SI TË KONTROLLOJMË VETVETEN PAS MUAJIT TË RAMAZANIT

SI TË KONTROLLOJMË VETVETEN PAS MUAJIT TË RAMAZANIT

0 1859

Falënderimet i takojnë Allahut xhele shenuhu Zotit të botëve kurse salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin salallahu alejhi ue selem, pejgamberin më fisnik ndaj pejgamberëve tjerë dhe të të dërguarve tjerë, udhëheqësin e fytyrave të ndritura ditën e gjykimit, mbi shokët e tij dhe mbi gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit, e në vijim:

E lusim Allahun e madhëruar të na i pranon veprat tona të mira e të na mundëson që muajin e Ramazanit ta arrijmë për shumë vjet, që të na bëjë Allahu nga ata të cilët ecin krenar me teshën e besimit (imanit) në jetën e tyre, reflektojnë lumturi dhe janë në shpirtrat e tyre të qetë e të rehatshëm.

Vëlla musliman do t’i cekim tetë pika, ku do të ndalemi tek ato, unë bashkë me ty gjatë bajramit, kësaj feste madhështore duke pasur për qëllim ruajtjen e veprave që i kemi punuar gjatë muajit ramazanit edhe pas tij në shpirtrat tanë, sepse ndoshta me këtë do të motivohemi shpirtërisht që të freskojmë imanin tonë dhe ta mbajmë në këtë gjendje edhe pas muajit të ramazanit të freskët e aktiv në rrugën e Allahut xhele shenuhu.

Pika e parë: Llogaritja e vetvetes

Vëlla i nderuar do të ishte shumë meritë e madhe sikur çdo musliman si cili ka frikë Allahun xhele shenuhu të ndalet dhe t’i bëj vetvetes një llogari pas mbarimit të këtij muaji të agjërimit, sepse llogaritja e vetvetes është një nga metodat më efikase dhe më të suksesshme për shërimin e zemrës dhe nxitjen e saj për në hair. Pra, ne posa u përshëndetëm më këtë muaj të bekuar, me ditët e tij të bukura, me netët e tij që na ofronin një qetësi shpirtërore, e përcollëm dhe kaloi mirëpo nuk dihet se a do ta arrijmë edhe vitin tjetër?

E përcollëm dhe kaloi ndërsa ne kemi mbetur të lidhur peng nga ajo të cilën e përcollëm, nga e mira e saj apo e keqja e saj që na iku e nuk e shfrytëzuam.

Vallë a dolëm nga ky muaj duke përfituar nga ai shenjat e devotshmërisë?

Vallë a e ushtruam veten tonë me durim, luftë me epshin duke bërë vepra të mira dhe duke u larguar nga të këqijat, duke pasur me këtë për qëllim kënaqësinë e Allahut xhele shenuhu dhe se a ia arritëm qëllimit në këtë drejtim dhe kështu t’i a dorëzojmë shpirtrat tonë vetëm Allahut të botëve?

Vallë a i mëshiruam të varfrit pasi që edhe ne e shijuam urinë nga e cila vuan çdo i varfër qoftë ajo etje apo uri?

Vallë a u përpoqëm të bëjmë luftë me epshet tona dhe më shpirtrat tonë dhe a ia dolëm kundrejt tyre fitimtarë, apo mos vallë na fituan ata neve?

Vallë a arritëm t’i mbrojmë zemrat tona nga shpirtligësia, smira (hasedi), xhelozia, urrejtja, hidhërimi me vëllezërit tanë musliman që kështu me ta të hapim fleta të reja e të bardha duke i mbushur ata me dashuri, mëshirë, lidhje të fuqishme me njëri tjetrin e kështu me radhë! Apo edhe pyetje tjera që mund të na vijnë ndër mend pas këtij muaji të begatshëm.

Pika e dytë:”Adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë vdekja”

Duhet që njeriu të jetë rob adhurues ndaj Zotit të tij Bujar në mënyrë të vazhdueshme i dorëzuar ndaj urdhrave të Tij, të jetë i vendosur në sheriatin e Tij, i përqendruar në fenë e përkryer të Tij, të mos devijojë nga rruga e vërtetë sikur dhelpra që intrigon dhe gënjen kundërshtarët e saj. Pra të adhurojë Allahun një muaj, e pastaj ta lejë adhurimin e tij apo ta adhurojë Allahun në një vend i shtyrë nga rrethanat e ndryshme e në vend tjetër ta lejë këtë adhurim, apo të bashkëngjitet me një popull që adhuron Allahun e kur ta ndërrojë atë vend apo atë shoqëri të distancohet edhe nga adhurimi i Allahut xhele shenuhu? Ne i themi jo këtij adhurimi njëherë e njëmijë herë! Por duhet të jemi të bindur se Zoti i muajit të Ramazanit është edhe Zoti i 11 muajve tjerë dhe se Allahu është Zoti i të gjithë kohërave nga fillimi i njerëzimit në këtë botë e deri në përfundimin e tij e si pasojë atëherë ai çdo herë qëndron në fenë e Allahut i palëkundur deri sa ta takojë atë vdekje e ky është i kënaqur me Allahun xhele shenuhu dhe Allahu xhele shenuhu është i kenaqur prej tij.

Allahu xhele shenuhu thotë:  “Ti (o Muhamed) përqendrohu dhe ji i vendosur ashtu siç je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan (nga idhurjtaria) (Hud:112), po ashtu Ai xhele shenuhu thotë në Kur’an: “Drejtojuni Atij dhe vetëm prej Tij këkroni falje.” (Fusilet:6) Gjithashtu Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Thuaj: Besova Allahun dhe përqendrohu në të.”(transmeton Muslimi)

Në qoftë se muaji i Ramazanit ka mbaruar, agjërimi vullnetar nuk mbaron, siç është agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval, dita e hënë dhe e enjte, ditët e bardha (ditët me datë 13,14,15 të çdo muaji hënor, dita e ashuras, dita e arafatit etj. siç kanë ardhur për këto ditë hadithe nga Resulullahu salallahu alejhi ue selem,

Në qoftë se namazi i natës gjatë ramazanit mbaroi, mos të harrojmë se namazi i natës është synet dhe i ligjshëm edhe pas ramazanit, pra çdo natë të vitit. Siç thotë Allahu xhele shenuhu në Kur’an për njerezit që falin namaz natë çdo herë: “Ata ishin të cilët flinin pak gjatë natës.” (Dharijat:17)

Në qoftë se sadakul fitri mbaroi, zekati obligativ është përsëri në fuqi, gjithashtu nuk përjashtohet sadakaja vullnetare edhe në muajt tjerë, pra dyert për sadaka vullnetare janë të hapura çdo herë, e njëjta vlen edhe për xhihadin ndaj epsheve dhe nefseve tona me gjithë kategoritë e tij.

Leximi i Kur’anit nuk është enkas vetëm për muajin e Ramazanit porse muslimani duhet që të hartojë një planprogram të vazhdueshëm për leximin e tij vazhdimisht, madje edhe çdo ditë qoftë edhe një faqe vetëm e vetëm që ajo vepër të jetë e vazhdueshme sepse siç ka thënë Resulullahu salallahu alejhi ue selem: “Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme qofshin ato edhe të pakta.”

Gjithashtu edhe për veprat e mira, ata bëhen në çfarë do lloj kohe të vitit qoftë, për këtë shkak vëlla i dashur përpiqu për të bërë vepra të cilat të mbajnë afër me Allahun xhele shenuhu në çdo kohë dhe periudhë dhe ki kujdes, ruaju nga përtacia dhe dembellëku, e në qoftë se nuk mundesh të bësh vepra të mira vullnetare në mënyrë të vazhdueshme atëherë bën çmos që mos i lesh edhe obligimet e urdhëruara nga ana e Allahut xhele shenuhu, siç janë: Pesë kohët e namazit duke i falur ata në kohën e tyre mundësisht me xhemat në xhami duke mos i anashkaluar edhe obligimet tjera të detyrueshme.

Mos harro vëlla i dashur se mëkatet që të ishin të ndaluara gjatë ditëve të agjërimit ato janë të ndaluara në çdo kohë, ditë apo natë qoftë, duke filluar nga fjalët apo shprehjet e këqija, duke vazhduar me ushqimin haram, pirjen haram, shikimin në haram, dëgjimin haram etj.

Vëlla i dashur ki kujdes dhe përqendrohu në fenë e Allahut në çdo kohë sepse askush prej nesh nuk e din se kur do t’i vijë vdekja prandaj për këtë ka thënë Resulullahu salallahu alejhi ue selem: “Më i mençuri prej besimtarëve është ai i cili e përkujton vdekjen sa më shpesh.” Pse? Sepse kjo ndjesi dhe ky argument i pakontestueshëm të bën çdo herë të bësh vepra të mira, në çdo kohë dhe në çdo vend.

Gjithashtu ki kujdes që mos të të takon meleku i vdekjes duke bërë mëkate apo duke qenë në haram, e si pasojë të ringjallesh në ditën e gjykimit në atë gjendje pra duke bërë mëkate, gjë që më pak nga gjithë gjërat do të kishe dëshiruar të të ndodhë atë ditë të madhe kur do japësh llogari përpara Allahut të Madhëruar, siç ka shpjeguar për këtë Resulullahu salallahu alejhi ue selem në hadithin e tij të vërtetë.

Pika e tretë: Kujdes, kujdes

Kujdes vëlla i dashur dhe ki frikë Allahun xhele shenuhu që mos grisësh teshën tënde të bukur të devotshmërisë që e kë qëndisur gjatë kohë në muajin e Ramazanit apo ta thyesh premtimin që ia ke dhënë Allahut xhele shenuhu në fillim të muajit të Ramazanit se do ndalohesh nga gjynahet dhe mëkatet e vazhdueshme njëherë e përgjithmonë! Apo thënë ndryshe të mundohesh ta mbash në këmbë ndërtesën e veprave të mira që e kë ndërtuar gjatë muajit të Ramazanit edhe pas tij duke e ndërtuar akoma me të tjera, e jo të ndalohesh së ndërtuari atë akoma, madje akoma edhe më keq ta prishësh atë me gjynahe dhe mëkate.

Ki kujdes vëlla i dashur që mos ndodh që leximin e këndshëm të Kur’anit ta zëvendësosh me dëgjimin e e zërit të shëmtuar të shejtanit (muzikën) dhe me shikimin e filmave të ndryshëm serial që servohen sot në veçanti në vendet e muslimaneve me tendencë të caktuar që të zhveshin totalisht muslimanët nga edukata e tyre islame.

Ki kujdes që mos ta bojkotosh Kur’anin pas muajit të ramazanit sepse ai është manuali yt në këtë jetë, pra shoku yt më i mirë për t’i tejkaluar gjithë situatat e palakmueshme që të dalin në jetën tënde, madje edhe në kohërat e mira në jetë ai të këshillon çdo herë për më të mirën… këtë vëlla mos e harro asnjëherë!

E për fund vëlla i dashur mos harro asnjëherë se në këtë botë nuk je për gjë tjetër vetëm se për të adhuruar Allahun xhele shenuhu sepse ishte Ai xhele shenuhu pikërisht që t’i hapi dyert e të udhëzoi në këtë fe të përkryer, e ta mundësoi ta arrish këtë muaj të begatë të ramazanit e ta agjërosh atë pa asnjë vështirësi…

Pika e katërt: Shenjat e pranimit të agjërimit…

Dije vëlla i dashur Allahu qoftë mbrojtësi yt çdo herë, e pa dyshim se Ai xhele shenuhu është më i mëshirshëm për robin e vet se sa nëna për fëmijën e saj të porsalindur, prej shenjave të pranimit të veprave tua në muajin e Rramazanit e në veçanti të agjërimit është vazhdimi i këtyre veprave të mira apo përmbajtja nga mëkatet edhe pas muajit të begatë të Ramazanit kurse shenjë  se veprat tua nuk janë pranuar tek Allahu i madhëruar janë të kthehesh në mëkate përsëri pa asnjë dallim nga ajo që ke vepruar përpara muajit te agjërimit siç kanë thënë dijetarët e islamit. Prandaj vëlla bëj pyetje vetes tënde se cilit grup do që t’i takosh apo vetëm medito pas ca kohë pas Ramazanit në gjendjen tënde se në cilën rrugë ke martë të ecësh! E për këtë thotë Allahu xhele shenuhu në Kur’an: “Por këtë nuk mund ta arrijë kush përveç atyre që kanë virtyt të lartë.” (Fussilet:35)

Pika e pestë: Ti ke mundësi…

Muaji i ramazanit siç mund ta logjikojmë vëllezër është ai i cili na e bën të qartë se ne kemi mundësi të jemi të përqendruar ne fenë e Allahut pra të kapur fortë për litarin e Allahut xhele shenuhu, kemi mundësi të largohemi nga të këqijat, të ruajmë namazet duke i falur ato pa përjashtim madje edhe me xhemat, si dhe mundemi të rrimë pa duhan për një kohë shumë të gjatë nëse je prej tyre që akoma nuk i ke thënë: Stop vetëshkatërimit! POR sa mund të përfitosh ti nga ky muaji i virtyteve varet prej teje!

Pika e gjashtë: Disa vepra të këqija të përhapura gjatë bajramit!

Përzierja e grave me burrat e huaj nëpër shtëpi gjatë vizitave, në manifestime apo argëtime të ndryshme që organizohen posaçërisht për shkak të festës së Bajramit!

Përshëndetja e grave të huaja për dore, kurse Resulullahu salallahu alejhi ue selem siç dihet gjatë besatimit të tyre për islam, që ishte një vepër tepër e madhe në islam, në krahasim nga burrat – sahabët atë e bënte vetëm duke u besatuar duke mos ua dhënë dorën siç bënte me sahabët, madje në një hadith të tij për këtë ka thënë: “Më mirë për ndonjërin prej jush do të ishte që të shpohej nga koka me vide (gozhde) të hekurt se sa të prek dorën e ndonjë gruaje të huaj të cilën nuk e ka të lejuar(hallall).” (Shejh Albani e ka klasifikuar këtë hadith si të vërtetë në Sahihul-xhami nr. 5045)

Gjithashtu Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Unë nuk i përshëndes gratë për dore.” Që do të thotë se kjo është një rregull për çdo besimtarë që pason synetin e Resulullahut salallahu alejhi ue selem sepse siç dihet Allahu xhele shenuhu thotë në Kur’anin fisnik: “Ju shembullin tuaj e keni tek i dërguari juaj…”

Kurse nga Aisha transmetohet se ka thënë : I dërguari i Allahut asnjëherë nuk ka prek dorë të një gruaje të huaj.

Neglizhenca apo pakujdesia në faljen e namazeve gjatë ditës për shkak të vizitave në farefis apo në mbivlerësimin e namazit të Bajramit i cili është synet mbi atë të sabahut i cili është farz etj.

Kalimi i kohës në dëfrim dhe argëtim të ndaluar haram duke gjykuar se është festë dhe se festa kështu duhet manifestuar sikurse e bëjnë jobesimtarët,  kështu që bëhemi të pakujdesshëm ndaj përmendjes dhe falënderimit të Allahut xhele shenuhu

Harxhimet e tepërta siç janë ato në rroba një ditë përpara festës së Bajramit, apo edhe në dëfrime dhe argëtime të ndryshme të ndaluara, dhurata të ndryshme në familje apo edhe më larg duke anashkaluar sadakul fitret që u takojnë të varfërve që edhe ata ta përjetojnë këtë ditë feste ngjashëm me ne, me ushqim dhe pije e të gëzuar dhe të lumtur siç janë pjesa tjetër e besimtarëve.

A thua vallë kështu besimtari është falënderues ndaj begative të Allahut xhele shenuhu, apo mos vallë kështu duhet ta përfundojmë këtë muaj, jo assesi kështu besimtari nuk mund të jetë falënderues ndaj Zotit tij Bujar, madje këto nuk janë dhe nga shenjat që tregojnë se atij besimtari i janë pranuar veprat e tij gjatë muajit të ramazanit, por kjo nga njëra anë është mohim i të mirave të Allahut xhele shenuhu e lusim Allahun xhele shenuhu që të na ruaj[ nga këto tradita të përhapura gabim në mesin tonë sepse besimtar i vërtetë është ai besimtar i cili gëzohet në festën e Bajramit duke e falënderuar Allahun xhele shenuhu ngase Ai xhele shenuhu ia mundësoi këtij plotësimin e agjërimit me sukses pa vështirësi, madje ai vazhdon duke e lutur Allahun xhele shenuhu i frikësuar që Ai t’i ja pranojë agjërimin ashtu siç kanë vepruar sahabët – të parët tanë të mirë.

Ndërsa nga shenjat e pranimit të veprës është ta shohësh robin në gjendje më të mirë para veprimit të asaj vepre dhe të shihet në të vullnet për të respektuar urdhrat e Allahut xhele shenuhu e për këtë Allahu xhele shenuhu thotë në Kur’an: “Nëse falenderoni do t’ua shtojmë të mirat.” (Ibrahim:7) E kjo do të thotë do t’ua shtojmë të mirat materiale dhe shpirtërore e kjo nuk përjashton edhe shtimin e imanit – besimit që rezulton me shtimin e veprave të mira.

Për këtë shkak kur robi është falënderues ndaj Zotit të tij ashtu siç duhet do ta shohim se si Allahu xhele shenuhu do t’i ndihmojë atij për të bërë vepra të mira dhe të jetë i bindur në të njëjtën kohë se e bën që ai të ketë sukses në largimin nga mëkatet. Selefët për shukrin – mirënjohjen kanë thënë se shukri është lënia e mëkateve.

Pika e shtatë: Muslimanët dhe festa e Bajramit

Përkujto vëlla i dashur veten tënde madje bashkë dhe për familjen tënde se ti jeton me ata një jetë në paqe, liri e siguri. Kujto vëllezërit e tu në skaje të ndryshme të botës për të cilët festa e bajramit nuk ua kalon shijen e mërzisë dhe nuk ua shëron plagët e pashëruara që i kanë goditur ata në mënyra të ndryshme, madje disa prej tyre janë në gjendje shumë  më të rëndë për të cilën nuk di kush veçse Allahu xhele shenuhu. Disa prej tyre nuk e njohin në jetën e tyre fjalën ”liri”, dikush prej vëllezërve tanë apo motrave tona mundet që me vite vuajnë nga uria, etja, sëmundja apo edhe nga mungesa e kushteve minimale jetësore si pasojë e luftërave të vazhdueshme që bëhen në vendet e tyre, madje disa prej tyre jetojnë porse ato në sytë e njerëzve janë si një plaçkë e cila nuk ka kurrfarë vlere, as nuk ruhen premtimet që u jepen e as nuk kanë ndonjë të drejtë për tu ankuar për vështirësitë e tyre… Tani ti krahasohu me ta, ku je ti me ata?! Prandaj duhet medituar rreth mirësive me të cilat ty të ka furnizuar Allahu xhele shenuhu, vallë a nuk duhet të jesh mirënjohës?!

Pika e tetë: Kush gëzohet me Bajramin?

Vërejmë se si të gjithë gëzohen me rastin e festës së Bajramit por vallë kush e meriton sinqerisht të kënaqet me të? Festa e Bajramit o ti i nderuar nuk është për atë i cili është veshur me rroba të reja e as për atë i cili ka tubuar shumë pasuri dhe atë ditë atë e demonstron në mënyra të ndryshme por është për atë i cili ishte i bindur ndaj Allahut xhele shenuhu dhe vazhdon po në të njëjtën mënyre edhe në ditën e Bajramit dhe ka për qëllim që të vazhdojë në këtë mënyre edhe pas Ramazanit.

Gjithashtu është për atë person i cili për të nuk ka dallim koha sepse ai gjithnjë mundohet të jetë i përgatitur për vdekjen, është për atë person i cili shpëtoi me kënaqësinë e Mëshiruesit dhe arriti kulminacionin e kënaqësive shpirtërore në muajin që kaloi përmes adhurimeve e kjo e bën të mundur që fytyra e tij të duket e bukur dhe fisnike në këtë botë e në veçanti në ditën e premtuar me shpresë tek Allahu xhele shenuhu, pra në ditën e gjykimit.

E lusim Allahun xhele shenuhu që të na bëjë të shohim me sytë tonë festa shumë më të mira se ky Bajram në të ardhmen si për neve ashtu edhe për gjithë muslimanët në mbarë botën, e lusim Allahun xhele shenuhu të na i pranoj veprat tona, të na bëj banorë të xhenetit Firdeus e të na mbroj nga ndëshkimi në zjarrin e xhehenemit.

Përfundim: Shpejto në punë të mira e gjatë bajramit e të jesh midis shpresës dhe frikës, duke mos harruar se çdo herë duhet medituar se a na janë pranur veprat tona të mira, e duke mos harruar ditën kur do të dalim përpara Allahut xhele shenuhu për të dhënë llogari, e atë ditë nuk do të ketë gjë më të rëndësishme për neve se sa veprat e mira e të sinqerta për Allahun xh.sh, atë ditë kur disa fytyra do të jenë të ndriçuara e disa të nxira, disa të lumtur e disa të dëshpëruar, disa presin shpërblimin e premtuar e disa presin ndëshkimin e merituar, disa janë të lumtur e disa të hidhëruar…

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin salallahu alejhi ue selem mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që pasuan, pasojnë dhe do të pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

Burimi; albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM