43 DOBI NGA SUREJA el-ADIJAT!

43 DOBI NGA SUREJA el-ADIJAT!

0 786

Disa dobi nga sureja el Adijat:
1. E radhitur në Mus’haf me nr 100.
2. E zbritur në Meke.
3. Posedon 11 ajete të shkurtëra me porosi dhe mësime jetësore në aspektin e begative të Allahut karshi krijesës më të bukur njeri, përkundër këtyre begative, shumica e njerëzve janë mosmirënjohës ndaj Allahut.
4. Përmbajtja e sures:
Në këtë sure Allahu është betuar në kuajt sulmues e prijës dhe në këtë mënyrë shfaq vlerën e tyre të lartë, pasiqë ata u binden pronarëve të tyre dhe u ndihmojnë atyre kundër armiqëve.
Shtrohet pyetja; a i jemi bindur ne Allahut duke e ndihmuar fenë e Tij, në mënyrë që Ai të të na ndihmojë neve!?
Më pas, Allahu e cek realitetin e njeriut kur nga ai shkëputen vlerat e besimit, e në atë rast ai bëhet kryeneç e mohues i begative dhe dhuntive të panumërta të Allahut, madje duke i shtuar kësaj atë se ai jepet shumë pas pasurisë dhe shndërrohet në koprrac si shkak i dashurisë për të.
Së këndejmi, a kemi menduar për varrin dhe ringjalljen, që të mos i kalojmë kufijtë e të mos jemi shpërdorues në dashurinë për pasurinë, ashtu që të mos i mohojmë mirësitë e Allahut ndaj nesh!?
5. Allahu betohet në kuajt, të cilët vrapojnë furishëm aq shumë, saqë dëgjojnë edhe zërin e vet.
6. Po ashtu, Allahu betohet në kuajt kur me thundrrat dhe patkonjtë e tyre shkelin nëpër gurë e shkëmbinj, e në atë rast nxjerrin xixëllima nga fortësia dhe pesha e tyre.
7. Po ashtu, Allahu betohet në kuajt kur vërsulen herët në agim, me vrapimin e tyre pluhurin e fluturojnë në ajër dhe të cilët hyjnë me kalorësit e tyre mu në mes të turmës së armikut.
8. Njeriu është mosmirënjohës ndaj mirësive të Zotit, edhe ai vet e vëren mosmirnjohjen ndaj Allahut.
9. Njeriu, përshkak dashurisë së madhe ndaj pasurisë, tregohet koprracë.
10. A nuk e di ky njeri i mashtruar që pas jetës të kësaj bote do të vijë dita kur të gjithë të vdekurit do të dalin nga varret e tyre, do të ringjallen e do të dalin nga toka, për tu llogaritur dhe do të shfaqet çdo gjë që fshihej brenda gjokseve, qofshin ato qëllime, besime, vepra, fjalë, etj.
11.Fjala Adijat është një cilësor që i referohet një emri të nënkuptuar. Kujt i referohet cilësori? I referohet kuajve që vrapojnë apo deveve!?
Kemi dy mendime të ulemave:
Disa kanë thënë që bëhet fjalë për devetqë vrapojnë gjat riteve të Haxhit nga Arafati e deri tek Muzdelife e pastaj deri te Mina.
Si argument kanë thënë faktin se kjo sure është mekase dhe në Mekë nuk ka pasur Xhihad(luftë) me kuaj, për të cilët të bëhej betimi.
Mendimi i radhës i ulemave është që janë kuajt vrapues, ngase ishin të njohur për arabët edhe përpara se të bëhej i ligjshëm xhihadi.
Njëkohësisht prej cilësive të kuajve është se kanë shpejtësinë e nisjes dhe vrapit.
12. Dabha- quhet dihatja që dëgjohet nga kuajt kur ata vrapojnë. Është një zë që del nga gjoksi.
13. I dërguari i Allahut nuk e sulmonte armikun gjatë natës, por priste agimin dhe nëse e dëgjonte ezanin, përmbahej e nuk sulmonte, ndërsa nëse nuk e dëgjonte zërin e ezanit, sulmonte.
14. Fjala kenud në këtë sure e ka kuptimin e mohimit të mirësive të Allahut dhe se njeriu është mohues i Zotit të vet, dhe gjendja e tij ndryshon vetëm atëherë kur e përfshinë udhëzimi i Allahut.
15. Fjala hajr e përmendur në këtë sure është për qëllim pasuria.
16. Përemri ai i përmendur në sure përfshin dy kuptime:
a). Se Allahu do të dëshmojë për njeriun se ai është mohues i begative të Tij.
Allahu është dëshmues për atë që ka njeriu në zemër siç është dëshmues për veprat e tij.
b). Gjithashtu, se njeriu do të dëshmojë kundër vetes se është mohues i mirësive të Allahut.
17. Prej bazave të besimit Islam, besimin në ringjalljen dhe llogaridhënien.
18. Se njeriu e do pasurinë me dashuri shumë të tepruar dhe një gje tillë stabilizohet vetëm me iman të shëndosh dhe vepra të mira.
19. Dobësia e njeriut, i harron dhe i përbuzë të mirat e panumërta të Allahut dhe i cek e ankohet për sprovat e pakta që ia dërgon Allahu, ky është realiteti i shumicës së njerëzve.
20. Nxitja për xhihad, luftë në rrugën e Allahut si dhe përgatitja për të, në të kaluarën përmes kultivimit të kuajve e në të tashmes përmes armatimeve të ndryshme, avionëve, etj.
21. Kuajt, janë krijesa të mrekullueshme dhe shumë të çmuara, në shërbim të krijesës njeri dhe kanë cilësi të veqanta.
22. Allahu e ka lartësuar xhihadin, ashtu që është betuar në kuajt e luftëtarëve, duke e përshkruar trimërinë dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm.
23. Të përshpejtojmë drejtë mirësive, pa u luhatur dhe hamundur fare për ti realizuar ato.
24. Ambicia, fuqia dhe guximi janë shtegu i kërkuesit të mirësive dhe triumfit të tyre të vërtetë.
25. Shtegtimi ynë drejt së vërtetës dhe veprave të mira në jetë me vendosmëri dhe ambicie të lartë.
26. Ti shfrytëzojmë kohët e hershme për kryerjen e punëve tona.
27. Mëngjesi i hershëm është kohë e bereqetshme. Prandaj, kërkohet nga robi i Allahut ta shfrytëzojë atë.
28. Të mundohemi të ushtrojmë ndikim pozitiv në shpirtrat dhe mendjet e njerëzve dhe ta përçojmë frymën e mirësisë në shoqëri.
29. Domosdoshmërisht, robi i zgjuar duhet të ketë ndikim në ambientin dhe shoqërinë që e rrethon.
30. Sulmi e çarja e rrethimit të armiqve dhe depërtimi thellë mes tyre është natyrë e luftëtarit në rrugën e Allahut.
31. Të jemi vigjilent në kurajë dhe guxim në fushën e xhihadit, konkretisht të kemi syhapur në luftimin e epsheve dhe shtyrjen e tyre prapa edhe pse ato na rrethojnë ne në çdo anë.
32. Të mos mbështetemi në vetët tona dhe të mos i japim lirinë e tepruar të përzgjedhjes. Kjo, se në parim nefsi-uni mundohet të na ndalojë nga mirësia.
Andaj, stërvite dhe ushtroje veten që ti veproj urdhërat e Allahut dhe të largohet nga ndalesat e Tij.
33. Të luftojmë veten tonë me vetëmohim në dëlirjen dhe fisnikërimin e saj prej çdo vesi të shëmtuar e të ulët, duke e përmisuar me urtësi dhe vendosmëri.
34. Të shfrytëzojmë dhuntitë e Allahut që na dhuron në fitimin e kënaqësisë së Tij.
Në të kundërtën, këto begati do të jenë barrë, sprovë dhe fundosje ndaj nesh.
35. Me të vërtetë, kjo është një sprovë shumë e rëndë, përveç për atë të cilit ia ka lehtësuar Allahu.
Fjala është për shpenzimin e pasurisë nga robi, përkundër natyrshmërisë që ta dojë atë, ta grumbullojë dhe të bëhet koprracë e dorështërnguar.
Rrjedhimisht, dhënia e lëmoshës është argument për besimin e tij të fortë.
36. Pavleshmëria e mashtrimit me këtë botë kur të gjithë do të ringjallen prej varrëve.
E atëherë, kuptimi i të vërtetës nuk bën fare dobi.
37. Ta kujtojmë botën e ardhshme, që të na bëhet ndihmesë për fisnikërimin dhe edukimin e vetëve tona, sepse me të vërtetë rikujtimi i botës së ardhshme është ilaç për sëmundjet e zemrave tona.
38. Sekreti yt më nuk do të mbesë sekret. Ai do të zbulohet sheshazi në Ditën e Kiametit.
Prandaj, kujdesu që të jetosh në mirësi e të jesh i devotshëm.
39. Të besojmë se Allahu na i sheh fshehtësitë e qëllimet që i kemi në brendësi të zemrave tona.
Prandaj, ti stolisim ato dhe ti zbukurojmë me besim e mendim të mirë për Allahun, sepse ajo që është e fshehtë për ne, tek Allahu është e dukshme.
40. Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për brendësinë e robërve të Tij.
Atij nuk i fshihet asgjë prej tyre as në këtë botë e as në botën tjetër.
41. Të turpërohemi nga Allahu, duke u përpjekur që Allahu të mos shohë nga ne asnjë mëkat.
Të bëhemi robër të Tij të mirë dhe të devotshëm.
42. Nxite veten dhe besimtarët që të qëndroni të përgatitur kundrejt ndonjë armiku potencial të mundshëm.
43. Lufto me vendosmëri të çeliktë që ta mësosh veten për tu kundërvënë tekavave dhe epsheve tua dhe të largosh gjërat e dëmshme nga jeta edhe nëse ato për momentin janë gjëra më të dashura për ty, ngase kështu plotësohet dhe ruhet besimi yt.

Përmblodhi dhe përshtati;
Hoxhë Suad Shabani

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 576