani i cili nuk pi alkool, s’merret me kamatë, e sheh të ndaluar përzierjen e meshkujve dhe femrave, nuk beson në ato vlerat të civilizimit perëndimor që janë në kundërshtim me Islamin. Myslimani vehabist është ai i cili mendon se feja e tij është e vërtetë dhe e nxitë atë që njerëzit t’i thërret në Islam. Me fjalë të shkurta, vehabist është çdo mysliman i cili mundohet të kapet për mësimet e fesë së tij edhe nëse jeton në vendet perëndimore.
Si duket ata që u propozuan politikanëve (perëndimorë) që çdo mysliman që praktikon fenë e tij ta emërtojnë kështu, janë disa ekspertë për studim të Islamit. Ndoshta ky propozim i tyre ka qenë për shkaqe politike. Ndoshta u kanë thënë atyre: ju do t’i ngjallni emocionet e myslimanëve nëse u thoni qartë dhe direkt se nuk doni që ata të kapen për Librin e Zotit dhe Sunnetin e Pejgamberit, të marrin fenë me seriozitet, andaj ju bënë një intrigë duke folur për Vehabizmin në vend që të flasin për Islamin apo për Kur’anin dhe Sunnetin nga që në botën islame ka shumë njerëz që kanë probleme me vehabistët, dhe për atë se kanë trilluar shumë akuza kundër tyre (vehabistëve). Atyre u veshën shumë gjëra që ne i dimë se s’kanë lidhje me ta. Edhe pse ne nuk pajtohemi me ata në të gjitha shkaqet që sollën deri te armiqësimi i Vehabizmit, themi se qëndrimi i tyre armiqësor mund të na ndihmojë në drejtim të realizimit të synimeve tona dhe t’i shërbej interesave tona.
Atëherë, kush është për ta myslimani jovehabist? Është myslimani i cili Kur’anin e kupton ashtu siç i kuptojnë ata librat e tyre, fenë e praktikon ashtu siç praktikojnë ata fenë e tyre. Ai që nuk kundërshton asgjë nga kultura e tyre, nuk thërret në antagonizëm ndaj politikës së tyre edhe nëse mendon se është e padrejtë dhe e dëmshme për vendin e tij. Është ai prej gojës së të cilit s’del asnjë fjalë që ka të bëjë më emrin xhihad. Çdonjëri që bën këtë është armik i tyre dhe pengon të ashtuquajturën interes atdhetar të tyre.
Çdo të thotë të kuptojë fenë ashtu siç e kuptojnë ata fenë e tyre? Ndoshta përgjigje më e mirë për këtë pyetje është fjala e një pasuesi të një kishe episkopale (bëhet fjalë për një kishë amerikane pasuese e kishës angleze). Ky është një prift, quhet Robinson dhe botërisht shpreh çrregullimin e tij seksual. Madje ai shkon nëpër disa shoqëri fetare, së bashku me “bashkëshortin e tij” me të cilin bën imoralitet, Allahu na ruajt! Me gjithë këtë kisha nuk pa pengesë që ky prift të merr një post të lartë, postin e prelatit. Atë e zgjodhi këshilli më i lartë i kishës, me shumicë të votave, përafërsisht me dyzet prej gjashtëdhjetë votave. Pas fitores, në një konferencë për gazetarë, ky prelat pranoi se kundërshtarët e zgjedhjes së tij kishin pasur të drejtë kur kishin deklaruar se çrregullimi seksual është në kundërshtim me mësimet e kishës, pastaj vazhdoi të thotë: “të thuash thjeshtë është në kundërshtim me traditat dhe mësimet e kishës, me Librin e Shenjtë nuk do të thotë patjetër te jetë gabim. Ne adhurojmë një zot i cili është i gjallë dhe ky zot na shpien kah e vërteta.”
Pas këtij lajmi, i përkujtova vëllezërit tanë në një hutbe të Xhumasë me hadithin e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, i cili ka thënë: “do t’i pasoni traditat e popujve para jush, pëllëmbë pas pëllëmbe derisa edhe nëse hyjnë në vrimën e hardhucit do të hyni edhe ju.”
Me këtë kisha për qëllim që të mos habitemi kur të na vjen ndonjëri i cili pretendon se është mysliman dhe të thotë ndonjë fjalë sikur ky prifti apo afërsisht sikur ai, si për shembull të thotë: fakti që një fjalë apo vepër është në kundërshtim me atë që e dinë myslimanët, në kundërshtim me hadithet e Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, në kundërshtim me ajetet kur’anore nuk do të thotë patjetër që e njëjta të jetë gabim. Them se mu si ky është myslimani që e dëshirojnë disa nga këta të cilët flasin për ekstremizmin, për fundamentalizmin, për Vehabizmin. A nuk i tha Allahu, subhanehu ve teala, Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem: ” Në të vërtetë ata (idhujtarët) gati arritën të sprovojnë ty nga ajo që Ne ta shpallëm, e të trillosh tjetër nga çka të shpallëm, e atëherë do të zinin ty mik.” (Isra – 73)
Pastaj, a nuk ka thënë Allahu, subhanehu ve teala, për disa jehudij dhe krishterë që kishin ngulur këmbë në mosbesimin e tyre: “As jehuditë, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty deri sa ta pasosh fenë e tyre.” (Bekare – 120)
Tani del në pah se pasimi i fesë së tyre nuk është i kufizuar vetëm në besimin e asaj që ata besojnë, porse përfshinë edhe metodologjinë e kuptimit të fesë dhe shtrembërimit të saj. Çdonjëri i cili ndjek këtë metodologji për shtrembërimin e fesë Islame dhe për të mos kapë fenë fuqishëm siç ka urdhëruar Allahu, subhanehu ve teala, ata do të jenë të kënaqur prej këtyre.
Në shumë fjalë të tyre duket pakënaqësia e tyre me ata të cilët nuk ndjekin metodologjinë e tyre në kuptimin e fesë Islame. Ndoshta prej rasteve më të qarta është ajo që përmendi ish kryetari Klinton në një ligjëratë që mbajti në universitetin e Vashingtonit “Xhorxhton”, që e kam përmendur në disa ligjërata dhe e kam debatuar së bashku me disa të rinj në selinë e “Darul Erkam” në Vashington.
Prej asaj që e tha Klintoni në ligjëratën e tij ishte: ”esenca e mospajtimit mes neve dhe atyre – ka për qëllim myslimanët apo një grup prej tyre – është pasqyrimi ynë i natyrës së realitetit. Ne besojmë se asnjëri prej krijesave nuk e di tërë realitetin, për këtë, mendojmë se çdo njeri ka aspektin e tij. Ata mendojnë se e dijnë tërë realitetin, për këtë mendojnë se nëse nuk je mysliman atëherë je kafir (jobesimtar), nëse je mysliman mirëpo nuk pajtohesh me ta në mendime atëherë je bidatxhi (risitar) dhe se në dy rastet ti je në shënjestër edhe nëse je fëmijë gjashtëvjeçar”
Prej asaj që e pata thënë në atë ligjëratën time ishte: nëse me fjalën “i tërë realiteti” është për qëllim njohja e çdo gjëje, ne jemi të parët që e pranojmë se asnjëri nga njerëzit nuk ka këtë cilësi, porse kjo është cilësi e Zotit. Madje edhe nëse është për qëllim njohja e tërësishme e disa gjërave, ne besojmë se vetëm Allahu, subhanehu ve teala, i njeh gjërat në tërësi. Ne nuk dimë gjithçka as për Zotin tonë që e adhurojmë; Ai ka emra që s’na ka treguar për to, mirëpo atë që e dimë për Të, edhe pse është pak, na mjafton që të bindemi se Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe se Ai ia zbriti Kur’anin Muhammedit, salallahu alejhi ve selem. Po ashtu edhe dija jonë për gjërat e kësaj bote – e Allahut i takon shembulli më i lartë – është e mjaftueshme për të përfituar nga ato. Ne para se ta dimë se uji përbëhet nga hidrogjeni dhe oksigjeni, e kemi ditur se ai e shuan etjen, se është i domosdoshëm për bimët, se pastron ndyrësirat e kështu me radhë. Përkufizimi i dijes tonë nuk do të thotë relativizimi i realitetit, madje në atë që e njohim – përderisa është e vërtetë – ka argument të prerë se e kundërta e saj është e kotë.
Gjithashtu pata thënë se kufri (mosbesimi) do të thotë: mohimi i realitetit apo mohimi i asaj që pretendohet se është realitet. Ai që mohon se Muhammedi, salallahu alejhi ve selem, është i dërguar i Allahut duke e ditur një gjë të tillë, ai mohon realitetin dhe është kafir. Ai që mohon ekzistimin e dikujt që meriton të adhurohet pos Allahut, ai sipas shprehjes kur’anore është kafir (mohues) i tagutit (të kotës). Po ashtu kam thënë se baza e raporteve tona me ata që nuk besojnë në fenë Islame është: thirrja e tyre me urtësi, këshillë të mirë si dhe duke polemizuar në mënyrë më të mirë ngase ne nuk vrasim njeri thjeshtë vetëm pse është kafir përndryshe nuk do të mbetej asnjë prej tyre në këtë botë. Pastaj, si mund që feja jonë të na urdhërojë të vrasim çdo mosbesimtarë kur na lejon të martohemi me gratë e ndershme të ehlulkitabit (jehudijtë dhe krishterët)? A mund që të lidhim kurorë me të pastaj t’ia vendojmë shpatën në qafë? E sa i takon fëmijëve të tyre, ata me vendimin e fesë tonë janë muslimanë, e përse t’i vrasim?
Burimi: albislam.com
Shqipëroi: Agim Bekiri
1) Bidat quhet çdo gjë e shpikur në fe e për të cilat na ka tërhequr vërejtjen Muhammedi, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi te. Menjanimi i këtyre gjërave ishte një prej synimieve të thirrjes së Muhammed ibën Abdulvehabit. (sh.p.)