TRE LUMENJ TË PASTRIMIT (FALJES) NGA MËKATET

TRE LUMENJ TË PASTRIMIT (FALJES) NGA MËKATET

0 835

Allahu thotë: “e kush i fal gjynahet përveç Allahut?”. (Ali Imran, 135)

Allahu i Madhëruar është el Gafur (Falës), Et Tevab (që pranon pendimin) er Rahim (Mëshirues), dhe Ai thërret në pendim, me fjalët: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti”. (Zumer, 53)

Allahu i Plotfuqishëm u ka dhuruar robërve të Tij besimtarë gjëra që do t’ua shlyejnë atyre veprimet e këqija dhe do t’i pastrojnë ata nga mëkatet, në jetën e kësaj bote… aq sa kur të dalin para Tij, të Plotfuqishmit dhe të Madhërishmit, në Ditën e Kijametit, ata do të dalin para Tij me regjistra të pastra dhe me peshore të rëndë (të punëve të mira) dhe do të hyjnë në Xhenet, pa u dënuar, me një premtim prej Tij, i Madhëruar qoftë Atij.

Ibën Kajim, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Për mëkatarët janë tre lumenj të mëdhenj me të cilat pastrohen në këtë botë; nëse nuk arrijnë të pastrohen, do të pastrohen në lumin e xhehenemit në Ditën e Kijametit, ato janë: lumi i pendimit (teubes) të sinqertë, lumi i veprave të mira që i fshijnë gjynahet që e rrethojnë dhe lumi i sprovave të mëdha që i shlyejnë ato. Pra, nëse Allahu i dëshiron të mirën robit të Tij, Ai do ta pastrojë atë në njërën nga këto tre lumenjë. Ky person del Ditën e Kijametit i freskët dhe i pastër, kështu që nuk do të ketë nevojë për pastrimin e katërt.” (Medarixh es-Salikin).

Këto pra janë gjërat që i shlyejnë mëkatet dhe i largojnë veprat e këqija: pendimi i sinqertë, shumë vepra të mira dhe fatkeqësitë apo sprovat me të cilat goditet robi besimtar. Sa i përket (pendimit të sinqertë), ai është pendimi i sinqertë dhe i pastër, dhe që synohet që robi të pendohet për mëkatet e tij dhe të vendosë që të mos kthehet më në mëkat.

Hasan El-Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kjo do të thotë që njeriu të ndjejë keqardhje për atë që ka bërë më herët dhe është i vendosur se nuk do ta bëjë më.”

Ky pendim duhet të bashkohet me katër gjëra, të cilat janë: “kërkimi i faljes me gjuhë, largimi me trup (fizikisht), vendosmëri të mos kthehet më, dhe shpërngulja nga shoqëria e keqe.” (Medarixh es-Salikin).

Për të qenë një pendim i sinqertë, pra i dëlirë dhe vetëm për Allahun e Madhëruar, duhet të përfshijë tre gjëra:

E para: përgjithësimi i të gjitha mëkateve dhe përfshirja e tyre në atë mënyrë që të mos lihet asnjë mëkat pa u përfshirë.

E dyta: vendosmëria dhe sinqeriteti i plotë në lidhje me të, në atë mënyrë që nuk mbetet asnjë hezitim, asnjë fajësim për dikë tjetër, asnjë pritje e dembeli, por përkundrazi e bashkon vullnetin dhe vendosmërinë, për të përshpejtuar në pendim.

E treta: largimin e papastërtive dhe të metave që e pengojnë sinqeritetin e pendimit, dhe shfaqjen e saj që të jetë vetëm për shkak të frikës ndaj Allahut, drosë ndaj Tij, dëshirës për atë që Ai ka dhe frikës nga ajo që Ai ka.” (Madarixh es-Salikin).

Ky është lumi i parë për pastrimin e mëkateve në këtë botë dhe është e nevojshme që secili prej nesh të pendohet me atë pendim të sinqertë, siç na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, duke thënë: “Ai do t’ju shpjerë në kopshtet nën të cilët rrjedhin lumenj.” (Tahrim, 8).

Kushdo që pendohet, me këtë pendim është një premtim nga Allahu se Ai do t’ia shlyejë mëkatet e tij dhe do ta futë në Xhenet me bujarinë dhe fisnikërinë e Tij.

Sa i përket (veprave të mira që shlyejnë të këqijat), është thënia e Allahut të Madhëruar: “Vërtet, veprat e mira i fshijnë ato të këqijat.” (Hud: 114)

Veprat e mira të shumta fshijnë shumë vepra të këqija dhe ngrenë gradat njeriut; Veprat më të mira që i afrohet njeriu Allahut të Madhëruar janë obligimet (farzet) me të cilat Ai na ka ngarkuar, si; namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi. I dërguari, paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: “Çfarë mendoni nëse në derën e njërit prej jush do të ishte një lumë në të cilin ai lahej pesë herë në ditë, a do të mbetet ndonjë gjë nga papastërtia e tij? Ata thanë: Nuk mbetet asgjë nga papastërtia. Kështu njejtë janë pesë namazet ditore; përmes tyre Allahu i fshin mëkatet” (Buhariu dhe Muslimi).

Sa i përket (fatkeqësive, sprovave shlyese), ato janë ato sprova dhe mundime që i ndodhin besimtarit dhe ai bën durim me to, duke e pastruar kështu nga mëkatet dhe veprat e tija të këqija dhe xheneti është shpërblimi i tij, siç ka thënë Allahu Madhëruar: “Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.” (Fussilet: 35). I dërguari, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Madhështia e shpërblimit është me madhështinë e sprovës, dhe nëse Allahu i Madhëruar e do një popull, Ai e sprovon atë, kush është i kënaqur do të jetë Ai i kënaqur me të, e kush është i pakënaqur do të ketë zemërimin.” (Sahih El-Xhami’).

Besimtari nuk tregohet i pakënaqur me caktimin dhe gjykimin e Allahut, por përkundrazi pajtohet me sprovat, sepse në të ka të mira, siç na ka thënë Pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, kur tha: “Sa e çuditshme është çështja e besimtarit; Të gjitha punët e tij janë të mira dhe kjo nuk vlen për askënd përveç se për besimtarin. Nëse e godet një e mirë, ai është mirënjohës (falënderon) dhe kjo është e mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe, ai bën durim dhe kjo është e mirë për të.” (Muslim: 2999).

Njeriu i suksesshëm është ai, të cilin Allahu e udhëzon në ata tre lumenj, kështu që ai noton dhe lahet te të gjitha ato për t’u pastruar nga mëkatet e tij në këtë botë para se të dënohet për to në Ditën e Kijametit në Xhehenem. Ai, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo gjë që e godet besimtarin: sëmundje, lodhje, mërzi, lëndim, pikëllim saqë edhe gjëmbi me të cilin shpohet, është shkak që Allahu t’ia shlyej mëkatet.”

Përkthim hoxhë Shpend Zeneli

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 573