Botë sipërfaqësore

Botë sipërfaqësore

0 2243

Epoka ku jetojmë i ka bërë një shumicë njerëzish të paditur, qofshin këta edhe me shkollë të lartë, të besojnë verbërisht se ata kanë dije dhe i kuptojnë mirë fenomenet, ngjarjet, individët, etj. Dhe si pasojë e këtij vetëmashtrimi dhe mundësisë që u japin sot rrjetet sociale, nxitojnë të shprehen për të dhënë gjykime dhe vlerësime, padyshim sipërfaqësore, për njerëz, të cilët ekspozojnë sjellje ose veprime që në pamje të jashtme pëlqehen apo urrehen prej tyre. Kështu ndodhi së fundi edhe me një gazetar që intervistoi një hoxhë të nderuar, gazetar i cili para kësaj interviste, që është në profesionin e tij, etiketohej me të drejtë ose jo si islamofob dhe befas ai me këtë intervistë, për disa bëhet dashamirës i Islamit!
Natyrisht kjo nuk është hera e parë kur veprime apo sjellje të caktuara të politikanëve, artistëve, gazetarëve, sportistëve etj. i entuziazmojnë së tepërmi shumë besimtarë naiv, sidomos kur këta njerëz përdorin ndonjë simbol fetar, apo i referohen librave të fesë, bëjnë ndonjë iftar apo bëjnë ndonjë gjest që te turmat perceptohet se buron nga sinqeriteti dhe ndjenja e tij për fenë.
Në rastin e gazetarit në fjalë ai thjesht po bënte punën e tij, që nesër do ta bëjë me një prift, rabin ose ateist, dhe pa ndryshuar asgjë në thelbin e tij si njeri dhe në bindjet që ai ka.

Nuk kisha ndërmend të shkruaja për këtë rast, sepse nuk është as i pari dhe nuk ka për të qenë as i fundit, por ajo që më tërhoqi vëmendjen është pikërisht shpejtësia me të cilën gazetari në fjalë e plasi flluskën e sapunit, që njerëzit naiv krijuan me perceptimin e tyre sipërfaqësor për të dhe që ai as nuk kishte synuar ta krijonte. Me sinqeritet ose jo ai shprehu një të vërtetë duke thënë:

“Djem e çika, as nuk jam kane i keq, as nuk jam bo i mire. Jam kane gazetar, vazhdoj me kane gazetar. Sa here qe ma merr mendja qe nje hoxhe ose prift po i tejkon vijat e kuqe, duke u rrase ne politike, prape qaty keni me me pase. Per sa kohe na tregojne qysh doket xhehneti e xhehnemi krejt ne rregull jemi 🙂.”

Thelbi i mesazhit të gazetarit në fjalë është fjalia e fundit dhe që tregon në fakt edhe qëllimin e tij me intervistën që ai i bëri Hoxhës. Por, ajo që më shqetëson vërtetë nga kjo ngjarje është lehtësia dhe shpejtësia me të cilën një shumicë njerëzish e vlerësuan, dhe që lidhet me një perceptim sipërfaqësor emocional të atypëratyshëm, shpesh aq i cekët saqë është i gatshëm të pranojë si të vërtetë këtë perceptim edhe pse kujtesa e afërt i thotë se kemi të bëjmë me një ndryshim 100% të një perceptimi të më hershëm. Çudira të tilla, gati mrekulli, që ngjasin sa hap e mbyll sytë ndodhin vetëm në perceptime sipërfaqësore, të një brezi njerëzish që po rritet dhe edukohet me të pavërtetat e një bote virtuale, sipërfaqësore, mashtruese e që u flet shqisave dhe emocioneve momentale dhe jo arsyes e shpirtit.
Po, është e vërtetë se njerëzit ndryshojnë, madje edhe rrënjësisht, por kjo nuk ndodh brenda ditës e pa shenja paraprake siç dhe me të drejtë urtia e popullit thotë: nuk vjen pranvera me një lule, kështu është edhe rasti në fjalë apo edhe plot raste të tjera.

O njerëz! Ata që shtiren se na duan dhe përçojnë mesazhe mirëkuptimi vetëm me një pjesë të besimit dhe riteve tona, ata në të vërtetë tentojnë të na dirigjojnë në mënyrën sesi ne duhet ta besojmë dhe praktikojmë fenë tonë, ata kërkojnë të jemi konformist me rendin dhe trendin afetar të shoqërisë, shtetit dhe kulturës. Në thelb është një thirrje e hershme për pranim reciprok mes të vërtetës dhe të pavërtetës, për të bashkëjetuar në paqe me kushtet e këtij rendi afetar. Është po e njëjta ftesë që idhujtarët e Mekës i drejtuan Profetit (alejhi salatu ue selam) për të bërë paqe me idhujt e tyre, duke pranuar hyjnitetin e tyre krahas atij të Allahut.
Për aq kohë sa ligjërimi ynë fetar nuk prek themelet e këtij rendi të korruptuar, kufizohet vetëm brenda mureve të xhamisë dhe trajton vetëm çështjet e botës së përtejme, duke mos kërkuar nga shoqëria që vlerat dhe parimet e besimit t’i vendosë në themel të shoqërisë njerëzore, këta njerëz do të jenë përherë dashamirës, mikpritës e madje lehtësisht mund ta shesin veten edhe si besimtar të mirë nëpër iftare e bajrame. Problemi më i madh është tek ata besimtarë që në emër të një paqe sociale sipërfaqësore, që në realitet vret zemrën e besimit, pranojnë dhe kënaqen me këtë kompromis mashtrues, ndërkohë që harrojnë se beteja jonë e madhe me njerëzit në rrugën për tek Zoti nuk është thjesht të na lenë të lirë të falemi, mbajmë mjekër, vendosim shaminë, ndërtojmë xhami apo të flasim për botën tjetër, por së pari t’i kumtojmë mbarë njerëzve të vërtetën e madhe se rendi i tyre i sotëm ideologjik, social, ekonomik, politik e kulturor qëndron mbi themelet e afetarisë idhujtare, mbi parimet amorale të modernitetit, që mohon Zotin dhe detyrimin moral të mirënjohjes ndaj Tij. Kështu që konformizmi dhe mirëkuptimi me këtë rend amoral dhe gardianët e tij është një sipërfaqësi që në fund miraton ose hesht ndaj shenjtërisë së tij të rreme.

Justinian Topulli