FORMULIMI POST-PANDEMIK I RENDIT BOTËROR

FORMULIMI POST-PANDEMIK I RENDIT BOTËROR

0 1172

Dr. Vedah Hanfer
Përktheu: Dr. Amel Kurtishi

(publikuar në http://shenja.tv/revista2/109/109)

Momentet e historisë botërore, që e vendosin ose e asgjësojnë/ndryshojnë rendin ndërkombëtar, si zakonisht iniciohen/lancohen nga ngjarje identike për nga tiparet. Prej tyre, lufta është një fenomen me konsekuencat më të theksuara. Pastaj në radhë janë pandemitë, murtajat ose sëmundjet me shtrirje dhe pasoja globale. Nga murtaja e Justinianit (vitet 541-542) deri te “Vdekja e zezë” (vitet 1346-1351), murtajat dhe pandemitë e kanë luajtur rolin e tyre në ndryshimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka shumë gjasa që historianët e ardhshëm pandeminë Covid 19 do ta konsiderojnë si një moment kyç/ moment kthese në historinë e sistemit ndërkombëtar dhe të rendit global.
Coronavirusi nuk është thjesht një krizë shëndetësore, as që është, në mënyrë individuale, vetëm krizë politike, ekonomike, shoqërore, krizë e sigurisë dhe krizë ndërkombëtare. Ajo në fakt është një krizë e kombinuar, një meta-krizë e cila si e tillë do të sjell pasoja në gjitha aspektet e jetës njerëzore dhe do të ndikojë në sistemin ndërkombëtar. Ky shkrim, në mënyrë specifike do të fokusohet në shpërndarjet/degëzimet gjeo-politike të kësaj krize dhe në implikimet e saj mbi ardhmërinë e sistemit dhe rendit botëror. Si duket, ne, në këtë kohë, po e shkruajmë historinë e së ardhmes. Në vend të arkivave, pikat tona të referencës do të janë imagjinatat tona.
Sidoqoftë, imagjinata jonë do të jetë historikisht e vetëdijshme dhe e përgjegjshme, që do të thotë që ne do t’i marrim parasysh proceset e ngjashme historike duke ngelur të orientuar drejtë ardhmërisë. Si fenomene të jashtëzakonshme, këto kriza globale e përshpejtojnë rrjedhën e historisë, i theksojnë trendet ekzistuese dhe rezultojnë me përfundime të veçanta. Edhe pandemia e Coronavirusit do të ketë pasoja të ngjashme mbi sistemin global.
Për ata që kanë lindur pas Luftës së Dytë Botërore, ose ata që përvojat e tyre formuese i kanë jetuar në këtë periudhë, rendi ndërkombëtar liberal, me orientim qendror perëndimor, dukej të jetë produkti i natyrshëm i një kursi të jashtëzakonshëm të historisë dhe proceseve historike. Megjithatë një lexim i tillë është refleksion i hegjemonisë intelektuale të perëndimit. Nëse jo ndryshe, është fakt që periudha pas lufte ishte një moment i pazakontë dhe i veçantë në historinë njerëzore. Covid 19 edhe më tutje do ta theksoje veçantinë e asaj që për dekada llogaritej si normë në sistemin ndërkombëtar. Për të qenë më të saktë, pandemia e Coronavirusit dhe reagimet ndaj saj kanë hedhur dritë mbi natyrën thërrmuese të rendit botëror, me tiparin e tij të centrizmit perëndimor. Kjo krizë veçanërisht ka demonstruar mungesën e lidershipit, planifikimit strategjik dhe mungesë të imagjinatë në SHBA-të, si dhe rrënimin e hegjemonisë së saj. Këto tipare nuk e pasqyrojnë vetëm atë që po ndodh tani. Ato gjithashtu paralajmërojnë tiparet e rendit global që do të vijë pas pandemisë.

Lidershipi-mungesa dhe dobësimi i hegjemonit
Bota ka nevojë për një Plan të ri Marshall-i dhe jo për një fond Marshall-i.

Duke u përballur me vështirësitë ekonomike, që ndjehen në të gjithë botën, por veçanërisht në tregjet në zhvillim të Evropës Jugore, thirrja për një Plan të ri Marshall për të vendosur nën kontroll këtë stuhi ekonomike jehon gjithandej. Ngjashëm me Planin Marshall i vitit 1948, i cili, përmes programit të tij financiar me vlerë 12 miliardë dollarë, luajti një rol të rëndësishëm në rindërtimin ekonomik të Evropës së shkatërruar nga lufta, edhe i ashtuquajturi Plani i ri Marshall supozohet të luajë një rol të ngjashëm. Përkundër këtyre thirrjeve të përsëritura për një Plan të ri Marshall, ndryshimi midis atij origjinal dhe këtij që aktualisht propozohet është shumë i madh. Ajo që u ofrua në vitin 1948 nuk ishte thjesht një fond Marshall-i (prej SHBA-së për Evropën perëndimore), si shihet edhe nga vet emri bëhej fjalë për një plan të bazuar në premisën e vizionit politik, që synonte gjenerimin e aksionit kolektiv dhe bashkëpunimit mes vendeve të Evropës perëndimore. Plani ngritej mbi lidershipin e qartë politik të SHBA-ve si dhe mbi aksionin kolektiv të vendeve të Evropës perëndimore në riorganizimin e skenave të tyre politike dhe ekonomike. Planit Marshall, që sot po diskutohet i mungojnë të gjitha këto tipare dhe karakteristika. Mungon plani, mungon vizioni, mungon udhëheqësia politike. Prandaj, në rastin më të mirë ne flasim për një Plan Marshall-i që ka pak gjasa të zgjidh një meta-krizë kaq të ndërlikuar që për momentin e përjetojmë.

Nga lufta kundër terrorizmit drejtë luftës kundër virusit: rënia dhe rrënimi i hegjemonisë amerikanë

Kultura politike në Amerikë është e mësuar të shpall luftë kundër dikujt. Prej Xhimi Karterit i cili e shpalli luftën energjetike, duke iu referuar pasojave afatgjata të ndërprerjeve të shpeshta në prodhimin e derivateve të naftës nga vendet e OPEC-ut në vitin 1973, nëpërmjet Reganit i cili e shpalli luftën kundër forcave të së keqes/perandorisë famëkeqe (në kontekst të luftës kundër Bashkimit Sovjetik) deri te luftërat kundër terrorizmit tek presidentët e fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, erdhi epoka e Trumpi-it i cili e deklaroi luftën kundër virusit kinez. Si duket politika e jashtme e Amerikës është e varur nga shpallja e luftës kundër dikujt. Nga këto luftërat, lufta kundër terrorizmit, ka pasur pasoja më të mëdha duke e shterur energjinë politike të SHBA-ve si dhe duke e shtrembëruar orientimin e saj strategjike dhe imagjinatën gjeo-politike.
Kjo luftë kundër terrorizmit, në përmasa të gjera, kishte për premisë leximin e politik dhe strategjik që botën islame e vendosi në pozitën esenciale të “tjetrit” përballë politikës së jashtme të Amerikës dhe sistemit të vlerave që ka deklaruar. Edhe pse kjo luftë fitoi rëndësi globale pas sulmeve të 11 shtatorit, themelet intelektuale për këtë luftë u hodhën shumë më herët. Mendimtarët si Samuel Huntington dhe Bernard Lewis e konsideronin të pashmangshme përplasjen midis perëndimit dhe botës islame, me një përkufizim nebuloz dhe arbitrar, përplasje kjo e cila ishte e bazuar në dallime civilizuese dhe aspirata. Në këto shkrime islami thjesht e ka zëvendësuar Bashkimin Sovjetik/Komunizmin si “tjetri” bazik përballë Perëndimit në realitetin e menjëhershëm pas Luftës së ftohtë. Ky disponim intelektual dhe politik e ka mjegulluar vizionin strategjik të SHBA-ve dhe ka konsumuar sasi pafund të resurseve të saj. Në të njëjtën kohë, ky proces ka krijuar mundësi për Kinën dhe Rusinë. Në fakt, përderisa SHBA-të ishin të zënë me ndjekjen e fantazmave nëpër shpella dhe shkretëtira në Lindjen e Mesme, Kina dhe Rusia filluan të hedhin themelet për dominimin dhe ndikimin e tyre ndërkombëtar. Luftërat e SHBA-ve në Afganistan dhe Irak në realitet ishin gabime, të argumentuara, strategjike, trashanike dhe me përmasa epike. Të njëjtat luftëra mund të llogariteshin si dhurata strategjike nga SHBA-të për Kinën. Në një kohë kur Amerika ishte e zënë duke e stërlodhur vetën në Lindjen e Mesme, Kina pa kokëdhimbje e përshpejtonte ngritjen e saj “paqësore” (do e kishim shtuar edhe fjalën “të patrazuar”) në skenën ndërkombëtare. Kështu, rezultati kumulativ i marrëzive strategjike të SHBA-së përmes politikës së luftës kundër terrorit është i vetëkuptueshëm.
Pandemia që ndodh, gjeneron edhe pyetje të tilla si: A do të fitojë dimensione kulturore, ekonomike, politike dhe ushtarake lufta e SHBA-së kundër virusit “Kinez”? A janë SHBA-të gati të zëvendësojnë luftën e tyre kundër terrorit, me një luftë të re, kundër formave pandemike të “prodhuara nga Kina”? Përgjigjet e sakta për këto pyetje sigurisht do të jepen nga historianët e ardhshëm, edhe pse, të gjitha shenjat e hershme tregojnë se SHBA-të po e ndjekin këtë pistë/rrugë. Për më tepër, diplomacia me anë të ndihmës ndërkombëtare që e praktikon Kina që nga shpërthimi i krizës si dhe qasja e saj “bashkëpunuese” është në kontrast të dukshëm me politikën e vetë-fokusimit në SHBA-të. Kjo e shton një shije politike dhe ideologjike në garën SHBA-Kinë, e cila më parë, në thelb, kishte qenë ekonomike për nga natyra.
Politika e luftës amerikane kundër terrorit ka nxjerr në pah rënien dhe rrënimin e qartë të dominimit amerikan në çështjet ndërkombëtare dhe kjo pandemi si duket do ta përshpejtojë këtë trend. Nga shpërthimi i pandemisë së Coronavirusit mesazhi që SHBA-të e dërguan në botë ishte: Nuk kemi ide si ta menaxhojmë vetvetiu këtë krizë. Poashtu nuk kemi mundësi ta luajmë rolin e liderit në përpjekjet ndërkombëtare në këtë luftë. Do të jemi egoistë në përballje me këtë pandemi (pasi një tendencë e tillë u shfaq qartë në përpjekjen e saj për përvetësuar vaksinat e zhvilluara nga Gjermania). Rezultati i kësaj krize dhe natyra e trajtimit të saj në nivelin kombëtar dhe global janë shenja të asaj që mund të pritet në rendin botëror post-pandemik.

Rendi botëror post-pandemik
Zvogëlimi i varësisë globale prej Kinës dhe rajonalizimi i prodhimtarisë

Kjo pandemi zbuloi varësinë shqetësuese të botës ndaj Kinës nga pikëpamja e industrisë prodhuese. Një shembull i mirë i kësaj varësie është ironia e faktit që Kina, vendlindja e Coronavirusit, në të njëjtën kohë është vendi ku prodhohen shumica e maskave dhe respiratorëve tek të cilët tani të gjithë mbështeten në luftën e tyre kundër pandemisë. Ky realitet e ilustron forcën por edhe dobësinë e Kinës. Për më tepër, Kina ka përdorur aftësinë e saj prodhuese për PR (reklamë), dhe në të njëjtën kohë e zotëron aftësinë e shndërrimit të kësaj përparësie në armë kundër kundërshtarëve të saj. Megjithatë, kjo periudhë ka shërbyer edhe si një thirrje zgjimi për pjesën tjetër të botës. Globalizimi ekonomik tani do të duhet të bëhet i ndërgjegjshëm politikisht dhe gjeo-politikisht, me qëllimin kryesor të zvogëlohet varësia ekonomike e botës nga Kina dhe kapaciteteve prodhuese që i ka.
Më pas, mund të presim që ndërmarrjet multinacionale t’i nënshtrohen një procesi të ri-nacionalizimit të pjesshëm në aktivitetet e tyre ekonomike, një proces i cili do të krijojë humbës, por edhe fitues. Tregjet në zhvillim me baza më të mira industriale, me forca pune të afta dhe afërsia me qendrat kryesore ekonomike të botës do të sigurojnë mundësi të mirë për të korrur përfitimet nga ky proces. Nga aspekti ekonomik, mund të argumentohet/vërtetohet se në ekuilibrin midis globalizimit ose rajonalizimit të zinxhirëve të prodhimit, ndryshimi do të favorizojë këtë të fundit duke hapur rrugë për zhvillimin e njësive rajonale të zinxhireve të prodhimit dhe furnizimit. Rajonalja do të fitojë rëndësi. Më konkretisht, në lidhje me tregjet evropiane, Turqia, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore si Polonia do të jenë përfituesit e këtij procesi, ndërsa në tregun e Amerikës së Veriut, Meksika do të gëzojë avantazhe të ngjashme.

G2 botë pa lider:

Rendi botëror amerikano-centrik tashmë për një kohë të konsiderueshme po shpërbëhet dhe pandemia momentale vetëm se do ta përshpejtojë dhe thellojë këtë proces. Në vend të tij ne jemi dëshmitarë të paraqitjes të një rendi/status quo ndërkombëtar në të cilin SHBA dhe Kina do të jenë dy superfuqitë më të rëndësishme. Megjithatë rendi botëror në rritje nuk do të jetë ekskluzivisht i përqendruar rreth dy boshteve Amerikës dhe Kinës. Gjegjësisht, rendi i ri ndërkombëtar do të jetë më pak i ngurtë dhe më fluid dhe do të mundësoje që fuqitë relative rajonale të vendeve të G20, të rrisin ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në një mënyrë fillon era e dy fuqive të mëdha G2 dhe asnjëra nuk është dominuese në kohë që grupimet rajonale do të bëhen më të rëndësishme.

Një ndarje e gjeo-politikës dhe gjeografisë:

Ngritja e Kinës dhe Rusisë në çështjet ndërkombëtare ka sinjalizuar rritjen e ndikimit të gjeo-politikës në politikën ndërkombëtare, duke i dhënë fund fitores së vet-glorifikuar liberale e cila gjoja i dha fund erës së garave gjeo-politike në rrafshin e çështjeve ndërkombëtare. Me siguri që gjeo-politika është përsëri faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dallimi është që ajo shoqërohet me zvogëlimin e rëndësisë së gjeografisë kur bëhet fjalë për trajtimin e sfidave globale.
Pandemia aktuale është një demonstrim i qartë se në rastin e llojeve të ndryshme të viruseve, në çështjen e ndryshimeve klimatike, në problemin me mungesën e ujit, me ndotjen e ajrit dhe me sigurinë kibernetike, gjeografia, gjithnjë e më pak, ka rëndësi. Këto çështje do të kërkojnë një përgjigje globale për të zbutur pasojat e tyre globale. Prandaj, përderisa ngritja e gjeo-politikës paraqet copëzimin e botës në zona të ndryshme të ndikimit, zvogëlimi i rëndësisë së gjeografisë do të thotë që ne duhet ta trajtojmë botën si një njësi të vetme, duke i trajtuar krizat e sipërpërmendura. Ky tension midis gjeopolitikës dhe gjeografisë hedh në publik një mori pyetjesh. Një pyetje e tillë dhe jo më pak e rëndësishme është: A mundet të vendoset një rend apo kornizë ndërkombëtare pa parime të përbashkëta, pa sisteme vlerash që i ndajmë madje edhe pa interesa të fshehura të përbashkëta? Në fund të fundit, arkitektura e mëparshme e rendit botëror nuk pasqyronte vetëm sistemet e vlerave dhe parimet e hegjemonit, por gjithashtu u shpërbente edhe interesave të tij. Ekzistojnë lidhje intime midis vlerave/parimeve të deklaruara të hegjemonit dhe interesave të tij të fshehura. Lidhja e Kombeve, në thelb, ishte një përfaqësim strukturor i vizionit britanik për rendin botëror, ndërsa sistemi i OKB-së dhe Bretton Woods-it shërbyen të njëjtin qëllim, për një rend botëror të dominuar nga SHBA-të. Në të njëjtën trajtë edhe Pax Britannica ose Pax-Americana kishin intenca internacionaliste. A erdh koha e Pax Chinica? Tensionet gjeo-politike mes Pax Americana në rënie dhe kornizës Pax Chinica në rritje do të dobësojë kapacitetin global që të trajton sfidat dhe rreziqet që nuk njohin kufi.
Pandemia e Coronavirus me çdo ditë e përshpejton shfaqjen e një rendi të ri ndërkombëtar, pasojat do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të thella se sa kriza shëndetësore e shkaktuar nga e njëjta pandemi.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 595