NË EMËR TË PAQES

NË EMËR TË PAQES

0 1726

Pamjet e fundit të zemërimit mysliman të shfaqura në ekranet tona kanë habitur opinionin publik dhe kanë ngritur shumë mëdyshje për qeveritë dhe politikanët në të gjithë botën. Të gjitha përpjekjet e bëra nga shumë vende për të kthyer paqen dhe stabilitetin ndërmjet kombeve dhe njerëzve janë shkërmoqur nga veprimet e disa njerëzve. Duke ndjekur zemërimin e myslimanëve ndaj ngjarjeve të fundit të lidhura me një film të prodhuar nga një grup aktorësh joprofesionistë apo botimin e karikaturave nga një revistë franceze, tema e të cilëve është i njëjti profet, ne të gjithë e dimë tani se çdo rast i ngjashëm do të krijojë të njëjtat pasoja, të cilat janë të padëshirueshme dhe në shumë raste të paparashikueshme. Në mënyrë të qartë diçka nuk shkon. Pyetja që ngrihet në këtë rast është se kush duhet të fajësohet: qeveritë dhe ligjvënësit që nuk po bëjnë gjënë e duhur, apo bota myslimane e cila duket sikur është shumë e ndjeshme dhe agresive.

Unë në mënyrë të fuqishme besoj që përgjigja ndaj kësaj i takon mekanizmave të së drejtës ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara që të hartojnë legjislacionin e duhur ku të pranohet nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate, që çdo lloj blasfemie fetare të konsiderohet si vepër penale. Vetëm atëherë çdo lloj provokimi i tillë do të zgjidhej në rrugë ligjore, pavarësisht faktit se kjo nuk do ta ndalonte plotësisht një fenomen të tillë, por do të krijonte besimin e plotë që qeveritë nuk janë aspak fajtore për situata të tilla dhe se vendet perëndimore nuk përdorin standarde të dyfishta. Disa mund të argumentojnë që kjo është shkelje e lirisë së shprehjes dhe ideve liberale që duhet të ketë shoqëria. Të gjithë e pranojmë që liria e shprehjes, e mendimit dhe ajo e ndërgjegjes fetare janë gjëja më e çmuar për çdo kulturë dhe qytetërim dhe ajo ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në zhvillimin e njerëzimit në të gjitha fushat dhe sferat e jetës që nga fillimet e tij. Por a mundet që të barazohet liria e shprehjes me atë të talljes dhe të poshtërimit të asaj që për gati 1/3 e njerëzimit konsiderohet si e shenjtë. Nga ana tjetër kemi edhe shembuj të kriminalizimit të veprimeve të ndryshme që tregojnë zbatimin e suksesshëm të një përqasje të tillë. Sikur e dimë në disa shtete, çdo lloj veprimi që nuk dënon holokaustin nazist konsiderohet si vepër penale, apo mohimi i holokaustit armen është e ndëshkueshme nga ligji francez. Në mënyrë që të shmangim edhe mendimin që shtetet perëndimore aplikojnë standarde të dyfishta në lirinë e tyre të shprehjes, atëherë duhet që shtetet të konsiderojnë rekomandimin që të bëhet rregullimi ligjor edhe për veprime të tilla.

Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që shumë prej nesh duhet të kuptojmë që veprime të tilla të turmave të zemëruara do të ndodhin në të gjitha rastet kur Zoti dhe profeti i Islamit bëhen objekt përqeshje, talljeje dhe poshtërimi dhe nuk ka baza argumenti se kjo do të ndryshojë sapo këto shtete të bëhen më të përparuara dhe të zhvilluara. Kjo përforcohet nga fakti që kemi parë protesta të shumta edhe në vendet perëndimore që kanë popullsi myslimane, por që nuk u ka munguar shkollimi dhe arsimimi i njëjtë me popullsinë vendase. Ajo që duhet të kuptojmë është që një ndër vlerat më të shenjta për myslimanët është respekti ndaj feve dhe në qytetërimin e tyre kjo përkthehet në lirinë e gjithsecilit për të zgjedhur dhe praktikuar atë fe që dëshiron. Kjo dëshmon që në Islam asnjëherë nuk ka pasur përplasje ndërmjet lirisë dhe besimit. I gjithë qytetërimi islam është ndërtuar mbi deklaratën e besimit “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është profeti i tij”. Që nga fillimet e Islamit, deklarata e besimit është bërë themeli mbi të cilin janë ndërtuar marrëdhëniet në këto shoqëri. Ajo që duhet të kuptojmë të gjithë është që  ndërsa liria, barazia dhe drejtësia janë vlerat demokratike të botës perëndimore, deklarata që “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është profeti i tij” është themeli i qytetërimit të vendeve myslimane. E panjohur dhe e paditur nga shumë veta, vlerat e demokracisë perëndimore të lirisë, barazisë dhe drejtësisë janë shumë mirë të përfshira dhe të ruajtura në vlerat islame. Një fakt i njohur dhe i pranuar nga të gjithë është barazia dhe vëllazëria ndërmjet personave me kombësi dhe raca të ndryshme dhe mungesa e racizmit ndërmjet racave të ndryshme. Sipas një thënie të profetit nuk ka ndryshim ndërmjet një arabi dhe një joarabi, por më i miri tek Zoti është ai që është më i drejti. Një nga çështjet që ngrihen në këtë rast është sesi ka qenë e vërteta e bashkekzistencës paqësore të kulturave dhe feve të ndryshme në historinë islame. Kjo bashkekzistencë buron pikërisht nga pranimi i diversitetit kulturor dhe fetar që buron nga vetë libri i Myslimanëve. Aty jo vetëm pranohet diversiteti ndërmjet njerëzve, por nga vetë teksti burimor thuhet që ky diversitet është bërë nga vetë Zoti me qëllim që njerëzit të njohin dhe të pranojnë njëri-tjetrin. Historikisht përvoja e gjallë e Islamit e ka mishëruar më së miri një traditë të tillë, duke filluar që nga koha e profetit e deri në kohën e përfundimit të kalifatit osman. Kurani, libri i shenjtë i myslimanëve (myslimanët shenjtërinë e kanë me simbolin e librit) siguron një mbrojtje ndaj të gjitha komuniteteve të tjera. Një shembull tjetër mjaft i qartë i bashkekzistencës paqësore dhe respektit për kulturat e tjera është Andaluzia. Për shekuj nën qeverisjen myslimane nga viti 711 – 1492 bashkëjetuan paqësisht dhe lulëzuan në një mjedis të një tolerance mjaft të mirë kulturat kristiane, hebrenje dhe islame, kur në pjesën tjetër të Evropës ekstremizmi fetar mbizotëronte kudo. Si rezultat i një integrimi të tillë ndërkulturor u arritën zhvillime mjaft të rëndësishme në aspektin ekonomik, kulturor dhe shkencor si në shkencat natyrore ashtu edhe ato shoqërore. Islami ka ardhur si një sistem për të ndërtuar dhe mbrojtur gjithmonë paqen dhe kjo është e shprehur më se qartë në vlerat e pranimit të të qenit ndryshe dhe bashkekzistencës paqësore ndërmjet kulturave të ndryshme, faljes dhe pajtimit ndërmjet njerëzve, dënimit të dhunës. Qëllimi i sjelljes së shembujve të tillë është për të treguar që Islami është gjithmonë në kërkim të paqes ndërmjet njerëzve dhe nuk e kundërshton, por përkundrazi e njeh dhe e pranon lirinë e shprehjes dhe ekzistencën e kulturave të ndryshme.

Të gjithë argumentet e mësipërm i kam dhënë me qëllimin që Islami nuk e pengon dhe as nuk e ndalon lirinë e shprehjes dhe të mendimit, por e ka në bazë të themelit të tij. Ajo që ndalon Islami është fyerja, shpifja dhe poshtërimi i të tjerëve, i familjes dhe ndjenjave të njerëzve që duhet të jenë gjithmonë të shenjta. Apo do të shkojmë drejt një bote ku në emër të lirisë të të shprehurit do të heqim dorë nga çdo shenjtëri, duke filluar me familjen dhe pastaj me çdo gjë tjetër! Lidhur me faktin e parashikimit të blasfemisë si një vepër penale e pranuar nga e drejta ndërkombëtare, ka pasur reagime nga individë dhe qeveri të ndryshme, të cilat argumentojnë që kjo do t’i shërbente promovimit të paqes në botë. Nga ana tjetër ka pasur kundërshti të forta që liria e shprehjes nuk duhet të cenohet në asnjë mënyrë dhe nuk kanë pranuar që të bëjnë kriminalizimin e blasfemisë. Blasfemia parashikohet si veprim me qëllim fyerje, përbuzje, sharje, tallje ndaj Zotit, feve apo të gjitha vlerave që nga fetë konsiderohen si të shenjta. Në disa legjislacione veprime të tilla mund të parashikohen ato që nxisin dhe ngjallin urrejtje fetare dhe si të tilla cenojnë harmoninë ndërmjet njerëzve. Shembuj të ligjeve që e dënojnë blasfeminë takojmë si në Evropën perëndimore ashtu edhe në vendet e tjera. Në këtë artikull do i referohem më shumë rregullimit ligjor të blasfemisë në legjislacionet perëndimore. Nga ana tjetër ka edhe shumë shtete të tjera që në emër të lirisë së shprehjes e kanë dikriminalizuar një veprim të tillë, duke e pranuar që ligjërisht objekt talljeje dhe përqeshje mund të jetë çdo fe dhe çdo shenjtëri e feve pa asnjë lloj kufizimi. Kodi ynë Penal nuk e parashikon si figurë të veçantë krimi blasfeminë. Pyetja që shtrohet është nëse blasfemia përafrohet për nga pasojat që sjell me parashikimin e nenit 265 të Kodit tonë Penal, i cili parashikon nxitjen e urrejtjes ndërmjet kombësive, racave dhe feve. Duke parë reagimin e myslimanëve pas çdo veprimi poshtërues, që nga karikaturat, filmat etj, qëllimi i të cilave nuk është aspak artistik, por sesi në një mënyrë apo në një tjetër të lëndojnë atë që për myslimanët është po aq e shtrenjtë sa familjet e tyre dhe në mos më tepër. Me të drejtë shtohet pyetja nëse veprime të tilla ngjallin nxitje dhe urrejtje fetare.

Le të bëjmë një krahasim të shkurtër se si e trajtojnë legjislacione të ndryshme perëndimore një vepër të tillë dhe a ka modele të ngjashme që konsiderojnë veprimet të tilla si të kundërligjshme. Në Austri ka dy dispozita të Kodit Penal që janë të lidhura me blasfeminë, neni 188, “shpifja ndaj feve,” dhe neni 189 “shqetësimi për kryerjen e riteve fetare” që më shumë ka të bëjë me mbrojtjen e ushtrimit të lirive fetare. Në Finlandë blasfemia parashikohet në Kodin Penal dhe si rast i dënimit për këtë vepër penale mund të përmendim Harro Koskinen, i cili në vitin 1969 është dënuar me gjobë për botimin e njërës prej pikturave të tij, e cila pasqyronte një derr të kryqëzuar. Ligji gjerman e parashikon gjithashtu veprën penale të blasfemisë dhe rasti më i njohur është ai i vitit 2006 kur Manfred van H. është ndjekur penalisht për blasfemi, për shkak se kishte shpërndarë letra higjienike të stamposur në to fjalën Kuran dhe i kishte dërguar ato nëpër xhami, stacione televizive dhe median e shkruar, duke i ofruar për shitje dhe duke deklaruar që të gjitha të ardhurat do të përdoren për ndërtimin e një memoriali për të gjitha viktimat e terrorizmit islamik. Ai gjithashtu e përshkruan Kuranin si një libër kuzhine për terroristët. Në fund të procesit gjyqësor u dënua me një vit burgim, dënim i pezulluar me lirim me kusht për 5 vjet dhe me 300 orë shërbim ndaj komunitetit. Në Kodin Penal grek blasfemia parashikohet në nenet 119, 198 dhe 201. Në nenin 198 parashikohet: “1. Kushdo që publikisht, me keqdashje dhe në çfarëdo lloj mënyre kryen blasfemi ndaj Zotit do të dënohet me burgim jo më pak se dy vjet. 2. Përveç rasteve të parashikuara në paragrafin 1, kushdo që e kryen blasfeminë publikisht dhe shfaq një mungesë respekti ndaj së shenjtës do të dënohet me burgim jo më pak se tre muaj.” Në nenin 199 parashikohet që: “Kushdo që publikisht, me keqdashje dhe me çfarëdolloj mënyre blasfemon ndaj Kishës Ortodokse greke apo ndonjë feje tjetër të lejuar në Greqi do të dënohet me burgim jo më tepër se 2 vjet.” Në Kodin Penal izraelit blasfemia parashikohet në nenet 170 dhe 173. Neni 170 “Fyerja e fesë” parashikon që: “Personi që shkatërron, dëmton ose përdhos një vend të adhurimit fetar ose çdo objekt që konsiderohet si i shenjtë nga një grup njerëzish me qëllim për të fyer fenë e tyre, dhe që janë të ndërgjegjshëm që veprimi i tyre përbën fyerje ndaj fesë, atëherë ata dënohen deri në tre vjet burgim.” Neni 173 “Lëndimi i ndjenjave fetare”, “Personi që kryen njërin nga veprimet e mëposhtme dënohet deri në një vit burgim: 1. Përhapja e botimeve që në mënyrë të rëndë fyejnë ose ofendojnë besimin fetar dhe ndjenjat e të tjerëve, 2. Përhapja e fjalëve në publik ose në praninë e të tjerëve që në mënyrë të rëndë fyejnë besimin fetar dhe ndjenjat e të tjerëve.” Në Itali me ndryshimet e fundit ligjore blasfemia konsiderohet vetëm si një kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë. Mbretëria e Holandës e parashikon blasfeminë si vepër penale në Kodin e saj Penal. Dënimi për këtë vepër është me burgim deri në tre muaj ose gjobë për këdo që publikisht, me gojë ose me shkrim fyen ndjenjat fetare. Në Janar të vitit 2007 Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë sipas së cilës mohimi i holokaustit është një vepër e dënueshme. Nëntë shtete të Bashkimit Evropian, Austria, Gjermania, Franca, Rumania, Polonia, Sllovakia, Belgjika, Republika Çeke dhe Lituania e kanë kriminalizuar tashmë mohimin e holokaustit. Nga të gjitha këto vende Austria ka legjislacionin më të ashpër dhe kjo është bërë me qëllim për të ndaluar dhe për të penguar aktivizimin e nacional-socializmit. Por nga ana tjetër kemi edhe vende të tjera evropiane si Anglia apo Danimarka që nuk kanë pranuar që të quajnë veprime të tilla si vepër penale. Historiani britanik David Irving vazhdon të përballet me drejtësinë austriake për faktin se sipas tij shifrat e viktimave të vrara gjatë holokaustit janë më të vogla dhe janë fryrë nga bota politike dhe akademike. Një shembull tjetër është ligji i kaluar nga parlamenti francez më 12 tetor 2006 sipas të cilit mohimi i gjenocidit të kryer kundër armenëve përbën një vepër penale. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, në vitin 2007 miratoi rekomandimin mbi blasfeminë, fyerjen dhe përhapjen e shkrimeve më qëllim nxitjen e urrejtjes fetare. Rekomandimi parashikonte një tërësi udhëzimesh për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës lidhur me nenin 10 dhe 11 të KEDNJ, mbi lirinë e shprehjes, lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë. Asambleja shprehu pikëpamjen që blasfemia nuk duhet të jetë një vepër penale. Në vend të blasfemisë në disa vende evropianë është krimi i fyerjes për shkak të fesë. Në vitin 2008, Komisioni i Venecias, organi këshillimor i Këshillit të Evropës mbi çështjet kushtetuese, nxori një raport rreth blasfemisë, fyerjes fetare, dhe nxitjes së urrejtjes fetare. Sipas raportit të Komisionit të Venecias, në Evropë blasfemia parashikohet si vepër penale vetëm në tetë shtete: Austri, Danimarkë, Finlandë, Greqi, Itali, Lihteinshtein, Holandë dhe San Marino. Në konkluzionin e tij, raporti theksonte që nuk është as e nevojshme dhe as e dëshirueshme që të kemi një vepër penale për fyerjen fetare, dhe vepra penale e blasfemisë duhet të dekriminalizohet.

Për më tepër shtrohet çështja e ngjarjeve të fundit nëse veprimet apo aktet që fyejnë apo poshtërojnë ndjenjat fetare të njerëzve, të kryera me keqdashje dhe janë bërë pikërisht për një qëllim të tillë, duhet apo jo të përbëjnë vepër penale? Shpeshherë njerëzit më pyesin se çfarë nuk shkon me këta myslimanët që nuk duan që feja dhe besimi i tyre të jetë objekt talljeje dhe poshtërimi. Për të kuptuar këtë duhet të njohim Islamin dhe të kuptojmë që për myslimanët është e shenjtë feja dhe besimi, prandaj nuk mund të pranohet liria e shprehjes për të fyer dhe ofenduar miliona vetë në botë me pretekstin se kjo do të cenonte lirinë e të shprehurit. Qëllimi i një shkrimi të tillë është që në emër të paqes dhe të së mirës në botë ta ndalojmë poshtërimin dhe shpifjen ndaj së shenjtës sepse bota ka nevojë për gjëra të shenjta që nuk duhet të cenohen kurrë. Nëse nuk merren masa për të ndaluar cenimin e së shenjtës dhe për të kriminalizuar veprime të tilla gjithmonë do të kemi individë të tillë që kërkojnë të tallin dhe të poshtërojnë të gjitha ato vlera dhe parime që konsiderohen të shenjta dhe do të minojnë punën e të gjithë atyre që jetën e tyre ia kanë kushtuar paqes. Duhet të theksojmë faktin që bota islame asnjëherë nuk ka pasur probleme me kundërshtimin e bazave të besimit të tyre apo të figurës së profetit apo profetëve, por gjithmonë ka nxitur dhe promovuar debate të tilla. Një ndër hapat e parë për çdo njeri në Islam është që kërkimin ndaj njohjes së Zotit ta fillojë me mohim dhe me dyshim, pra me debat dhe me kundërshti brenda vetvetes, duke pyetur dhe kërkuar nga vetvetja për ta kthyer veten në një dishepull të simbolit të librit dhe dijes.

Në funksion të mbrojtjes dhe promovimit të paqes, ka pasur iniciativa, sidomos këto kohët e fundit për ta parashikuar blasfeminë si një vepër penale të pranuar nga legjislacionet e të gjitha shteteve, ku është kërkuar që të merren iniciativa sidomos nga OKB për të miratuar një rezolutë ku të gjitha shtetet ta parashikojnë blasfeminë si vepër penale. Përcaktimi dhe kualifikimi ligjor i kësaj vepre penale mund të bëhet shumë mirë në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare, në mënyrë që shtete të veçanta të mos kenë mundësi të abuzojnë me të duke cenuar lirinë e shprehjes dhe të mendimit, por të krijohet një legjislacion sa më i ngjashëm dhe uniform. Rregullimi ligjor i një vepre të tillë penale në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare dhe parashikimi se deri ku mund të shkojë liria e shprehjes do t’i shërbente qetësimit të situatës dhe krijimit të një bote më të mirë dhe më të qetë. Ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë edhe myslimanët si besimtarë të Zotit të urdhëruar që të jenë qytetarët të mirë, të drejtë, të sjellshëm, të dashur, të ndershëm, do ta zbatojnë një mision të tillë për të pasur një botë sa më paqësore.

Agim ALIA

Mendimet e shprehura janë të autorit dhe nuk korespondojnë domosdoshmërisht me atë të cilën albislam.com e beson si të vërtetë.