KËRCËNIM I MADH MBI MALLKUESIT

KËRCËNIM I MADH MBI MALLKUESIT

0 1700

HADITHI:

Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell dhe thotë: i dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Mallkuesit nuk do të jenë as ndërmjetësues, e as dëshmitarë dotën e Kiametit.”[1]

KOMENTI:

Kemi shpjeguar hadithin: “Besimtari nuk është akuzues e as mallkues.” E që në këtë hadith mohoi imanin e plotë nga ai, ndërsa në hadithin e lartpërmendur flitet për kërcënimin i cili i takon mallkuesit, dhe se ai nuk do të jetë dëshmitar. Disa kanë thënë: Nuk do të jetë dëshmitar në këtë botë, pra, nuk i pranohet atij dëshmia, ngase llogaritet të jetë “fasik” e të tillit nuk i pranohet dëshmia, Allahu thotë: “dhe mos pranoni më kurrë të dëshmuarit e tyre, këta janë njerëz ngatërrestarë.” Sureja Nur, ajeti 4.

Të tjerë kanë thënë: Nuk do të jetë dëshmitar për popujt tjerë në ditën e Kiametit, sikur që thotë Allahu: “Gjithashtu (sikundër që ju kemi udhëzuar në rrugë të drejtë) ju kemi bërë popull të drejtë, që të bëheni dëshmitarë të njerëzve dhe që Pejgamberi të jetë dëshmitar i juaji..” Sureja Bekare, ajeti 143.

Ngaqë profetët e kanë kumtuar mesazhin e tyre, sepse në Kuran keni hasur në tregimi e popullit të Nuhit, popullit të Hudit, Salihut, Shuajbit, dhe Kurani rrëfeu për historitë e popujve, dhe se Kurani është prej Allahut, kështu që ju dëshmoni ndaj popujve tjerë se profetët kanë kryer detyrën e tyre, përveç mallkuesit, ai nuk do të jetë dëshmitar ditën e Kiametit.[2]

Kjo është një dhunti për këtë umet, të jenë ata dëshmitarë për njerëzit, andaj Allahu thotë: “Gjithashtu (sikundër që ju kemi udhëzuar në rrugë të drejtë) ju kemi bërë popull të drejtë,” Sureja Bekare, ajeti 143. Që domethënë: të drejtë, të zgjedhur “që të bëheni dëshmitarë të njerëzve dhe që Pejgamberi të jetë dëshmitar i juaji..” Sureja Bekare, ajeti 143. Ndërsa mallkuesi nuk do të jetë së bashku me umetin në këtë rast, që vlen si një lloj dënimi, pasi që ai nuk llogaritet të jetë dëshmitar as në dynja e as në ahiret, derisa ai të pendohet e të le mallkimin.

Shumica e njeëzve nuk i kushtojnë rëndësi mallkimit, e gjuha e tij është adaptuar të mallkon, saqë mallkon edhe atë që e do -ndonjëherë- e i thotë: Kjo ishte sa për shaka, e sa që të shoqërohemi. Ky është një moral i keq, Allahu na ruajtë.

(Nuk do të jetë ndërmjetësues) njashtu nuk do të jetë ndërmjetësues ditën e Kiametit, sepse besimtarët do ndërmjetësojnë për ata që vepruan mëkate të mëdha. Ndërmjetësim është: ndërhyrje për një gjë të hajrit. Ndërmjetësimi tek Allahu është i kushtëzuar me dy kushte:

Kushti i parë: Allahu të jep leje që ndërmjetësuesi të ndërmjetëson.

Kushti i dytë: Të jetë Allahu i pajtuar për atë që do ndërmjetësohet, si; të jetë një prej besimtarëve,

Nëse njeriu meriton hyrjen në zjarr, apo hyn për shkak mëkateve të mëdha që ka vepruar, e për të ndërmjetësojnë ndërmjetësuesit në ditën e Kiametit e del nga zjarri.

Prej ndërmjetësuesve janë: Besimtarët. Profetët, ndërmjetësojnë evlijatë. Të vegjlit -fëmijët e vegjël që kanë vdekur- ndërmjetësojnë për prindërit e tyre. E mallkuesi i cili në këtë botë ka mallkuar, ka sharë e ka fyer, ky nuk do të jetë ndërmjetësues tek Allahu në ditën e Kiametit, në shenjë nënçmimi ndaj tij, që është një kërcënim i madh ndaj këtij mëkati, duke nxjerrur nga goja vetëm mallkim, një gjë të cilën njerëzit e anashkalojnë.

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, gjatë shpjegimit të këtij hadithi ka thënë: “Sepse mallkimi është vepër e keqe, bile ndër më të këqijat, e ndërmjetësimi është bamirësi, kështu që vepruesi i së keqes në këtë botë me mallkim, e largon bamirësinë me ndërmjetësim në botën tjetër, padyshim që njeriu korr atë që e mbjell, e vepra e keqe është pengesë nga bamirësia që është (në këtë rast) ndërmjetësimi. Ndërsa ndalimi i dëshmisë për shkak të mallkimit, sepse mallkimi është armiqësi e që bie ndesh me dëshminë. Për këtë i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, është zotëriu i ndërmjetësuesve dhe ndërmjetësues i gjithë krijesave, si pasojë e bamirësis, butësisë e të qenit i mëshirshëm ndaj tyre.” Marrur nga libri (Bedaiu Fevaid, 3/1168).

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I TRIDHJETË E PESTË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Muslimi me numër (2598).

[2] Ndoshta autori këtu ka për qëllim hadithin që e përcjell Said el Hudriju, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, nga i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të: “Do sillet Nuhu dhe umeti i tij. E Allahu do ta pyet: A kumtove? Ai përgjigjet: Po o Zot. E do ta pyet umetin e tij: A ju ka kumtuar? E ata do të thonë: Jo, neve nuk na erdhi asnjë profet. E do ti thotë Nuhut: Kush dëshmon për ty? Do të thotë: Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe umeti i tij. E ata dëshmojnë se ai ka kumtuar. Kjo është fjala e Allahut: “që të bëheni dëshmitarë të njerëzve.” E shënon Buhariu me numër (3339).

GJITHASHTU NË ALBISLAM