Pyetje: Mirëmbrëma hoxhë i nderuar, ju uroj për suksesin tënd, dashtë Zoti të gjithë myslimanë t’i bashkojë në xhenet. Kam një pyetje për ty, i nderuar hoxhë: nëse një burrit i ka vdekur gruaja dhe është martuar përsëri, a do takohet me gruan e tij e cila i ka vdekur në xhenet apo vetëm me gruan e dytë? Me mirëkuptim, të faleminderit .
Përgjigje: falënderimi i takon Allahut, lavdia dhe paqja e Tij qofshin mbi të Dërguarin dhe ithtarët e tij:
Po, sigurisht që nëse vdesin si myslimanë, do të jetë bashkë me gruan e tij të parë, me të dytën si dhe me pasardhësit e tij. Allahu i madhëruar thotë: “Zoti ynë, futi në xhenete të Adnit, të cilat ua ke premtuar, ata dhe kush ishte i mirë prej etërve të tyre, grave të tyre dhe pasardhësve të tyre. Vërtet, Ti je ngadhënjyesi, i urti!” (Gafir:8) Po ashtu thotë: “E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t’ua shoqërojmë pasardhësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve). Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.” (Tur:21)
Nga këto ajete kuranore kuptojmë se Allahu do t’i bashkojë atë që kanë vdekur në besim, me prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. Madje, atë që do jetë në gradë më të ulët në xhenet do ta bashkojë me atë që është në gradë më të lartë siç potencon Ibën Kethiri[1] gjatë komentimit të ajetit 21 të sures Tur, sepse e gjithë kjo është pjesë e begative dhe mirësive që do t’i përjetojnë banorët e xhenetit, jetët e të cilëve do të jenë të përsosura.
[1] Tefsir ibën Kethir: 4/73